Ish-prokurori Eugen Beci është ndalur te çështja e zv.kryeministres Belinda Balluku dhe zhvillimet e fundit të hetimit ndaj saj.

I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Beci tha se Prokuroria e Posaçme ka kaluar në një tjetër nivel të hetimit, duke e rënduar akuzën nga shkelja e barazisë në tenderë në atë të korrupsionit.

Sipas Becit, përdorimi i metodave speciale të hetimit ka bërë që SPAK të zbulojë të dhëna që, sipas tij, lidhen drejtpërdrejt me një pronë të fshehur, të cilën ai e konsideron si të lidhur me Ballukun.
Ai tha se hetimi ka arritur të evidentojë një pronë që, sipas tij, rezulton e fshehur në emër të një personi tjetër, por që nga dokumentacioni i administruar gjatë hetimit mund të lidhet me Ballukun.

Ish-prokurori iu referua edhe deklaratave të bëra më herët nga drejtues të mazhorancës, në kohën kur Parlamenti diskutonte kërkesën për heqjen e imunitetit të Ballukut. Sipas tij, nga mazhoranca ishte deklaruar se nëse akuza do të lidhej me korrupsionin, atëherë do të jepej miratimi për heqjen e imunitetit.

“Prokuroria e Posaçme në bazë të metodave speciale të hetimit, e ka rritur stekën dhe ka kaluar në një kategorizim tjetër…Nga shkelja e barazisë në tenderë ka kaluar në korrupsion që është një rëndim shumë i madh i akuzës…Pavarësisht kohës që duhet të marrë…Prokuroria e Posaçme arriti në atë që e thonë shprehimisht, të zbulojë dhe kuptojë që një pronë e fshehur ishte në emër të zonjë Balluku dhe kjo lidhet drejtpërdrejt me veprën penale të korrupsionit pë shkak të detyrës që kishte si ministre. Janë një sërë veprimesh që të çojnë në faktin se pavarësisht se në emër të kujt është ajo pronë, je pronari real i asaj vile nëpërmjet dokumentacionit që ka zbuluar hetimi. Për shkak të rëndimit dhe ndryshimit të akuzës shpresoj se prokuroria e posaçme do vlerësojë ecurinë e hetimit. Pra a do zhvillohet hetim me masë sigurimi, pa masë sigurinë, në gjendje të lirë arrest me burg…apo jo. Me të dhënat e tanishme të hetimit, e shoh të lidhur edhe me deklarata politike të bërë në momentin e refuzimit të imunitetit…Nga drejtuesit e mazhorancës u tha se nëse do ishte vepër penale kundër korrupsionit jemi të qartë e japim imunitetit…Prokuroria e Posacme e plotësoi këtë kusht të mazhorancës dhe mbetet të shohim a do e formalizojjë prokuroria e posaçme kërkesën e dytë të bërë Parlamentit për të hequr imunitetit për caktimin e një mase sigurimi që nuk është e thënë të jetë “arrest me burg”. Por edhe që njerëzit të qarkullojnë të lirë është standard i dyfishtë…Sepse për një të njëjtën akuzë nuk mund të lesh një zyrtar pa masë sigurimi”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb