NGA ERMELINDA HOXHAJ*

TIRANË- Drejtoria Arsimore e Tiranës ka publikuar disa njoftime për 79 vende të lira punë në institucionet e arsimit parauniversitar, ku përfshihen gjimnaze, shkolla 9-vjeçare, por edhe disa kopshte të kryeqytetit, që kanë hapur konkursin për vende të lira pune. Janë 31 institucione arsimore, të cilat kërkojnë 80 arsimtarë të profileve të ndryshme. Afatet e dorëzimit të dokumentacionit janë në varësi të shkollës, por vijojnë nga data 4 prill deri në datë 14 prill 2015. Të interesuarit, njoftimet për vende vakante pune në arsimin parauniversitar i gjejnë në faqen zyrtare të Drejtorisë Arsimore Tiranë, http: dartiraneqytet. arsimi. gov. al. Këto vende të lira janë shpallur për ata mësues që janë me kontratë të përkohshme dhe sipas specialistëve të DAR Tiranë, përparësi në këtë garë do të kenë mësuesit që janë në sistem, por të drejtën që të hynë në konkurs e kanë edhe ta mësues që kanë aplikuar në portalin “Mësues për Shqipërinë”, që u testuan në dhjetor. Bashkangjitur shkrimit janë emrat e shkollave dhe kopshteve, si dhe profili i vendit të lirë të punës për të cilin është hapur konkursi si dhe afatet e aplikimit.
DOKUMENTET
Në dokumentet që duhet të dorëzojnë kandidatët pranë shkollave përkatëse janë: diplomë të ciklit të dytë të studimeve universitare, sipas përcaktimeve të nenit 57 të Ligjit Nr.69/2012, datë 21.06.2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, (fotokopje e noterizuar e diplomës dhe listës së notave të shkollës së lartë). CV dhe kopje të dëshmive apo dokumente që vërtetojnë pohimet në CV (sipas modelit të përcaktuar në shtojcën Nr.1, bashkëlidhur Udhëzimit Nr.35, datë 30.09.2014). Raportin mjeko-ligjor, dëshminë e masave disiplinore në fuqi në ngarkim të tij, nëse nuk ka e deklaron me shkrim që nuk ka. Po ashtu, duhet të dorëzojnë edhe dëshminë e penalitetit, të lëshuar jo më herët se tre muaj para datës së aplikimit. Dokumentet dorëzohen pranë drejtorive të institucioneve arsimore përkatëse. Në lidhje me hapjen e këtyre konkurseve, specialistë të Drejtorisë Arsimore të Tiranës kanë sqaruar se: “Këto vende nuk janë vende të lira, pasi aktualisht ka mësues që japin mësim në këto vende punë, por janë me kontratë të përkohshme dhe ligji e parashikon se duhet të hapet konkursi për këto raste, por përparësi do të kenë ata mësues që janë në sistem. Por të drejtë të hynë në konkurs kanë edhe ata mësues që kanë hyrë në testimin e dhjetorit si pjesë e nismës “Mësues për Shqipërinë”. (vendet e lira të punës, në shkollat dhe kopshtet në Tiranë, i gjeni në numrin e sotëm të Gazetës Shqiptare)

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb