Sfidat më të mëdha për femrat fillojnë në momentin kur bëhen nëna e për më tepër, kur janë në mar rëdhënie pune. Gjithsesi, nuk është edhe aq e vështirë nëse do të mbani parasysh disa këshilla për nënat “Work-life balance”, kështu quhet në gjuhën angleze dhe është ai ekuilibër aq shumë i kërkuar nga të gjitha gratë që punojnë, përballë ditëve me orare të punës aspak fleksibël; shtëpi dhe familje për t’u menaxhuar dhe ndoshta, dëshira dhe pritja për të gjetur momente edhe për veten e tyre. Janë të shumta mamatë që punojnë, por që ankohen për balancimin e shumë roleve te vetja. Kënaqja e familjes dhe në të njëjtën kohë mbajtja e rezultateve të mira në punë, është një sfidë e vërtetë. Gjithsesi, asgjë nuk është e pamundur! Shihni më poshtë disa nga këshillat për t’u përmirësuar dhe për të arritur ekuilibrin dhe qetësinë mes familjes dhe karrierës.

Përgatisni një listë me gjërat që do të bëni
Mund t’ju duket e panevojshme të shkruani çdo ditë një listë të gjërave që do të bëni, kur dihet se cilat janë. Por shkencërisht është provuar se një listë e tillë ju ndihmon të jeni më efikase dhe produktive. Përgatisni gjëra të ndryshme, për javën dhe për fundjavën: Kjo gjë do t’ju ndihmojë që të keni gjithçka nën kontroll dhe të vlerësoni aktivitetet e ndryshme, e të shijoni më pas momentet e relaksit me fëmijët tuaj.

Babi, një mbështetje e pazëvendësueshme
Burri mund t’ju bëhet një mbështetje e madhe. Mos hezitoni t’i kërkoni një dorë për t’i ndarë detyrat dhe për t’ju ndihmuar në vështirësi të ndryshme. Nuk është e rëndësishme vetëm për të mbijetuar ndaj detyrave të përditshme, por edhe për të mos u ndierë vetëm. Jeni në të njëjtën skuadër: Kujtojeni shpeshherë të dy! Dhe kështu, nëse një mbrëmje ai do të ketë dëshirë të shkojë të luajë futboll me miqtë dhe ju të shijoni një mbrëmje mes mikeshash, mund ta bëni, me mjaft lehtësi.

Gjeni një ambient të duhur për fëmijët tuaj
Dita shpesh kalohet më së shumti në punë, por është e rëndësishme që ju të jeni të qeta në lidhje me shqetësimin se ku do t’i lini fëmijët. Nuk është e thjeshtë të ndaheni për shumë orë nga më të vegjlit. Por megjithatë, kur e dini se fëmijët janë në një ambient të sigurt dhe të qetë gjatë ditës, kjo do të jetë një ndihmë e madhe. Nëse nuk mund të mbështeteni te ndihma e gjyshërve, informohuni te fqinjët dhe miqtë, dëgjoni opinionet e të tjerëve dhe merrni këshilla nga mamatë, për të gjetur ambientin më të mirë ku fëmijët tuaj mund të kalojnë ditën.

Teknologjia mund t’ju ndihmojë
Tashmë “telefoni i zgjuar” është shoku ynë besnik i jetës, shumë i dobishëm për të na ndihmuar në çështjet e çdo dite: Shkarkoni aplikacione të cilat mund t’ju ndihmojnë të menaxhoni një listë pazaresh, takimesh dhe gjëra të tjera për t’u bërë. Jo vetëm kaq, ekzistojnë edhe disa të tjera të cilat ju bëjnë të gjeni vendet më të përshtatshme për fëmijët, si parqet e lojërave dhe hapësirat e gjelbëruara.

Zgjidhni elektroshtëpiaket e duhura
Të pastroni, të gatuani, të lani…sa e sa gjëra ka për t’u bërë në shtëpi! Një ndihmë megjithatë është e dobishme: Vini mënjanë çdo muaj një kursim të vogël për ta investuar në elektroshtëpiaket, të cilat mund t’ju lehtësojnë jetën, si lavatriçe, pjatalarëse dhe furrë me mikrovalë. Do të reduktoni stresin dhe kohën e harxhuar duke bërë punët.

Dedikojini më shumë kohë vetes
Shumë gra, mes punës dhe fëmijëve, nuk gjejnë kohë për t’iu dedikuar vetes dhe duket sikur ndihen të mposhtura nga punët e shtëpisë. Për më tepër, të qenët një person, i cili vë në dispozicion tërësisht veten në gjithçka që bën, në punë dhe në shtëpi, duke pasur kohë cilësore edhe për veten, do t’ju ndihmojë të çliroheni shumë shpejt nga stresi. Shkoni në kinema apo bëni një shëtitje, tek estetistja, ose edhe të pini diçka me mikeshat!

Bëjeni të qartë se jeni një mama
Ju kërkojnë mbase të qëndroni jashtë orarit në punë ose ju japin shumë gjëra për t’i përfunduar? Mbase kolegët dhe shefat nuk e dinë situatën tuaj familjare! Gjeni mënyrën e duhur, profesionale dhe me mirësjellje, për t’i bërë të ditura problemet dhe pritjet tuaja. Pranoni ndihmën e kolegëve dhe tregohuni e gatshme të ndryshoni oraret e punës kur të keni nevojë. Por mos e transformoni statusin e të qenët “mama” në një justifikim për t’u impenjuar më pak ose për të qenë më pak bashkëpunues.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: