I shkarkuar nga drejtor i Teatrit Kombëtar Ekperimental, pas shembjes së godinave më 17 maj, regjisori Kiço Londo, ka ringritur kompaninë e tij të Teatrit Shëtitës “Çajupi” që këtë fundjavë është në Gjakovë me shfaqjen “Boeing-Boeing” duke sfiduar teatrin online.
“Në kohë të çmendur të qëndrosh përballë çmendurisë, është çmenduri. Ky do të jetë slogani që do të shoqërojë Teatrin Shëtitës gjatë vitit 2021. Po e fillojmë me teatrin e qytetit Gjakovës, ‘Hadi Shehu’. Do thosha që teatri online më duket nganjëherë si puna e atij njeriut që ka thyer këmbën dhe dikush i vë në handkeplast. Teatri është të jesh bashkë”, -thotë Kiço Londo në një intervistë për ‘News 24’ e ‘BalkanWeb’.
Ndërsa Shqipëria ka një vit me teatro mbyllur dhe pa shpresa për rihapje, regjisori vë para përgjegjësisë, komunitetin artistik ndërsa prek plagën e shembjes së dy teatrove.
“Kur vritet skena përgjegjësia është e artistit jo e shtetit. A ka çmim liria ime, a ka çmim qëndrimi im, kundrejt politikës zyrtare me fatin e Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental? Patjetër që kanë një çmim. E pagova dhe do vazhdoj ta paguaj por më pëlqen më shumë të paguaj se sa të zvarritem”, tha Londo gjatë intervistës.
Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi dhe kudo në Shqiperi. Teatri Shëtitës i Londos do të çojë shfaqjet në rrethe duke risjellë teatrin e gjallë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: