Bashkim Rajku, babai i reperit të njohur Noizy, është paraqitur në cilësinë e dëshmitarit për të dhënë deklarime lidhur me atentatin me tritol të ndodhur më 8 qershor 2022, ku u godit lokali dhe dyqani në pronësi të familjes së tij. Gjatë dëshmisë, ai ka treguar momentet e shpërthimit, duke deklaruar se në atë kohë ndodhej në gjumë në apartamentin e tij në katin e pestë të pallatit.

“Para katër vitesh kam qenë në gjumë. Mora vesh që kishte shpërthyer diçka. E dëgjova zhurmën dhe zbritëm poshtë. Ishte natë dhe lokali ishte i mbyllur”, mësohet të ketë deklaruar ai.

Sipas tij, në momentin e shpërthimit nuk ndodhej askush nga stafi në ambientet e biznesit, ndërsa lokali funksiononte normalisht gjatë ditës. Ai sqaroi se administrimi i lokaleve ndiqej nga vajza e tij, Anisa Rajku.

“Pashë që ishin thyer xhamat dhe ishte prishur gjithçka. Nuk hymë brenda, pritëm të vinin autoritetet për verifikimet”, ka thënë Bashkim Rajku. Babai i reperit deklaroi gjithashtu se nuk ka dijeni për motive apo konflikte që mund të kenë çuar në vendosjen e lëndës plasëse.

“Nuk di me çfarë ta lidh ngjarjen. Nuk kam pasur probleme pronësie apo armiqësi me njeri. Edhe sot nuk dimë asgjë më shumë, nga mediat kemi marrë vesh”, është shprehur ai.

Në dëshminë e tij është përmendur edhe emri i Kleviol Ahmeti, për të cilin Rajku tha se e njeh vetëm si person që merret me muzikë dhe rrjete sociale. “Kam dëgjuar që ka pasur xhelozira me djalin tim. Më duket se është nga Lushnja”, deklaroi ai, duke shtuar se personalisht nuk ka pasur dyshime konkrete ndaj askujt.

Ngjarja e 8 qershorit 2022 shkaktoi dëme të shumta materiale në biznesin e familjes Rajku.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: