TIRANË- Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, në bashkëpunim me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, Delegacionin e Komisionit Evropian, organizuan sot konferencën ndërkombëtare “Islami dhe Paqja Globale”.

Qëllimi i kësaj konference ishte dhënia e një kontributi në përmirësimin e klimës së paqes globale, duke ofruar kështu një mjet për shkëmbimin e informacionit dhe një platformë ku studiues nga vende dhe kultura të ndryshme të diskutojnë me fokus kryesor parandalimin dhe trajtimin e problemeve që cenojnë paqen globale, si dhe edukimin me vlerat e respektit dhe pranimit të njëri-tjetrit.

Kryetari i Komunitetit Mysliman, Skënder Bruçaj, tha se praktika fetare tradicionale e Islamit në Shqipëri, është mënyra më gjithëpërfshirëse larg instrumentalizimit, ndjekëse korrekte e parimeve burimore, e cila injekton dëshirën për të dialoguar me gjithkënd, duke respektuar gjithsecilin në pozicionin e vet. “Shpeshherë autorë të ndryshëm këtë e quajnë “Islami shqiptar”, por kjo mënyrë e të jetuarit të Islamit, është vetë Islami burimor”, tha Bruçaj.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, theksoi se shqiptarët e të gjitha besimeve bashkëjetojnë prej shekujsh në paqe, harmoni dhe respekt të ndërsjellë, duke u bërë model dhe shembull frymëzues edhe për shoqëri të tjera.

“Modeli shqiptar i bashkëjetesës fetare dhe i pranimit të tjetrit ndryshe, na frymëzon në vizionin tonë për një botë të paqtë, ku racat, fetë, kulturat, të gjithë njerëzit, bashkëjetojnë në harmoni”, u shpreh Nishani.

Ambasadori amerikan, Donald Lu, pasi përgëzoi Komunitetin Mysliman për organizmin e kësaj konference, theksoi se, në kushtet ku jetojmë, është e domosdoshme harmonia dhe respekti midis njerëzve. “Ju përgëzoj për punën tuaj të palodhur. Kontributi që ju jepni është shprehja më e vërtetë e besimit tuaj. Nisur nga kjo, jam i bindur se Zoti do t’ju japë çfarë ju nevojitet për t’ia dalë mbanë në misionin tuaj të lartë e human”, u shpreh  Lu.

Ndërsa ambasadorja e Delegacionit të BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, e vuri theksin në harmoninë dhe bashkëjetesën paqësore që karakterizon shqiptarët e të gjitha besimeve.

“Jam e nderuar që marr pjesë në një organizim të tillë, i cili, veç të tjerash, tregon për respektin dhe vlerësimin që ju keni dhe ushqeni për bindjet dhe vlerat e njëri-tjetrit”, tha Vlahutin. Pjesëmarrësit i përshëndeti edhe Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Edmond Brahimaj.

I ftuar special në këtë konferencë ishte Prof. Dr. John Esposito, pedagog i Fesë, Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Studimeve Islame në Universitetin Georgetown, si dhe një ndër studiuesit më të njohur në fushën e religjioneve. Profesori italo-amerikan foli gjatë mbi dallimet dhe qëndrimet rreth Islamit dhe kontributit të tij për forcimin dhe konsolidimin e paqes në kontekstin e zhvillimeve globale.

“Pavarësisht dallimeve, – u shpreh Esposito, – ne duhet të punojmë për të luftuar çdo formë të ekstremizmit, duke mbrojtur dhe kultivuar vlerat humane, të cilat çdo fe hyjnore i ka dhe kërkon t’i përçojë për të mirën e njerëzimit.”

Konferenca vijoi me dy seanca shkencore, ku studiues të shkencave humane dhe të fushës së dialogut ndërfetar të ardhur nga SHBA, Italia, Arabia Saudite, Egjipti, Kosova, Maqedonia, Serbia, Kroacia, Mali i Zi, Bosnje Hercegovina, etj, përcollën ide dhe pikëpamje të ndryshme lidhur me këndvështrimin e Islamit mbi dhunën dhe terrorin.

Referuesit argumentuan po ashtu se dialogu ndërfetar është një instrument i domosdoshëm për forcimin e paqes dhe një faktor i rëndësishëm për parandalimin e radikalizmit apo ekstremizmit.

Konferencën e përshëndetën edhe përfaqësues të bashkësive islame të Ballkanit. Në mesazhet e tyre ata u fokusuan në vlerat universale të Islamit dhe kontributin që ai duhet të japë për nxitjen e dialogut dhe afrimin e kulturave me njëra-tjetrën.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: