Aura Guerrero nga Kolumbia ishte vetëm katër vjeç kur u rrëmbye në vitin 1972 në Bravo Páez, një lagje në jug të kryeqytetit Bogota.

Sot ajo po kërcen nga gëzimi pasi ka gjetur sërish të afërmit e saj. Duke kërkuar familjen e saj biologjike në rrjetet sociale, ajo gjeti vëllain e saj përmes Facebook.

E kur e pa për herë të parë përballë, nuk duroi dot… qau duke i rënë në krahë, siç shkruan gazeta britanike Daily Mail. “Është një ëndërr e bërë realitet”, tha Aura duke përqafuar me butësi vëllanë e saj.

Guerrero e kujton ende ditën e rrëmbimit të saj, gjysmë shekulli më parë. Ajo ishte duke ecur në një dyqan kur një grua, tiparet e së cilës i mban mend ende, e kapi, sipas rrjetit të lajmeve “Noticias Caracol”.

“Kisha dalë për të blerë biskota dhe shkova në dyqanin që ishte një dyqan lagjeje”, tha ajo. “Kur u ktheva, autobusi ishte i parkuar. Një plak po kalonte pranë, më trembi. U fsheha pas autobusit ndërsa plaku kaloi më pas u shfaq gruaja që më rrëmbeu”. Rrëmbyesja ishte “e gjatë, me flokë të errët dhe të gjatë”.

Guerrero kujton se gruaja eci me të për mjaft kohë derisa arritën në një stacion autobusi. Rrëmbyesja pagoi një biletë me një drejtim për në Villarica, një qytet në departamentin e Tolima. Ajo u rrit nga një familje e panjohur dhe e quajten Gina.

Ajo ishte rreth pesë ose gjashtë vjeç kur fitoi para duke shpërndarë dreka për të mbuluar shpenzimet e fletoreve të shkollës. Në moshën 12-vjeçare ajo jetonte vetëm dhe paguante qiranë në qytetin e Restrepos.

Ndërkohë vëllai i saj Fidencio dhe prindërit e saj lëviznin vazhdimisht nga qyteti në qytet për ta gjetur atë. “Sa herë na lajmëronin se një vajzë ishte zhdukur, vraponim atje… Kjo ishte jeta jonë për gjashtë apo shtatë vjet. Nëna ime nuk pushoi kurrë së kërkuari fëmijën e saj”.

Për të gjetur familjen e saj biologjike, Aura kërkoi ndihmën e këshilltarit të qytetit të Bogotas, Julián Espinosa, i cili ngarkoi foton e saj në mediat sociale.

Vëllai i saj Fidencio, i cili futet rrallë në Facebook, mori një mesazh për një vajzë që kërkon të afërmit e saj. Ai e njohu menjëherë ate dhe e dinte se më në fund kishte gjetur motrën e tij.

Aura, siç thotë ajo, kishte mall të mbante në krahë prindërit dhe vëllain e saj. “Është diçka e mrekullueshme që vetëm Zoti mund të ma jepte”, thotë ajo e lumtur.

Vëllezërit e motrat planifikojnë të festojnë së bashku Ditën e Nënës dhe Babait këtë vit dhe mezi presin të ndajnë histori në tryezën e Krishtlindjes. “Ky vit do të jetë më i veçantë sepse do të jemi të gjithë bashkë tani”, tha vëllai i Aurës, Fidencio.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb