CRCA/ECPAT Shqipëri: Pa respektuar dhe garantuar të drejtat e fëmijëve, Shqipëria nuk mund të bëj asnjë hap përpara për integrimin e saj në BE! Këto gjetje janë një këmbanë alarmi për Qeverinë shqiptare dhe të gjithë institucionet e saj.

Komiteti për të Drejtat e Fëmijës i OKB-së, me qendër në Gjenevë, ka bërë publike shqetësimet, vërejtjet dhe rekomandimet e tij për përmirësimin e gjendjes të të drejtave të fëmijëve në Shqipëri. Në veçanti Komiteti ka ngritur shqetësime serioze në lidhje me situatën e të drejtave të fëmijëve dhe mbrojtjen e tyre nga dhuna seksuale, diskriminimit të hapur të fëmijëve Rom apo LGBTI+, mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna shtetërore
dhe mos vënien e fajtorëve përpara përgjegjësisë, situatën në arsimin publik, buxhetin e shtetit tepër të ultë
dedikuar fëmijëve, si dhe dobësitë serioze që shfaq sistemi i mbrojtjes së fëmijëve – që nuk arrin dot të mbulojë me shërbime të përkujdesit shoqëror të gjithë fëmijët në nevojë për mbrojtje dhe kujdes në Shqipëri.

“Gjetjet dhe rekomandimet e Komitetit për të Drejtat e Fëmijës, janë një kambanë alarmi për qeverinë shqiptare dhe të gjitha institucionet e saj. Ato flasin për një Shqipëri që nuk është e aftë të mbrojnë fëmijët nga dhuna, diskriminimi, varfëria, pabarazia apo padrejtësitë. Tashmë mesazhi për Qeverinë Shqiptare, Bashkitë dhe të gjitha institucionet shtetërore është tepër i qartë: pa respektuar dhe garantuar të drejtat e fëmijëve, Shqipëria nuk mund të bëj asnjë hap përpara në integrimin e saj në Bashkimin Europian.” – tha Altin Hazizaj, Drejtor i CRCA/ECPAT Shqipëri.

Të gjitha vërejtjet, shqetësimet dhe rekomandimet e tij, Komiteti i ka përfshirë në “Vëzhgimet përmbyllëse”, ku janë përfshirë të gjitha gjetjet që Komiteti ka bërë gjatë shqyrtimit të raportit të 5-të dhe të 6-të mbi zbatimin e Konventës për të Drejtat e Fëmijës në Shqipëri, si dhe rekomandimet që i janë bërë Qeverisë Shqiptare dhe institucioneve të saj për të përmirësuar situatën.

Në hapje të Vëzhgimeve Përmbyllëse për Shqipërinë, theksohet se: “Komiteti do të donte të tërhiqte vëmendjen e
Palës Shtetërore ndaj rekomandimeve lidhur me fushat e mëposhtme, në lidhje me të cilat duhet të merren masa
urgjente: mosdiskriminimi, dhuna ndaj fëmijëve, dhuna dhe shfrytëzimi seksual, sigurimet shoqërore, standardi i
jetesës dhe arsimi.”

Më tej Komiteti në dokumentin e tij prej 16 faqesh vijon të çojë shqetësimin se Shqipëria pavarësisht një sërë ligjesh dhe politikash në drejtim të mbrojtjes së fëmijëve dhe të të drejtave të tyre, ka probleme serioze me zbatimin e tyre:
“Ndërsa vë në dukje informacionin e dhënë nga Shteti palë mbi miratimin dhe zbatimin e politikave dhe strategjive të ndryshme, si Axhenda Kombëtare për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve 2021-2026 dhe Strategjia e Mbrojtjes Sociale 2015-2023, Komiteti rekomandon që Shteti palë të përmirësojë zbatimin e tyre në nivel qendror dhe lokal, të ofrojë burime të përshtatshme njerëzore, teknike dhe financiare, dhe të përmirësojë mekanizmat e llogaridhënies, monitorimit dhe vlerësimit të rregullt të rezultateve specifike të këtyre politikave lidhur me fëmijët.”

Për herë të parë në vëzhgimet e tij përmbyllëse, që kur Shqipëria raportoi për herë të parë para Komitetit për të Drejtat e Fëmijës në vitin 2004, Komiteti ngre shqetësimin e tij serioz në lidhje me buxhetin e shtetit dhe investimet tepër të pakta për fëmijët, si dhe korrupsionin: “I shqetësuar për mungesën e të dhënave publike mbi ndarjen specifike në buxhetin e shtetit për të çuar përpara të drejtat e fëmijëve, Komiteti i rekomandon Shtetit palë:
(a) Të kryejë një vlerësim të plotë të nevojave buxhetore të fëmijëve dhe të caktojë burimet e duhura
buxhetore, në përputhje me nenin 4 të Konventës, për zbatimin e të drejtave të fëmijëve dhe, në veçanti, të
rrisë buxhetin e shtetit për arsimin, shëndetësinë, veçanërisht kujdesin shëndetësor parësor dhe mbrojtjen
sociale;

(b) Të sigurohet buxhetimi transparent dhe me pjesëmarrje përmes dialogut publik, veçanërisht me
fëmijët dhe për financimin dhe llogaridhënien e duhur të autoriteteve lokale;

(c) Të marr masa të menjëhershme për të luftuar korrupsionin që ndikon në të drejtat e fëmijëve dhe
për të forcuar kapacitetet institucionale për të zbuluar, hetuar dhe ndjekur në mënyrë efektive çdo rast
korrupsioni.”

Komiteti për të Drejtat e Fëmijës ka bërë 50 rekomandime për Qeverinë Shqiptare. Mbetet tashmë për të parë se cilat do të jenë masat që Qeveria dhe institucionet e saj do të ndërmarrin për të adresuar të gjitha shqetësimet dhe rekomandimet e Komitetit për gjendjen e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb