Numri i të vdekurve nga kalimi i tajfunit Hinnamnor në Korenë e Jugut është dhjetë të vdekur dhe dy të zhdukur, me stuhinë që goditi bregdetin jugor duke shkaktuar dallgë të mëdha dhe shira të dendur.

Tajfuni, një nga më të fuqishmit që ka prekur vendin aziatik prej dekadash, përmbyti rrugë dhe ndërtesa gjatë kalimit të tij dje dhe të hënën. Në qytetin port juglindor të Pohang, një nga zonat më të goditura, shtatë trupa dhe dy të mbijetuar u nxorën nga parkingu nëntokësor i zhytur në një kompleks apartamentesh. Të nëntë u bllokuan pasi hynë për të lëvizur makinat e tyre gjatë shirave të dendur, sipas mediave lokale.

Hinnamnor detyroi më shumë se 4,700 njerëz të largoheshin nga shtëpitë e tyre për siguri dhe shkatërroi rreth 12,000 shtëpi dhe ndërtesa. Afro 90 mijë familje kanë mbetur pa energji elektrike për shkak të stuhisë, por në shumicën e rasteve furnizimi është rikthyer mëngjesin e sotëm.

Para mbërritjes së tajfunit, autoritetet e Koresë së Jugut mbyllën më shumë se 600 shkolla në mbarë vendin si masë paraprake dhe linjat ajrore lokale anuluan rreth 250 fluturime të brendshme.

(Ansa/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb