Koreja e Veriut e ka shkrepur dhe testuar një raketë balistike me rreze të mesme veprimi në ujërat e bregdetit të vet lindor të martën, tha ushtria e Koresë së Jugut.

Lideri verikorean, Kim Jong Un, është duke bërë përpjekje ta avancojë armatimin që ka për qëllim arritjen e caqeve të largëta amerikane në Paqësor.

Shtabi i Përgjithshëm i Koresë së Jugut tha se raketa u lëshua nga një zonë afër kryeqytetit të Koresë së Veriut, Penian, dhe fluturoi rreth 600 kilometra para së të binte në det mes Gadishullit Korean dhe Japonisë.

Lee Sung Joon, zëdhënës i Shtabit të Përgjithshëm, tha se shkrepja e raketës me gjasë e pason testimin që Koreja e Veriut ia bëri një motori me lëndë djegëse të ngurtë, i ndërtuar për një raketë të re hipersonike me rreze të mesme veprimi.Nëse përsoset, një raketë e tillë mund ta arrijë bazën ushtarake amerikane në Paqësor, Guam, por edhe më larg, thonë ekspertët.

Ministria e Mbrojtjes e Japonisë dha më shumë hollësi në vlerësimin e saj, duke thënë se raketa fluturoi rreth 650 kilometra dhe e arriti lartësinë maksimale prej 100 kilometrave, para se të binte në ujërat jashtë zonës ekonomike ekskluzive të Japonisë.

Disa orë pas lëshimit të raketës, Ministria e Mbrojtjes jugkoreane tha se Koreja e Jugut, Shtetet e Bashkuara dhe Japonia kryen stërvitje të kombinuara ajrore mbi ujërat afër ishujve Jeju, në të cilat u përfshi së paku një bombardues bërthamor amerikan, B-52.

Muajt e fundit, Shtetet e Bashkuara e kanë rritur zhvendosjen e mjeteve strategjike në rajon, përfshirë aeroplanmbajtës dhe nëndetëse raketore, duke treguar forcën kundër Koresë së Veriut.

Ministria e Koresë së Jugut tha se stërvitja e së martës kishte për qëllim përforcimin e përgjigjes së tyre ushtarake kundër kërcënimeve raketore dhe bërthamore nga Veriu.Kjo ishte shkrepja e parë e një rakete nga Veriu për të cilën dihet prej 18 marsit, kur lideri verikorean, Kim Jong Un, e udhëhoqi një stërvitje të sistemeve të artilerisë së dizajnuar për ta goditur kryeqytetin e Koresë së Jugut.

Koreja e Veriut e ka shtuar testimin e armëve prej fillimit të vitit 2022, në përpjekje për ta modernizuar dhe rritur arsenalin e vet bërthamor dhe raketor.

Si përgjigje ndaj saj, SHBA-ja dhe Koreja e Jugut i kanë zgjeruar stërvitjet dhe ushtrimet tripalëshe, duke e përfshirë edhe Japoninë në to.

Ekspertët thonë se me gjasë Kimi dëshiron ta përdorë arsenalin e vet të rritur bërthamor për të siguruar koncensione nga SHBA-ja, si për shembull, lehtësira të mëdha nga sanksionet ndërkombëtare kundër Koresë së Veriut.

Ata thonë se Koreja e Veriut pritet ta zgjerojë veprimtarinë e testimeve dhe ta shpeshtojë retorikën luftëdashëse këtë vit, pasi Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut mbajnë zgjedhje të rëndësishme./REL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb