PRISHTINE – Të blejmë produkte shqiptare, si një rrugë drejt fuqizimit ekonomik të kombit tonë, theksoi sot kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti në hapjen zyrtare të panairit “Blej shqip”, ku marrin pjesë 120 kompani.

Ahmeti tha se “promovimi i prodhimeve vendore, nuk është çështje emocionale, por është koncept i zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të punës”.

“Shkëmbimet tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë janë minimale, në krahasim me potencialet që kemi. Pengesat e vogla duhet të mënjanohen dhe të kemi një integrim të tregut”, -tha Ahmeti.

Ndërsa ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Sipërmarrjes të Republikës së Shqipërisë, Arben Ahmetaj, pohoi se “një panair i tillë është një sipërmarrje ndërgjegjësuese për t’i treguar gjithë shqiptarëve, që ne dimë të prodhojmë mirë për veten tonë, por dhe për eksport”.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: