Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov deklaroi se Shtetet e Bashkuara po “nxitojnë” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, por paralajmëroi se arritja e një zgjidhjeje mbetet një proces i gjatë dhe kompleks.

Në një intervistë për televizionin shtetëror rus, të cituar nga agjencia Interfax, Peskov theksoi se negociatat për përfundimin e konfliktit kërkojnë kohë për shkak të “detajeve të ndërlikuara” që duhet të diskutohen mes palëve.

Deklarata vjen një ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump njoftoi një armëpushim tre-ditor mes Rusisë dhe Ukrainës, nga 9 deri më 11 maj, duke shprehur shpresën se kjo marrëveshje mund të “shënojë fillimin e fundit” të luftës. Sipas Peskov, deri tani nuk ka pasur diskutime për zgjatjen e armëpushimit përtej datës 11 maj, pavarësisht kërkesës së bërë nga Trump për një periudhë më të gjatë qetësie. Moska dhe Kievi vijojnë të mbeten larg një marrëveshjeje përfundimtare, ndërsa përpjekjet diplomatike ndërkombëtare për të ndalur konfliktin nuk kanë sjellë ende një përparim konkret.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb