Kreu i policisë, Ardi Veliu ka deklaruar nga Real Story i Sokol Ballës në News 24, se celula terroriste e zbuluar në Shqipëri, ka lidhje me trupa të qeverisë iraniane. Teksa theksoi se emrat e publikuar janë vetëm drejtuesit e celulës, Veliu tha se ajo përbëhej nga disa nivele, duke përfshirë këtu edhe elementë kriminalë shqiptarë.


“Celula aktive terroriste i përket forcave në varësi të trupave të Ministrisë së Brendshme të Iranit. Celula iraniane hetohej që prej dy vitesh në Shqipëri dhe personat e publikuar sot ishin krerët e kësaj celule, e cila ishte e ndarë në disa nivele. Personat e tjerë në nivele më të ulëta janë shoqëruar dhe pyetur nga Drejtoria e Antiterrorit dhe në bazë të këtyre veprimeve hetimore është arritur të zbulohet kupola e celulës terroriste”, -tha Ardi Veliu.


Ai shpjegoi se në atë kohë nuk u arrestua asnjë person, pasi nuk kishte prova të mjaftueshme për arrestimin e tyre dhe hetimi vijoi deri në ditët e sotme. “Tashmë, policia po bashkëpunon me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare për të kryer të gjitha procedurat e mundshme për këta persona që mund të shpallen në kërkim dhe të arrestohen”, deklaroi Veliu.

(ed.me/BalkanWeb)


Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb