Disa prej kryebashkiakëve të qyteteve të mëdha janë përplasur dje me ministrin e Financace Shkëlqim Cani përsa i përket ndarjes së fondeve për buxhetin e ardhshëm. Kryebashkiaku i Elbasanit Qazim Sejdini dhe ai i Durrësit, Vangjush Dako kundërshtuan ministrin duke kërkuar më shumë fonde për pushtetin vendor.
Vangjush Dako kërkoi që granti i pakushtëzuar të jetë në vlerën e 10 përqindëshit, pasi 90 për qind e buxhetit vendor shkon për shpenzime operative dhe vetëm 10 për qind investime.

“Jam prej 8 vitesh kryetar bashkie dhe çdo vit është e njëjta situatë. Granti është 4 miliardë lekë, 8 miliardë lekë janë të ardhurat e bashkisë, duke zbritur këtu pagesat e punonjësve për pagat, shpenzimet për pastrim, gjelbërim dhe sport, fondet për investime mbeten vetëm 1 milion dollarë”, tha Dako.
Por ministri i Financave, Shkëlqim Cani, theksoi se pas një sërë analizash e diskutimesh është parë e arsyeshme rritja me vetëm 1 për qind e transfertës së pakushtëzuar për vitin 2016 drejt pushtetit vendor.
Ministri i Financave theksoi se këto janë mundësitë financiare, ndërkohë që u kërkoi vendorëve të rrisin performancën në vjeljen e taksës së pasurisë. “Duhet të përmirësohet vjelja e taksës së pasurisë. Ne themi nuk performon mirë, por ajo pothuajse nuk mblidhet fare, është shumë keq. Ajo do punë për ta mbledhur. Mund t’i mblidhni taksat dhe mund të realizoni shumë më tepër të ardhura”. Cani gjithashtu u sugjeroi vendorëve t’i kthejnë sytë nga projektet raporton Panorama.

“Një sugjerim që do t’ju jepja është që të ngrini njësi projektesh. Ajo që vërej është se projektet janë shumë të varfra.
Të gjitha ekonomitë në botë po shkojnë drejt konkurrimit. Bëhuni gati për të konkurruar”, tha Cani. Me ndarjen e re territoriale, Ministria e Financave propozoi që madhësia e grantit të pakushtëzuar për bashkitë të rritet nga 5 për qind në 6.5 për qind. Në rang qarku u propozua që granti i pakushtëzuar të ulet nga 9 për qind në rreth 5 për qind.

Debatet:
Vangjush Dako: Jam prej tetë vitesh kryetar bashkie dhe çdo vit është e njëjta situatë. Sa herë që vjen diskutimi i buxhetit nuk të bëhet të shkosh në punë. Është e njëjta situatë, nuk ka dinamikë, nuk ka alternativa.Nëse vazhdojmë në të njëjtën mënyrë nuk ia vlen që të vij për diskutime që të çojnë vetëm në fjalë dhe asgjë më tepër.
Shkëlqim Cani: Unë iu kuptoj dhe ju duhet të na mirëkuptoni pasi nuk po noton në fonde dikush tjetër dhe fondet tuaja janë të kufizuara.
Vangjush Dako: Ne e kuptojmë që nuk ka para. Edhe Bashkia e Nju Jorkut nuk ka para. Ne kërkojmë përqindjen e qeverisë. Pse 6,5 përqind? Na jepni 10 përqind dhe jemi të kënaqur.
Shkëlqim Cani: disa çështje që ngrihen janë probleme të shoqatës. Trajtojini me shoqatën. Nuk i zgjidh dot të gjitha Ministria e Financave.
Qazim Sejdini: Ministri e tha qartë, kaq para keni. Në daç bërtisni në daç jo! Megjtihatë duhet të ndiqni dy standarte me taksat. Ose na i hiqni ose na jepni të gjitha kompetencat.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: