Nga: SILVI BAKIRI*
Pas një vështrimi të shpejtë, rutinë, që u hodha gazetave, edhe sot me gjasë, edhe në krah të këtyre rreshtave, flitet apo shkruhet, madje duke u ulëritur filan a fistek problem në Shqipëri. Por kjo s’është asgjë, krahasuar me atë që mund të dëgjosh duke përshkuar një trajektore të thjeshtë më këmbë që prej sheshit “Wilson” deri pranë Ekspozitës, apo qoftë edhe në rrugët e ish-Bllokut nga adoleshentët që kalojnë atypari, që krahas veshjes së tyre skorpionçe apo pështyrjes pa teklif në shesh, të shastisin veçanërisht me fjalorin banal, që në zhargonin e tyre ndoshta i bën edhe “cool”-erë. Në çdo metër që përshkon përgjatë rrugëve në Tiranë, një lloj “mjegulle” negativiteti të përplaset fytyrës e që për pasojë, me të drejtë ndonjëherë, na bën të mendojmë se edhe vetë ajri a smogu që frymohet këtu është ndryshe, jo si një smog metropoli normal, por si smog që duket se të bën të kërkosh terrene të tjera, të afërta ose të largëta, por “të jashtme”.
Prandaj edhe na është bërë zakon të vëmë re rëndom kur kalojmë kufirin doganor nga Shqipëria përkundrejt një shteti tjetër fqinj: rrugët, ajrin apo thënë ndryshe; “pastërtinë”. Kjo e fundit, në rastin tonë, është në maksimum e eksteriorizuar nga vetvetja “e pastër” si për shembull kur themi: “S’bëhet Shqipëria!” apo kur i drejtojmë gishtin gjithmonë “tjetrit”: media- politikës, politika-medias apo media-medias e politika-politikës dhe në fund të fundit njeriu-njeriut; për aq pak apo shumë njerëzillëk që mund të ekzistojë në këtë lloj binomi, jo gjithnjë pra kështu i lexueshëm. Ajo që më së shumti do mendoja, përballë gjithë bezdisë cingërritëse, është përfundimi logjik se: Shqipëria nuk bëhet me shqiptarët! Jo se dua të them se kjo është ndonjë gjetje kushedi, por ajo që dua të them është se “shqiptarët”, nëse do abstragoja pak prej kuptimit të parë dhe do kaloja tek ajo se ç’përfaqësojnë në të vërtetë “ata” jashtë vendit tonë, mua për shembull do më sillnin ndërmend një listë të gjatë me emra studentësh të shkëlqyer, artistësh dhe shkencëtarësh që atje “jashtë” mjegullës kapërcejnë me sukses çdo pengesë, çdo negativitet a keqdashje dhe papritmas integrohen aq mirë me “të huajt” sa që vetë ata befasohen me anën e pakëndshme të namit të “shqiptarëve”. Shqipëria nuk bëhet me shqiptarët! (…)
Nëse do të kishim besuar vërtet teorinë se sistemi korrupton individin dhe se ky individ mund të riformatohet duke ribërë sistemin, deri më tash do kishim parë ndonjë shkëndijë “lumturie” a ribërje përgjatë procesit transformues kaq beninj të sistemit. Sipas meje, duke folur në terma krejtësisht njerëzorë, si dikush që ashtu si të tjerët bashkëvuan sistemin, risistemin, pas zhbirilimit të kujdesshëm të gjendjes, ditë pas dite, thjesht duke jetuar e duke frymuar mjegullën e lartpërmendur, them se ‘modelet e lumturisë’ (duke përjashtuar këtu çdo lloj modeli sadopak utopik apo siç do preferoja ta quaja: antinjeri) këtu janë të pamundura. Pamundësia e aplikimit të një modeli optimist, jo soc-realist a larg qoftë fashist, është dhe do jetë një vrimë në ujë për sa kohë ai apo ajo: politika apo media keqpërdor pushtetin. Shqipëria do vazhdojë edhe për shumë kohë të përçojë neuroza e psikoza të tmerrshme, ndjesi frike, palumturi, varfëri deri në mjerim dhe kalbëzim të përgjithshëm të njerëzores, për aq kohë sa klasa politike nuk ndërgjegjësohet se mirëqenia në shoqëritë e zgjuara lidhet pashmangshëm me mirëqenien ekonomike, frymëmarrjen e biznesit, frymëmarrjen e individit apo thjesht përulësinë-jo si ajo e Nënë Terezës, se sa prej ripozicionimit të egos vertikalisht, që kjo të komandohet nga individi dhe jo të komandojë individin në pushtet. Por, dukshëm, arti i të ndarit të të mirave me më të dobëtin është çështje tejet poetike për antinjeriun e sotëm shqiptar.
Kjo mund të shërbejë pothuajse si aksiomë për atë 5% të popullsisë së vendit që kanë bërë sivjet aplikimin për Lotarinë Amerikane, për këdo që reciton me vete në një frekuencë goxha të përsëritur: “Ik prej këtej!” dhe veçanërisht për ata që s’e kanë vuajtur kurrë anën e errët e brutale të Shqipërisë e për rrjedhim s’e kanë idenë se ç’halle ka ky vend.
Për sa kohë nuk mendojmë, flasim dhe veprojmë ndryshe, ëndrra për një Shqipëri në Europë, si Europa, do vijojë të lëngojë në deliret e ndonjë optimisti të palogjikshëm dhe shtypi i përditshëm do vazhdojë edhe për shumë gjatë të dominohet nga vreri që sjell vrerin, ankimi që sjell ankimin, pa asnjë zgjidhje konkrete, por vetëm me retorikë dhune.

(g.b/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: