TIRANE- Për të gjithë artdashësit që dëshirojnë të kalojnë javën pranë artit, Ministria e Kulturës ka përgatitur një program mjaft të ngjeshur me aktivitete për gjithë grupmoshat.

Një sërë eventesh të ndryshme kulturore dhe artistike mbizotërojnë gjatë gjithë javës në kryeqytet, që nga koncertet, teatër, ekspozitë, por edhe filma.

Ky është kalendari i aktiviteteve që Ministria e Kulturës ka bërë me dije:

Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë dhe Galeria Kombëtare e Kosovës ju ftojnë në ekspozitën vetjake të piktorit shqiptar Zef Shoshi, në kuadër të kalendarit kulturor Shqipëri-Kosovë.
30 mars – 30 prill, Galeria Kombëtare e Kosovës.

“Muzika flet aty ku fjalët mungojnë”, nën këtë titull Ambasada Gjermane ju fton në një mbrëmje pianistike me pianistin shqiptar Marin Gjollma, i cili ka studiuar dhe jetuar për shumë vite në Gjermani. 4 prill 2017, ora 18.00 në sallën e Ambasadës.

Expocity në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes do të organizojnë për herë të parë në Shqipëri “Panairin Mediterran të Turizmit Tirana 2017”. 8-9 prill, Expocity Albania.

Fatos Lubonja, një emër i njohur i mendimit e letrave shqipe, vjen me një rrëfim ndryshe me “Letërsia dhe Qyteti”. Letërsia si një përballje me kujtesën dhe intelektuali përballë politikës, vjen në një bisedë me një protagonist që i ka bërë këto përballje me jetën e tij. 5 prill, ora 18:30, You Me & Bukowski.

Teatri i Kukullave vjen me “Frymëmarrje”.Një histori dashurie shkruar nga Macmillan, shqetësuese dhe origjinale, e sinqertë dhe aktuale. 5 prill, ora 20:00, Teatri i Kukullave, Tiranë.

“Pjata prej druri”/shfaqje Instituti i Kulturës Rome në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Projektin “Fuqizim Ekonomik dhe Social i Romëve dhe Egjiptianëve-shtysë për përfshirjen sociale” ju ftojnë në shfaqjen e dramës “Pjata prej druri”, me regji të Marjus Veizit. 10 prill, ora 18:00, Teatri Eksperimental “Kujtim Spahivogli”.

EP Premierë /Orkestra e RTSH EP-i për orkestër simfonike i kompozitorit Vasil S.Tole, kompozimi më i ri për orkestrën simfonike të RTSH-së, nën drejtimin e dirigjentit, Eno Koço.EP-i një rrëfim muzikor variacional, mbështetur në një nukle muzikor popullor arkaik. Ky kompozim mbështetet nga Ministria e Kulturës. Vetë fjala EP është shkurtimi i fjalës EPIKE. Në koncert do të interpretohet edhe simfonia në Re- e Cezar Frank dhe koncerti për violonçel e orkestër nga Saint Saens, në interpretimin e Aristidh Prosit. 7 prill, ora 19:00, salla e UA, Tiranë.

Këto dhe shumë aktivitete të tjera do të jenë për publikun që dëshiron të kalojë javën pranë kulturës.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: