Nga: KIÇO BLUSHI*
Kandidatit përsëdyti për kryetar Bashkie të Tepelenës, me emrin Tërmet, pa dashur i ka shpëtuar një thagmë. Në vend që të thoshte: “Ne (fjala është për të majtët) do të korrim më 21 qershor një fitore plebishitare”, paska shqiptuar: “Ne do të korrim një fitore publicitare”. Hollë-hollë kjo nuk është një lajthitje “e gjuhës që vete aty ku dhemb dhëmbi”, por mungesë e qashtër kulture, pasi folësi, duke dashur të tregohet sa më i kulturuar, edhe pse mirëfilli nuk ua di kuptimin dhe rrënjët dy fjalëve (të cilat nuk kanë asnjë lidhje e përafri semantike mes vedi), ka rrëfyer veten, njëlloj si ai që ka harruar të mbërthejë zinxhirin e pantallonave dhe del fodull e hijerëndë te rrapi i katundit…
E megjithatë, kandidati tepelenas ka shprehur dhe ka zbuluar naivisht e pa dashje një të vërtetë të hidhët për të gjitha zgjedhjet e zhvilluara në pluralizëm: besimin dhe synimin e krerëve të sotëm partiakë, – bindje që ka ardhur duke u përforcuar, pse jo, edhe duke u shoqëruar me shpenzime marramendëse për fushatat, – se fitoren nuk ta jep publiku që të voton e të gjykon, as gara e ndershme, as aftësitë, meritat dhe emri i kandidatit, as debatet e alternativat e paraqitura, por ta siguron më së pari sigla e partisë dhe mëpastaj publiciteti.
Kjo do të thotë që te ne mund të fitojnë vetëm ai/ajo/ata që dinë të shtiren sikur nuk janë ata që janë. D.m.th. ata që janë të aftë të shfaqen ndryshe nga ç’janë: duke dalë sa më shumë e sa më bukur përpara kamerave, duke sajuar spote, duke u veshur e stisur me luk, me reklama, me kollare të shtrenjta, duke hedhur batuta e qesëndira për kundërshtarin, duke bërë sa më shumë premtime, duke ngjitur postera e afishe, duke lyer fasada, duke puthur e përqafuar rrugëve sa më shumë pleq të braktisur e fëmijë të vobektë, etj., etj… Bash për këtë qëllim, – të një publiciteti sa më të sofistikuar e modern, – paguhen e sillen nga jashtë edhe kuratorë, të ashtuquajtur strategë të njohur fushatash, si p.sh. spin doktori i Tony Blair, Alistair Campbell, apo edhe nga hebrenjtë e Obamës…
E pra, kot thuhet që ne jemi vendi më i varfër i Evropës!
Sikur paratë që janë hedhur e harxhuar nëpër fushata të ishin derdhur në investimet publike, me siguri që do t’ua kalonin atyre që ka përfituar në këto vite Ministria jonë e Kulturës! Por ja që një thes miell kushton më pak se një votë, ashtu si një mandat deputeti apo kryetari bashkie tanimë vlen ku e ku më shumë se disa miliona euro të bëra rrush e kumbulla, të hedhura për publicitet të kësollojtë, nëpër fushata!
***
Po të dalësh këto ditë nëpër rrugët e Tiranës, do të shohësh punëtorët e bashkisë, veshur me jelek portokalli e lopatë në dorë që kanë nisur të mbushin gropat e rrugëve. Edhe pastrueset buzë Lanës, me jelek të gjelbër, nuk mungojnë. Po kështu edhe në sheshet e rikonstruktuara të disa qyteteve po zjen puna… Të vjen në buzë pyetja: Ku kanë qenë gjithë këta punëtorë në këta katër vjet? Po mbushen me asfalt gropat e lëna katër vjet në harresë jo vetëm në periferi, po edhe në qendër, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në pedonalen e “Mileniumit”, madje edhe te rrugina e pedonales që lidh Urën e Tabakëve me sallën e Kuvendit, ku hyjnë e dalin deputetët tanë.
Nuk ka votues që nuk e di se në prag fushatash edhe plehra e pisllëqe do të shihen më pak nëpër rrugë. Edhe qentë e rrugëve do të ekzekutohen netëve. Edhe të korruptuarit do të “pushkatohen” mediatikisht e moralisht, çdo natë, ashtu si të inkriminuarit, me emra e mbiemra, por ata përherë do të gjenden matanë gardhit, te kampi i kundërshtarit. Edhe kjo është pjesë e publicitetit fitimtar. Madje tejet e rëndësishme. Por të nesërmen e zgjedhjeve gjithçka harrohet… E sigurt që të gjithë sharësit e “strategët” e fushatës do të ikin në “drejtim të paditur”, me xhepat plot, duke pritur zgjedhjet e ardhme, për të fituar ndërkohë edhe ndonjë tender, post apo sekserllëk, meqë patën meritën e padiskutueshme të kthenin publicitetin në plebishit…
Jashtë Tiranës publiciteti i fushatave nëpër qytetet e vogla e katunde ka tjetër fytyrë. Bosët mediatikë janë në Tiranë, kurse në periferi janë votuesit, ata që vlerësohen si të prirur e të lindur që publicitetin ta gëlltisin pa e përtypur, as si buajt kashtën. Sepse publicitet i suksesshëm quhet edhe kur papunësinë, emigracionin, rrugët e lëna përgjysmë, mungesën e investimeve dhe të shpresës arrin t’ia faturosh kundërshtarit. Publicitet cilësohet aftësia për të larë duart dhe për t’u vetëshpallur si profet, si udhëheqës reformator e shpëtimtar, ndryshe nga pararendësi që pati bërë aq shumë dëme e zullume… (Ndryshojnë vetëm data, vitet e fytyrat, por është po ai krahasim që bënte diktatura më ‘39-tën). Publicitet sot quhen të deklarosh se, nën drejtimin tënd, ne shqiptarët vijmë për nga ritmi i lartë i zhvillimit pas Gjermanisë, paçka se brenda shtëpive nëpër qytete e katunde ka fëmijë të ngujuar, të papunë, pensionistë të mjerë që nuk blejnë dot ilaçet, njerëz që luftojnë për mbijetesë… Publicitet quhet premtimi se rrogat do të shtohen, se papunësia do të ulet, se çmimet do të bien, se rrugët e pambaruara do të përfundojnë… Dhe, po qe se nuk i realizon dot të gjitha këto, – si ka ndodhur, – dil e thuaj atë që tha Berisha para disa vitesh: Ishin premtime për fushatë… D.m.th. gënjeshtra. Por ju, o mjeranë, vërtet i besuat?
***
Kushedi sa shirita do të nisin të priten edhe kësaj here. Shirita fiktivë dhe shirita të lënë enkas për këtë fushatë. Por gjithsesi, le të mbetemi me shpresë se nuk do të gënjehemi më me shirita të rremë, punë pa mbaruar e pa paguar, si bëri vaki me mbi 700 milionë eurot e lëna borxh në buxhetin e shtetit, d.m.th. në xhepat tanë. Por nuk do të ketë mungesë shiritash dhe fjalimesh, premtime dhe tubime, luftë shifrash mitingashësh, kush kishte më shumë pjesëmarrës dhe duartrokitës, si dhe: kush e dërrmoi, kush e lëndoi, kush gënjeu e kush e poshtëroi kundërshtarin më shumë…ai me siguri që do të dalë fitimtar. “Kush je ti e kush jam unë? Kush ka vjedhur e kush ka abuzuar më shumë?”…ai/ajo do të dalë më i fituar. Sepse tekefundit ai/ajo/ata kanë fuqi dhe mundësi të pakufizuar të bëjnë publicitet më të fuqishëm, përkthyer në shqip: ata që janë të aftë të na i hedhin për të disatën herë (po të përsërit një shprehje popullore) trutë e gomarit.
E gjitha kjo trysni mediatike ndodh përgjatë dy-tre muajve, a thua se në katër vjetët para e pas zgjedhjeve Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë ekzistuar. Të nesërmen që hedhim votën, ne qytetarët kemi të drejtë vetëm të ndjekim lajmet, të bëjmë sehir, të rreshtohemi me një palë kundër tjetrit, të ripërtypim opinionet…derisa të vijnë zgjedhjet e tjera e të nisë nga e para i njëjti avaz…Për këtë, natyrisht që nuk e ka fajin ngatërresa e kandidatit të Tepelenës me fjalët “publicitare” dhe “plebishitare”, por mashtrimi i qëllimtë që bëjnë “strategët”, drejtuesit e fushatave, të cilët, nëpërmjet “publicitares” kërkojnë të fitojnë “plebishitaren”. Kjo do të thotë ta konsiderosh popullin tënd, zgjedhësin tënd, një trushkulur e trushpëlarë, më të vobektë edhe se indianët e paditur të Gabriel Markesit, që këmbenin një copë akull për flori, me kolonizatorët.
Por le të shpresojmë që zgjedhësi pas një çerek shekulli ka ndryshuar. Se votuesi, pavarësisht nga arsimimi e kultura, e ka kuptuar më në fund se sa dëmsjellës është tjetërsimi i publicitetit në plebishitet, këmbimi me klering i votës me një thes miell, ca më keq me publicitet e propagandë të kësollojtë, false, të gënjeshtërt, iluzore, si dritat rrëzëllitëse të spektakleve. Ky gabim fatal, në fund të fundit i ka ndihur, stimuluar, mëkuar e jetësuar jo vetëm në diktaturë, por dhe në këtë lloj demokracie deledash autoritarizmin, arrogancën, delirin dhe papërgjegjshmërinë e krerëve tanë.
Sigurisht, edhe prapambetjen tonë, krahasuar me të gjithë fqinjët.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: