I pandehuri, i palëvizshëm, është në këmbë përballë trupit gjykues që shpall verdiktin. Është një skenë e zakonshme në televizion e në kinema, që përsëritet çdo ditë edhe në të gjitha gjyqet e botës. Dhe çdo gjykatës, do të jepte kush e di se çfarë vetëm e vetëm që të lexonte në mendje e të kishte sigurinë se ka marrë vendimin e duhur. Është për këtë arsye që në vitet e fundit rezonanca manjetike, testet gjenetike dhe versionet e reja të makinës së të vërtetës kanë hyrë dhe bëjnë pjesë në arsenalin procedurial. Por nëse avokatët dhe ekspertët e mbrojtjes e shtyjnë në kohë zëvendësimin e ekspertëve të “llojit të vjetër” me ata të rinj, disa shkencëtarë dhe juristë dyshojnë që këta instrumenta janë me të vërtetë të dobishëm.

KRIM NË BOMBEI
Kanë kaluar vetëm gjashtë vjet nga shtatori i 2008-ës, kur një trup gjykues në Bombei të Indisë dënoi një grua për vrasjen e burrit. Ishte një process i varur nga rrethanat: e pandehura iu nënshtrua rezonancës manjetike dhe njëkohësisht një elektroencefalograme. Në bazë të provave, sipas ekspertëve indianë, gruaja kishte kujtime të lidhura me krimin, që me sa dukej nuk do t’i kishte nëse do të ishte e pafajshme.

Përdorimi i kësaj makine për të “lexuar trurin” ka ngjallur shumë jehonë në botë dhe ka ngritur kundërshtime të panumërta, duke i kthyer “projektorët” nga raporti midis neuroshkencës dhe ligjit. Që atëherë sisteme të tjera, më të rafinuara, janë propozuar edhe në Itali. Është një shpikje italiane, për shembull, “ALAT”, “version autobiografik” i “Implicit Association Test”, një provë e lindur fillimisht për të vlerësuar racizmin e pavetëdijshëm tek njerëzit. Krijuar nga Giovanni Sartori, neuropsikolog i Universitetit të Padovës, “ALAT” u përdor mbi Annamaria Franzonin, mamanë nga Cogne, e dënuar për vrasjen e djalit Samuele, si edhe mbi Stefania Albertani-in, e reja nga Komo që në 2009 vrau me gjakftohtësi motrën e saj, më pas ia dogji trupin dhe në fund, ia doli të gënjente të gjithë (përfshi edhe prindërit), për muaj me radhë.

“Në rastin Franzonit”, shpjegon Sartori, “kemi verifikuar që disa ngjarje të lidhura me vdekjen e fëmijës nuk janë të pranishme në kujtesën e të pandehurës. Do të thotë që nuk e ka kryer veprën? Jo domosdoshmërisht: mund të ketë patur edhe një amnezi. Me Stefania Albertani-n, në vend të kësaj kemi përdorur “ALAT”-in për të demonstruar që, kur pohonte se nuk e kishte vrarë të motrën, thoshte të vërtetën nga këndvështrimi i saj, pasi praktikisht ajo nuk duket se ia atriubuonte vetes atë që kishte ndodhur”. Albertani-t i është njohur pra një “faj i pjesshëm” i mendjes dhe skizofreni: burgimi i përjetshëm iu zëvendësua me 20 vjet në spitalin psiqiatrik. Vendimi, megjithatë, ka bërë shumë bujë, pasi instrumenti i përdorur nuk është konsderuar i besueshëm nga shumica e ekspertëve.

DILEMA E GJYKATËSIT
Çështja e besueshmërisë së provave është një nga pikat kyçe. Në Shtetet e Bashkuara janë vendosur disa kritere që nga viti 1923, në cështjen e famshme “Frye”, në të cilën diskutohej pikërisht mbi mundësinë e përsëritjes së poligrafit, më e vjetra nga makinat e së vërtetës. Në Itali, megjithatë, akoma nuk ekziston një ligj: gjykatësi mund të pranojë ose të refuzojë një ekspertizë mbi bazën e gjykimit personal. Pas rasteve të fundit të kronikës, megjithatë, vetë magjistratët kanë vendosur t’i referohen versionit të përditësuar nga kriteret e Frye (një provë shkencore e pranueshme vetëm nëse shumica e ekspertëve të sektorit e konsideron të besueshme; nëse është e verifikueshme apo e falsifikueshme përmes eksperimenteve, e nëse është shënuar ndaj gjykatësit përqindja e gabimit të testeve). Por detektuesit e përdorimit të provave neuroshkencore në gjyq pohojnë që pothuaj asnjëra prej tyre nuk i përgjigjet plotësisht këtyre kritereve. Është e vërtetë që alternativat janë edhe më pak të verifikueshme: “Pjesa më e madhe e ekspertizave është akoma sot e bazuar mbi intervistat e thjeshta me të pandehurin. Në krahasim me këto, teknika si neuroimazhi, por edhe teste të thjeshta njohëse me kartë e penë, përbëjnë në shumë raste një përmirësim”, vëzhgon Gabrilela Bottini, docente e neuropsikologjisë klinike e mjeko-ligjore në Pavia.

Është kjo arsyeja për të cilën gjykatësit përdorin neuroshkencat gjithmonë e më shpesh, edhe në raste në të cilat ka pak dyshime mbi diagnozën. Ka ndodhur për shembull në ekspertizën që Bottini ka kryer për Adam Kabbon, ganezin e akuzuar se kishte vrarë në 2013 me kazëm tre kalimtarë në lagjen milaneze të Niguardas. Në këtë rast nuk kishte shumë pasiguri: Kabbo vuan nga një formë e rëndë psikoze, e përkeqësuar nga të qënët i përhershëm në rrugë si dhe nga mundimet. Por është akoma një faktor tjetër që favorizon hyrjen e këtyre teknikave në Gjyqe. Një pjesë e shoqërisë mendon në fakt që paqëndrueshmëria mendore është një lloj “padrejtësie” që shpëton të “fajshmit”. Dhe gjykatësi për t’u mbrojtur ndaj kritikave kërkon prova objektive, të bazuara mbi teste që japin sigurinë se i pandehuri ka me të vërtetë shqetësime. Problemi: shumë shpesh, as neuroshkencat nuk mund të japin përgjigje njëzëri.

NJË LOB I NDËRTUAR KEQ
E vështira arrin kur në pikëpyetje për të pandehurin janë funksione komplekse si kapaciteti i të marrit vendime të ndërgjegjshme, ose që përfshijnë edhe aspekte të tipit emocional, sepse në atë rast përdoren shumë zona cerebrale. Ndodh për shembull në psikopati, një sjellje antisociale që manifestohet me mungesë ndjeshmërie, tendenca për të manipuluar të tjerët dhe dhunë. Sipas shumë kërkimeve, psikopatët e kanë zonën e trurit që përpunon emocionet (lobin limbik) të formës dhe përmasave të ndryshueshme, e më pak aktive zonat cerebrale të përfshira në ndjeshmërinë ndaj të tjerëve. “Psikopati nuk ia del të perceptojë vuajtjen që është duke i shkaktuar viktimës, as të indentifikohet me të. Prandaj ia del të kryej krime brutale dhe të përsëritura”, shpjegon Pietrini, docent i biokimisë në Universitetin e Pizës dhe ekspert i Imazherisë cerebrale, si edhe i gjenetikës së sëmundjeve neurologjike e psikiatrike. «Përballë ndryshimeve të dukshme me rezonancën manjetike, disa forma të psikopatisë kanë një nënshtresë gjenetike, që është e vlerësueshme me analizat e një numri të caktuar të gjeneve që tregojnë individët e prirur për sjellje aggressive”. Pozicioni i Pietrinit, të paktën i mbështetur nga studime të ndryshme, nuk është i përbashkët me të gjithë komunitetin shkencor. Për më shumë e njëjta diagnozë e psikopatisë është, si të thuash “eksperimentale” (në manualin që grupon sëmundjet psikiatrike, psikopatia nuk ekziston).

“Sa për gjenet që shfaqin prirjen për sjellje të dhunshme, besoj që të mohosh marrëdhënien midis tyre dhe karakterit të individidit është si të mohosh marrëdhënien midis tymit të cigares dhe kancerit vetëm sepse dikush, duke tymosur nuk sëmuret”, pohon Pietrini, që merret me një nga rastet e para në botë ku analiza gjenetike ka bërë të zvogëlohet dënimi për të pandehurin, i gjykuar në gjykatën e Triestes. “Faji i veprimeve tona kriminale nuk është i gjeneve, të jemi të qartë, por gjenet e gabuara mund të bëjnë më të vështirë kontrollin e impulseve”. Shumë nga studimet e cituara nga Pietrini kanë demonstruar në fakt që të kesh një ose pak gjene të ndryshuara mund të mos jetë një problem nëse jeton e rritesh në një kontekst të shëndetshëm e të dashur. Të njëjtat gjene që shfaqin prirje për agresivitet janë të pranishëm shpesh tek komisioner-ët – e Wall Street-it e janë ndofta origjina e suksesit të tyre në botën e vështirë të financës. Por kombinimi i një fëmijërie të varfër dhe me keqtrajtime, si dhe prania e këtyre gjeneve, duket të jetë fatale.

“NEUROSKEPTIKËT
Nëse disa gjykatës janë entuziastë për të rejat, të tjerë janë më shumë skeptikë. Si Amedeo Santosuosso, gjykatës i Trupit Gjykues të Apelit të Milanos, themelues dhe drejtor i qendrës Europiane për Ligjin, Shkencën dhe Teknologjitë e reja, duke vënë gishtin tregues në skajin e gabimit të qenësishëm në çdo test diagnostik. “Për një shkencëtar, 3 përqindëshi i gabimit është një rezultat i shkëlqyer. Por për një gjykatës është një skaj i mjaftueshëm për të aplikuar rregullin e dyshimit të arsyeshëm, që e mbron të pandehurin nëse ka një dyshim mbi fajshmërinë e tij”. Megjithatë tashmë përdoren, në hetime, teknika shkencore jo të sigurta 100 për qind, si testi i ADN-së, që ka gjithmonë një marzh të vogël pasigurie: “Eshtë e vërtetë”, shpjegon Santosuosso. “Eshtë për këtë arsye që testi i ADN-së si në rastin e fajësisë në një krim – siç demonstrojnë hetimet mbi vrasjen e Yara Gambirasio – si në të drejtën e familjes, si një rinjohje atësie, nuk mjaftojnë për të vendosur gjykimin. Nevojiten prova të tjera. Vendimet janë bërë edhe nga elementë të tjerë: nga fryma e ligjit, nga njohja e kontekstit social në të cilin kryhet çështja, përsëritjet për komunitetin në të cilin jeton i pandehuri. Shkenca dhe instrumetat e saj janë elementë të rëndësishëm, por janë një nga spirancat e fundit të një historie që, kush gjykon, do t’i duhet t’i ribëjë».
Daniela Ovadia/ilgiornale/pershtati Bota.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: