Mirel Josa, është i ftuari i përhershëm i emisionin “Euromania” të moderatores Daljana Sejdia, çdo paradite në emisionin “News 24”.

Ditën e sotme, ish-futbollisti dhe trajneri i mirënjohur, ka bërë një rrëfim special, duke treguar detaje pikante nga humbja 9-0 që Shqipëria pësoi ndaj Spanjës, në eliminatoret e Euro 1992-ët:

“Spanja në atë periudhë ka qenë një skuadër shumë e mirë, ky vit ka qenë viti 1990 që është luajtur ndeshja në Spanjë. Ne në dhjetor të 1990 kemi pasur probleme të forcave demokratike në Shqipëri, të lëvizjeve demokratike, jemi grumbulluar në Durrës në atë periudhë, në hotel “Apollonia”, hotel shumë normal.

Vetëm se në atë periudhë ne nuk kemi bërë një seancë stërvitore. Sepse skuadra ishte e grumbulluar, lëvizjet demokratike kishin filluar. Ne gjithë veshët i kishim çfarë po ndodhte për sa i përket ndryshimit të sistemit. Bënim stërvitje sa fillonte errësohej, por çfarë stërvitje. Nuk na linin qoftë në Kavajë dhe në Durrës që të stërviteshim.

Për të njohur njihnim shumë lojtarë të Spanjës, nuk ishte ndeshja e parë që luanim ndaj tyre, kishim luajtur dhe në 87-ën ndaj Spanjës. Shumë lojtarë merrnin pjesë.

Dinim kush do të luante në sulm, si do të markohen. Kishim trajner të ndjerin Agron Sulën, na nxirrte i shkreti në stërvitje, edhe fillonim vraponim bregut të detit, gjithsecili me terezinë e vet. S’kishte ç’bënte, na priste diku larg 1 km.

Në atë moment u fut një frymë rinovimi në skuadër, unë isha 27-vjeç. Ndaj Spanjës, për herë të parë ka luajtur Bledar Kola në formacion. Ekipi pësoi 3 gola në pjesën e parë, 6 në pjesën e dytë. Mbaj mend që më tha Lekbello, po ju pse u futët, më mirë të kishim ndenjur ne, ti kishim ngrënë të 9 golat”, u shpreh Josa.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb