Deri tani, sasia e stokut të krijuar nga moseksportimi i bimëve mjekësore për shkak të rënies së çmimit dhe mungesës së tregjeve është rreth 4 mijë tonë. Pjesën dërrmuese të stokut të pashitur e zë bima e sherbelës e Malësisë së Madhe, përkatësisht 80% e saj është e kultivuar dhe 20% e egër. Të pashitura kanë mbetur edhe dëllinja e zezë, molla e kuqe dhe çajra të tjera.

Filip Gjoka, kryetari i Shoqatës së Eksportuesve të Bimëve Medicinale dhe Aromatike, tha për “Monitor” se sasia e stokut të krijuar nga mosshitja konsiderohet e lartë, duke zënë 20% të vlerës prodhuese të kompanive. Gjoka thekson se kjo situatë është krijuar tërësisht nga zhvlerësimi i monedhave të huaja Euros dhe Dollarit, të cilat kanë ulur çmimin e shitjes së bimëve mjekësore.

Në harkun e një viti, dollari është zhvlerësuar rreth 12%, ndërsa monedha europiane është zhvlerësuar 9%. Zhvlerësimi i lartë i dollarit ka ndikuar sipas kompanive eksportuese në rënien rreth 20% të çmimeve të shitjes, pasi të gjitha kostot për industrinë janë në lekë dhe shitjet në monedhën e huaj.

Kreu i Shoqatës Filip Gjoka tha se në këtë situatë është tepër e domosdoshme që fermerët të orientohen nëpërmjet një fushate ne bashkëpunim edhe me institucionet shtetërore për bimët që duhet të kultivohen, pra për ato që mund të gjendet treg shitje, siç është rasti i bimës së sherebelës që shumica e saj ka mbetur stok. Mosshitja e bimëve të kultivuara sipas tij ka nisur të demotivojë fermerët.

Sakaq Gjoka shtoi se për zgjidhjen e kësaj situate Shoqata e Eksportuesve të Bimëve Medicinale dhe Aromatike ka nisur të ndërmarrë një sërë takimesh me institucionet shqiptare, duke përfshirë edhe takime me përfaqësues të ambasadave e huaja (takimet me ambasadat e huaja nisin ditën e enjte) me qëllim promovimin dhe nxitjen e shitjes së produkteve shqiptare.

“Sasia e stokut të krijuar nga mosshitja është e lartë, duke zënë rreth 20% të vlerës së prodhimit të kompanive eksportuese. Mendoj se kjo ka ardhur tërësisht nga rënia e cmcimeve në tregjet e huaja e ndikuar nga zhvlerësimi i lartë i dollarit dhe kërkesës pas pandemisë së Covid-19. Do të nisim një sërë takimesh me institucionet shtetërore si dhe ambasadat e huaja me qëllim provimin e produkteve shqiptare, si një ndër masat për ulur sadopak stokun e krijuar. Është sfidë për këtë sektor të gjenden të gjitha mekanizmat për “shfryrjen” e stokut të lartë të krijuar”, pohoi z. Gjoka.

Ulje e çmimeve është ndikuar edhe nga rënia e fortë e kërkesës për bimë medicinale në tregjet europiane  dhe atë të SHBA-ve. Deri në fund të muajit dhjetor 2023 operatorët raportuan se kërkesa në tregjet e huaja ra 50% krahasuar me 2022, e ndikuar tërësisht nga mbingopja e tyre gjatë pandemisë së Covid-19. Ndërsa çmimet për bimët si sherebela, dëllinjë e zezë dhe çajra të ndryshme kanë shënuar rënie të lartë.

“Gjatë pandemisë së Covid-19 shumë kompani të tregtimit të bimëve mjekësorë, por edhe të artikujve të ndryshëm ushqimore për shkak të frikës nga masat kufizuese u furnizuan me sasi të madhe produktesh. Magazinimi i lartë krijoi stok të pashitur në tregjet amerikane, të shteteve të  Europës, por edhe Turqisë, pavarësisht se ky është vend i madh eksportues”, pohoi më herët për Monitor Kujtim Zere administrator i “Albanian Herb”.

Ai shtoi se problematika e stoqeve me ndikim te rënia e kërkesës do të zgjasë 2 vjet. Stabilizimi i tregjeve sipas do të nisë nga muaji shtator i 2024-s.

Destinacioni kryesor i eksporteve për grupin “Farat vajore, bimët industriale apo medicinale, ushqim për kafshët”  vijon të mbetet Gjermania, SHBA dhe Italia.

Në total për 2023 u eksportuan rreth 11 mijë ton produkte të grupit “Farat vajore, bimët industriale apo medicinale, ushqim për kafshët. Eksportet e periudhës janar-nëntor ranë 21% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022 sipas të dhënave të INSTAT.

Mungesa e investimeve gjithashtu vijon të mbajë në nivele të ulëta përpunimin e bimëve mjekësore.  Nga operatorët me potenciale grumbulluese, përpunuese dhe eksportuese vetëm 25% e tyre arrijnë të nxjerrin produkt final të përpunuar, kurse 75% e tyre u shitën si lëndë e parë pa u përpunuar, duke humbur në pjesën të madhe të vlerës që mund të ngelej në ekonominë vendase./D.Azo

Burimi: INSTAT
Burimi: INSTAT/Monitor

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: