Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e 250-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, duke vlerësuar ndikimin historik të Deklaratës së 4 Korrikut jo vetëm për kombin amerikan, por edhe për popullin shqiptar.

Në mesazhin e tij, Kurti kujton se më 4 korrik 1776 u nënshkrua Deklarata e Pavarësisë, dokumenti që shënoi lindjen e SHBA-ve dhe që vendosi në themel të shtetit amerikan parimet universale të barazisë, lirisë dhe të drejtave të patjetërsueshme të njeriut.

Kreu i qeverisë së Kosovës thekson se këto vlera kanë frymëzuar edhe historinë e shqiptarëve, duke kujtuar takimin e Fan Noli me presidentin amerikan Woodrow Wilson më 4 korrik 1918. Sipas tij, mbështetja e Wilsonit dhe parimet e njohura si “14 pikat e Wilsonit” kontribuuan në ruajtjen e shtetit shqiptar pas Lufta e Parë Botërore.

Kurti nënvizon gjithashtu rolin vendimtar të SHBA-ve në mbështetjen e së drejtës së Kosovës për vetëvendosje dhe pavarësi. Ai veçon deklaratën e ish-presidentit amerikan George W. Bush në Tiranë, më 10 qershor 2007, kur tha se “Kosova është e pavarur”, duke e cilësuar atë si një nga momentet më të rëndësishme në historinë moderne të shtetformimit të Kosovës.

Sipas Kurtit, brenda afro një shekulli, shqiptarët morën dy herë mbështetje vendimtare nga Shtetet e Bashkuara: fillimisht për mbrojtjen e shtetit shqiptar pas Luftës së Parë Botërore dhe më pas për pavarësinë e Kosovës.

Në përfundim të mesazhit, kryeministri i Kosovës shpreh urimet më të mira për kombin amerikan, duke theksuar se garantimi i të drejtave të patjetërsueshme për të gjithë njerëzit mbetet një detyrë qytetëruese për mbarë njerëzimin.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb