NGA MIMOZA KOCIU

Spektakli që po na ofrohet prej më se një jave mes LSI-së e PS-së, në fakt, mes Ilir Metës e Edi Ramës, me akuza të forta e kundërpërgjigje përçmuese, po merr tipare grotestke. Kritikat për mënyrën se si po qeveris Edi Rama ishin të parashikueshme edhe për shkak të hezitimit, të paktën publik, të Ilir Metës për të vazhduar koalicionin me të. Krejt të pritshme në kushtet kur numërimi mbrapsht për 19 prillin, afatin e fundit të regjistrimit të koalicioneve zgjedhore në KQZ, ka filluar. Zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit nuk janë aq larg sa ç’duken dhe aktorët tanë politikë, edhe këtë herë, siç kanë bërë këto 26 vite, po kërkojnë një shans të ri për të na qeverisur, pavarësisht bilancit të asaj çfarë na kanë ofruar.

Pasiguritë për të vazhduar koalicionin me Edi Ramën, LSI po i shfaq duke e diskretituar kryeministrin. Në pamje të parë, kjo është një lëvizje e zgjuar taktike. Kur kostot bëhen më të larta se fitimet, çka të dëmton duhet eliminuar e në këtë rast, dëmi është përgjegjësia në këtë situatë. Dhe atë që po ndodh nën qeverisjen e Edi Ramës, partia e Ilir Metës po na e rrëfen prej disa ditësh haptas në media. Panorama e denoncuar nga LSI shkon nga abuzimi me koncesionet e me pasuritë që u takojnë brezave të ardhshëm, betonizimi i qyteteve në dëm të mjedisit e deri tek policia që bashkëpunon e i lehtëson “punën” krimit, që siguron paprekshmërinë e kanabizimit të vendit, natyrisht me dijeni e mbrojtje në nivelet më të larta vendimmarrëse.

Përfitimet e majme nga aktiviteti i paligjshëm shërbejnë për të siguruar vazhdimësinë e kësaj situate, deri në manipulimin e zgjedhjeve – tha një ministër i LSI-së, pasi krimi është veshur me pushtet, një pushtet që e mbron në këmbim të ruajtjes së karriges, që i garanton këtë mbrojtje. Pra, kemi të bëjmë me një cikël të mbyllur, që duket se funksionon në mënyrë perfekte, i mbrojtur edhe nga “dashamirësia” e burokratëve të huaj në Tiranë e jashtë saj, që ndikojnë në hartimin e raporteve, ku kjo situatë jo vetëm që anashkalohet, por më e pabesueshmja, shënohet si punë e paqme, edhe në terma krejt burokratikë. Këto raporte janë “certifikata e pastërtisë” përballë çdo kritike a akuze. Konkluzioni: me letra jemi në rregull, qentë le të lehin e karvani të shkojë përpara. E nuk ka rëndësi, nëse tek kjo kope fut edhe aleatin kryesor, me të cilin qeveris së paku de jure.

Partia e Ilir Metës po lëshon akuza tepër të forta ndaj Edi Ramës e vartësve a bashkëpunëtorëve të tij, të cilat në çdo vend të botës do pasoheshin nga dorëheqje, nga kallëzim penal a nisje hetimi, qoftë edhe nga prokuroria për çka u denoncua publikisht nga eksponentë të lartë shtetërorë. Por në Shqipërinë e qeverisur nga Edi Rama ndiqet rruga më e thjeshtë dhe e volitshme, larg sqarimit, transparencës a llogaridhënies. Ai që akuzon konsiderohet një qen si të tjerët, që duhet përçmuar publikisht, edhe pse nuk bën dot pa të. Kjo situatë është ilustrimi i radhës, se sa anormale janë institucionet e këtij vendi, bashkë me njerëzit që i kryesojnë, se si ata që kanë marrë votat për të qeverisur nuk ndjejnë pikë përgjegjësie për mënyrën se si sillen edhe publikisht. Krimi i veshur me pushtet po denoncohet hapur, me zërin e atyre që bashkëqeverisin, e kjo po përcillet si lojë politike. Në fakt, deri diku bën sens. Sa i besueshëm bëhet një akuzator me pushtet?

Çfarë e pengon të largohet nga një situatë kaq flagrante dhe sa dinjitoze është qëndrimi në pushtet në këto kushte, e akoma më keq qaravitja nga karrigia e pushtetit? Nga një politikan që ka 26 vite jetë politike e ka qenë dy herë kryeministër pritet më shumë se kaq. Të aspirojë postin e kryeministrit përsëri nuk ka asgjë të keqe, edhe kur numrat janë një faktor kundër. Ilir Meta na e ka treguar se forca e tij është shumë më e madhe se numrat që ka marrë nëpër proceset zgjedhore. Për pasojë distancimi me fjalë nuk mjafton më, sepse nuk është as në opozitë e as pjesë e medias. Teksa Ilir Meta ende nuk po duket i qartë në strategjinë e tij, publiku po injektohet në mënyrë efikase se kjo është “mëria” e radhës e LSI-së, që kërkon nga Rama shumë më tepër se c’i takon, e se akuzat e saj janë thjesht inat i pazarit që nuk shkon si duhet.

A nuk nënkupton pikërisht këtë, etiketimi i reagimeve të LSI-së “lojëra politike” nga numri dy i qeverisë? Duhet pranuar se kjo nuk i bën aspak të pabesueshme akuzat e artikuluara nga partia e Ilir Metës, sepse nuk ka thënë asgjë më shumë se ç’flitet e thuhet korridoreve të politikës e medias, e deri në nivel qytetarësh të zakonshëm. Çka duket e pabesueshme është paralajmërimi që iu bë zyrtarëve të lartë të LSI-së, siç doli në media, se duhej të ruheshin pasi policia mund t’u inskenonte situata të paligjshme, me vendosje droge a armësh nëpër makina, për t’i diskretituar a arrestuar.

Nëse këto praktika mafioze mund të përdoren ndaj rivalëve politikë, ato nuk do kursejnë çdo person që nuk i pëlqen qeverisë, përfshi edhe gazetarët. Nëse LSI po i paralajmëron e mbron eksponentët e vet, kush mbron pjesën tjetër të rrezikuar, nëse vërtetë përdoren praktika të tilla? Si mund të bëhet sehir kur sheh, dëgjon a vërteton të keqen që gërryen themelet e shtetit, të institucioneve e të heshtësh për hir të çfarë? Pushtetit? Po aq e pabesueshme duket siguria e Edi Ramës se këto akuza kaq të forta e publike të artikuluara nga aleati i vet kryesor mund të kalohen lehtësisht, duke e futur Ilir Metën në kopenë e qenve që lehin, apo në “frontin e së keqes”.

Për pasojë, pa u sqaruar nëse akuzat e partisë së Ilir Metës janë qejfmbetje e një pazari që nuk po shkon si duhet, apo vullnet politik e institucional për t’i thënë ‘ndal’ veshjes së krimit e trafiqeve me pushtetin e marrë në çdo formë nga qytetarët e këtij vendi, kjo shfaqje e përditshme brenda qeverisjes mbetet një sprovë muskujsh, ku asnjëra palë nuk është viktima. Viktima, e pambrojtur madje, janë vetëm qytetarët e këtij vendi, të majtë, të djathtë a pa preferenca politike. Atyre po u tregohet edhe publikisht me zë e figurë, se si po u vritet ditë pas dite çdo rreze shprese për të ardhmen në këtë vend, sa kohë që denoncimet nuk shoqërohen me akte veprimi. Ky është testi i besimit! Të tjerat mbeten thjesht lojëra politike.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: