TIRANE- Rreth 5 mijë persona janë përfitues të statusit të naftëtarit, i miratuar të enjten në Kuvend me 80 vota. Pr/ligji, i inicuar nga grupi parlamentar i PDIU-së, synon t’i kthejë dinjitetin punonjësve të industrisë së naftës dhe gazit.

Statusi parashikon pagën, sipas kontratës kolektive të punës, që nuk mund të jetë më e ulët se 150 % e pagës minimale në shkallë vendi; shtesë pensioni në masën 1% për çdo vit pune, por jo më shumë se 40% të pensionit të pleqërisë; ulje të moshës së daljes në pension për persona që gëzojnë statusin e naftëtarit: për burrat mosha ulet deri në 60 vjeç, ndërsa për gratë deri në 55 vjeç.

Statusi për naftëtarin parashikon gjithashtu trajtim mjeksor dhe social falas në institucionet publike apo private, pushim vjetor shtesë, etj.

Gjithashtu, Kuvendi miratoi sot me 78 vota pro dhe 1 abstenim disa ndryshime në ligjin “Për hidrokarburet”, që parashikon krijimin e Institutit Shkencor të Hidrokarbureve, si institucion këshillimor për të gjitha problemet shkencore në këte fushe në Shqipëri.

Ndërsa pr/ligji “Pёr nxitjen e pёrdorimit tё energjisё nga burimet e rinovueshme” u miratua me 78 vota, ratifikimi i konventës “Për mbrojtjen e individëve në lidhje me përpunimin automatik të të dhënave personale” u kalua me 77 vota.

Aderimi i Shqipërisë në marrëveshjen për masat e shteteve portuale për të parandaluar peshkimin e paligjshëm u miratua me 79 vota, ndërsa ratifikimi i memorandumit të mirëkuptimit mes palës shqiptare dhe Bashkimit Evropian, për pjesemarrjen e Shqipërisë në programin e Drejtësisë së BE-së kaloi me 78 vota.

Kandiatura e Adriatik Begos si anëtar i Bordit të Komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë u miratua me 75 vota pro, 1 abstenim dhe 1 kunder.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb