VLORË

Partia Socialiste mbyll këtë mbrëmje fushatën elektorale të 25 prillit. Mitingu i fundit elektoral mbahet në qytetin e Vlorës.

Në nisje të takimit, kryeministri Edi Rama është shfaqur mes turmës së njerëzve, i shoqëruar nga djali i tij i vogël, Zaho.

Mitingu është hapur nga drejtuesi politik i PS në Vlorë, Damian Gjiknuri, i cili tha se vlonjatët duhet të votojnë socialistët për Vlorën turistike.

Damian Gjiknuri: Kudo ku shkonim, qytetarët më thonin “Damian, sigurisht që do të votojmë për ju, se Vlora ka ndryshuar”. Ju them se kësaj radhe keni një mundësi me votën tuaj, votoni për Vlorën turistike. Vlora e meriton, jo vetëm për historinë, as për këngën e për lavdinë, por për herë të parë lavdia, kënga, po përqafohen me zhvillimin. Makina jonë është nisur drejt një destinacioni, disa gjëra mund t’i kishim bërë më mirë. Atyre që presin legalizimin ju them të kenë besim te ne, ne ishim ata që legalizuam 200 mijë banesa dhe do ta vazhdojmë deri në fund këtë proces. E dimë që ka pensionistë që presin t’iu rritet pensioni. Na kuptoni, ndodhi tërmeti, ndodhi pandemia, por Edi Rama dhe qeveria e tij ju erdhi në ndihmë, ju erdhi me vaksinën falas, kur ju kishit nevojë. Jam i bindur që në mandatit tjetër patjetër që do të rritet pensioni i tyre. Ne nuk jemi si këto dy makina të ndryshkura, PD e LSI, që do t’i hedhim në kosh.

I keni parë si janë tërbuar. E keni parë Presidentin, që na erdhi e ngriti çadër këtu në Vlorë. Për çudi, cdo njeri që kapet duke blerë vota, qëllon i LSI, atëherë çfarë kryengritje do ky. I themi atij se vlonjatët të presin sipas kostumit dhe të përcjellin sipas mendjes. Nuk merr asnjë votë këtu. Po t’i kishin punët në terezi, nuk do të tërboheshin. Të gjithë në votime, t’i japin përgjigjen e duhur. Vlora ta bëjë fora”, tha Gjiknuri.

Ndërsa një mesazh e ka dhënë dhe kryesuesja e listës së PS në Shkodër, Edona Bilali, e cila iu bëri thirrje jo vetëm vlonjatëve, por edhe shkodranëve e të gjithë shqiptarëve, që të votojnë kryeministrin Edi Rama dhe mos ta lënë t’iu ikë.

Edona Bilali: Unë jam e bindur se edhe në Vlorë do ketë njerëz të pakënaqur, do ketë varfëri, por votoni kryeministrin me e çu Shqipërinë përpara. Prandaj, vlonjatë mos e leni kryeministrin me ik, se ik ai. Nëntë mandate për PS dhe shkodranë të dashur të rreshtohemi edhe ne njëherë të vetme për me ja dhënë një dorë, jo kryeministrit e qeverisë, por vendit. Vota të dielën është për të ardhmen tonë, prandaj ju lutem shkodranë, vlonjatë, shqiptarë, njëherë të vetme niseni nga vetja, sepse prite Zot, nëse bëjmë gabim e shkojmë në rrugë të keqe, s’mund ta komentojmë me faj, por fajin mund ta gjejmë vetëm te vetja.

Edi Rama Me Zahon Ne Vlore

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb