Rusia nuk ka ndërmend të ndalë luftën në Ukrainë, deklaroi sot ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, një ditë pasi u diskutua për një moratorium të mundshëm mbi sulmet ndaj infrastrukturës energjetike.
Në një fjalim para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Lavrov tha se Moska nuk do ta ndërpresë atë që e quan “operacion special ushtarak” në Ukrainë.
“Ne nuk do ta ndërpresim operacionin tonë ushtarak special”, deklaroi Lavrov, duke argumentuar se vendet evropiane kërkojnë një pauzë në luftime për ta përdorur atë për furnizimin e Ukrainës me armë.
Deklaratat e ministrit të Jashtëm rus vijnë një ditë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se ishte i gatshëm të mbështeste një moratorium për sulmet ndaj objekteve energjetike, nëse Rusia do të ndërmerrte të njëjtin hap.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump, gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, deklaroi se një marrëveshje mes Ukrainës dhe Rusisë mund të arrihet më shpejt nga sa mendojnë disa.
Megjithatë, deklarata e Lavrovit tregon se Moska, të paktën në këtë moment, nuk po sinjalizon një ndërprerje të përgjithshme të luftimeve, ndërsa diskutimet për një pauzë të kufizuar ndaj infrastrukturës energjetike vijojnë në planin diplomatik.
