TIRANË- Nënkryetarja e Kuvendit, deputetja socialiste, Valentina Leskaj e vënë këto ditë në shënjestër të akuzave të Partisë Demokratike dhe ish-kryeministrit Berisha ka reaguar nga foltorja duke sqaruar pozicionin e djemve të saj në koncesionin e hekurudhës Ballsh-Tiranë si dhe për tenderin e trajtimit psikologjik të punonjësve të OSHEE-së. Jo pak e prekur, zonja Leskaj e ka filluar fjalën e saj duke thënë se është një nënë e lumtur për fëmijët e saj. Ajo tha se të dy djemtë kanë dalë me rezultate të shkëlqyera në shkollë dhe se biznesi i tyre ka nisur para se ajo të niste politikën.

“Djemtë e mi e kanë ngritur çdo gjë me punë të ndershme e sakrificë kur nuk kam qenë fare në politikë.  Jeni mësuar me fëmijë tuajt që vinë vërdallë me emrin tuaj. Djali nuk ka marrë tender të OSHE, ja dokumenti i provës, nuk skuqeni kur gënjeni?”, deklaroi ajo.

Leskaj tha se gjatë qeverisjes Berisha dhe kur kryetar i Bashkisë së Tiranës ishte Lulzim Basha, djali i saj që punon si konsulent disa herë është ka bashkëpunaur me ta. Por sipas Leskaj, asnjë prej tyre nuk ka asnjë qindarkë të parave publike në bizneset e tyre.

Fjala e plotë e znj. Leskaj:

Kjo përgjigje nuk mund të jetë për ata që shpifin, por në respekt të opinionit publik: Harrojeni, që mund të më bëni pis apo të intimidoni, pasi kam një jetë të gjatë në politikë e jashtë saj. Edhe si Ministre, kurrë një institucion nuk ka gjetur një qindarkë para publike, të përdorur nga unë apo familja ime. E di që nuk e pranoni dot, por kjo është diferenca që ne bëjmë. Im bir është 48 vjeç. E ka nisur biznesin prej 20 vitesh kur unë nuk kam qenë fare në politikë në këto vite. Nuk ka asnjë rast që të ketë bërë një punë me para publike, 1 qindarkë të vetme. Vetëm ka paguar në shtet duke qenë një nga taksapaguesit më të rregullt. Asnjë tender. Zero ! Turp që i bini në qafë një njeriu që është model në komunitetin e biznesit. Dhe përse po e përgojoni? Se do të punojë duke marrë kredi, duke marrë një risk përsipër?! Klientët tuaj punojnë me lekë publike, por jo Arian Leskaj. Tani po përgojoni të dytin. Thoni e ka marrë tenderin e OSHEE, por ku e ka marrë? Nuk e ka marrë, gënjeni hapur, madje e ka refuzuar vetë. Ja ku është letra e refuzimit, e zezë në të bardhë. Jua vë në dispozicion të gjithë mediave dhe opinionit publik.Dhe nuk e ka refuzuar tani që dolët ju, por që në muajin Tetor.Edhe pse e dini që dokumentet janë aty, vazhdoni të thoni e ka marrë. Keni nxjerrë Bujqësinë tani. S’ka lidhje fare me paratë publike, është konsulencë ndërkombëtare me asnjë lek nga paratë publike, por si konsulent i ndërkombëtarëve. Madje, janë të vitit 2011 e 2012 kur PD ishte në Pushtet e s’ka lidhje me PS-në.

Pse mërziteni kur një djalë shqiptar bën ekspertizë me institucionet ndërkombëtare. Si shqiptare, si nënë unë do gëzohesha për çdo të ri shqiptar që është qytetar i këtij vendi, pavarësisht nga krahu politik. Por ju i godisni. Turp! Po si është e mundur që burra nga 48 e 38 vjeç, me familje, nuk duhet të punojnë në shtet se janë fëmijë të deputetit? Nuk duhet të punojnë as privat, as me partner ndërkombëtarë?

Po ç’të bëjë ? Të rrijë parazit si ca tuajt? I kërkoj Qeverisë aktuale të bëjë publike të gjitha tenderat dhe koncensionet që kanë dhënë qeveritë e të gjitha krahëve, të paktën nga viti 2000 e deri më sot dhe të hetohen edhe emrat që qëndrojnë pas tyre. Mendoni se mund të vini në pushtet përmes baltës?! E keni gabim.

 

Berisha: Djali yt kurban i Ramës, ti dorëzo mandatin. Leskaj: Ai s’ka vilë luksoze si yt bir që s’ka punuar një ditë
Në replikë me deputeten e Vlorës, Valentina Leskaj, Berisha i kërkoi të dorëzojë mandatin e deputetes, pasi djali i saj ka përfituar tendera në konflikt interesi.

“Më lejo të them se shpreh respektin tim për ty për rolin e nënës po kjo s’mund të përdorte për të mbuluar abuzimin që i jep pushteti këtyre qytetarëve. Ky shtet dhe çdo shtet tjetër ka një ligj që quhet ligji i konfliktit të interesit. Mbi bazën e tij çdo qytetar është i detyruar të përshtatë veprimet etike, afariste të familjarëve të tij. Përndryshe del që pushteti është përdorur në funksion të kësaj veprimtarie. Ky ligj ndalon anëtarët e familjeve tona të përfitojnë qoftë edhe një qindarkë të vetme nga pasuritë e shqiptarëve. Qoftë dhe një lek të vetëm.. Djemve të saj i takonte të mos merrnin pjesë në tendera nëse ligji i konfliktit të interesit nuk i lejonte ata. Kemi të bëjmë me banditë që s’njohin ligj…Justifikimi është se janë para të Bankës Botërore ato janë borxhet që shqiptarët marrin tek Banka Botërore. Po hekurudha e kujt është? A e pranoni ju moj zonjë ligjin e konfliktit të interesit? Keni kryer krim kushtetues të gjithë ju që e keni lejuar këtë…Mandati yt ka marrë fund që kur djali yt ka marrë hekurudhën për interes të Ramës është bërë kurban i Ramës. Ti dorëzo mandatin”,- tha Berisha.

 

Ish-kreu i PD-së, Berisha pohoi nga ana tjetër se ka qenë i pari politikan që ka vënë standardet, pasi sipas tij “isha i pari politikan që detyrova fëmijët e mi të deklarojnë pasurinë”.

“Në shteti ligjor, ligji është një për të gjithë. Është i njëjtë për kryeministrin, dhe qytetarin dhe deputetin, i njëjtë për fshesarin. Në shtetin e banditëve ligji nuk ekziston për ofiqarët dhe kryeministrin. Një ligj i shkelur rënë i konfliktit të interesit për ju nuk eksiton. Një ligj që nuk lejon fëmijët e zyrtarëve të lart, jo të merren me tendera, por të mos kenë as një lidhje. Ky ligj është shkelur me dhjetëra herë nga djemtë e tu. E vërteta absolute është se ky ligj është shndërruar në të kundërtën e tij, në moton e përditshme të kundërt të kësaj qeverie; organizatë qeveritare. Më e keqja është se dilet këtu, rrihet gjoksi se nuk është bërë asgjë.”, theksoi Berisha.

Ai iu drejtua Leskajt duke i thënë se “Lidhur me djalin tënd që ka ndërtuar gjithë ato pallate, dhe që jetoka në pallate të Enverit, ndoshta e ka për nostalgji. Për djalin time, them se gjatë 8 viteve ka pasur zero bashkëpunim me sektorin publik. Merret me sektor privat, në përputhje me ligjin. Berisha vendosi një standard, i detyroi fëmijët e tij që të deklarojnë të ardhurat e tyre. Ky ishte standardi i Berishës. Nuk keni gjetur një rast konkret të shkeljeve. Mandatin tuaj e quaj të ikur së bashku me atë të Kokëdhimës. Nuk do jesh vetëm, pasi do kesh shumë të tjerë me veten. Do jua nxjerrim shumë gjëra të tjera.”.

(m.k/ma.ar/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb