Një raport i inteligjencës ekuadoriane, i publikuar ditën e djeshme zbuloi lidhjet e supozuara të qeverisë së Presidentit Lasso me mafien shqiptare dhe trafikun e drogës.

Siç raportoi media “La Posta”, një hetim i Njësisë Kundër Narkotikëve vërteton “lidhjet e forta” të niveleve të larta të trafikut të drogës me administratën nëpërmjet Danilo Carrera, kunati i presidentit, i dyshuar si kryetar i komplotit të korrupsionit.

Për Carolina Andrade, një eksperte sigurie dhe inteligjence, mafia shqiptare ka zgjedhur Ekuadorin si një pikë strategjike për operacionet e trafikut të drogës, ndërsa anëtarët e saj maskohen nën fasadat e biznesmenëve të mëdhenj dhe pastrojnë pasuritë dhe promovojnë tregun e trafikut të armëve dhe njerëzve në vend.

Në një intervistë të transmetuar nga Radio Pichincha, specialistja paralajmëroi se kokaina do të transportohej nga Ekuadori përmes mekanizmave “ligjorë”.

“Kjo bëhet përmes ndryshimeve të dokumenteve dhe rrjetit të korrupsionit që bënin të mundur shmangien e kontrollit”, shpjegoi ajo.

Andrade thekson gjithashtu se dhuna në Ekuador mund të lidhet edhe me praninë e mafies shqiptare.

“Kokat mbërrijnë në Ekuador për të kryer aktivitete të ndryshme si nënkontraktimi i shërbimeve të paligjshme me grupet kriminale vendase për transport, shpërndarje dhe eksport. Shkalla e dhunës është përshkallëzuar në Ekuador vitet e fundit nga masakrat në burgje, te lufta e armatosur për territore dhe larja e hesapeve në rrugë”, shpjegoi ajo.

I gjithë ky skandal dobëson edhe më tej Qeverinë, ndërsa zëra të ndryshëm kërkojnë dorëheqjen e presidentit Lasso, një gjyq politik apo tërheqjen për t’i dhënë fund mandatit dhe për të pritur zgjedhjet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb