TIRANË

Analisti Agron Gjekmarkaj ka replikuar në “Real Story” në News24 me sekretarin e përgjithshëm të PS-së Taulant Balla për çështjen e listave të kandidatëve për deputetë, një nga temat e përballjes mes maxhorancës dhe opozitës. Gjekmarkaj tha se listat janë të mbyllura dhe paralajmëroi një masakër elektorale nga maxhoranca. Nga ana tjetër Balla tha se listat janë të hapura.

Gjekmarkaj: Z. Balla është dhe kryetar i opozitës së re në parlament. Për çështjen e listave, a janë listat e hapura, z. Balla sonte është në pozitën e rrobaqepësit të mbretit, që t’i thotë mbretit sa të bukura janë rrobat kur ai vetë e di që mbreti është lakuriq. Listat janë të mbyllura. E thënë në gjuhën popullore, kjo është një gënjeshtër, listat nuk janë hapur, përkundrazi janë blinduar dhe vetëm se ka një agresion retorikë kundër inteligjencës së qytetarëve dhe të njerëzve duke na thënë që listat janë të hapura. Ia doli kryeministri të jetë simpatik nja 2-3 javë. I mori, e përdori opozitën e re, siç di ai ta përdorë. I bëri të votojnë, i degjeneroi në një farë mënyre se tregoi që s’ka opozitë, është njësh me qeverinë se po t’i respektonte pak mund të merrte variantin e tyre për listat e hapura që ishte ku e ku më i mirë. Ata votuan se hynë në lojë. Nuk kishin qëllim hapjen e listave, ishin thjesht për t’i shërbyer.

Balla: Agron ti mund të thuash çfarë të duash, listat janë të hapura. Hyni e shikoni rastin e Kroacisë, Holandës.

Gjekmarkaj: Listat janë të mbyllura. Ajo që ka ndodhur dje është agresioni më i madh i hileve kundër rregullave. Është bërë në dritën e diellit, është bërë me arrogancë, siç di ai t’i bëjë dhe siç dinë këta t’i bëjnë. Shqetësimi është një tjetër, në qoftë se këta bëjnë kaq haptas, prishin rregullat e lojës, ndryshojnë Kushtetutën, miratojnë një kod zgjedhor siç duan vetë, çfarë janë të zotë të bëjnë fshehtas kur kanë shtetin të gjithin për vete, policë, xhandarë, kapterë, paranë e drogës, paranë e tenderëve, pushtetin lokal dhe për këtë mendoj që duhet të shqetësohen ata që janë konkurrentët e tyre, opozita politike, shoqëria dhe kushdo tjetër që kërkon rrotacion, kërkon zgjedhje fair, të lira e të ndershme dhe të gjithë ata idealistët e paktë që kërkojnë ndryshim. Dje të gjitha këto janë vënë në pikëpyetje, janë vënë në diskutim sepse unë mendoj që këta po përgatiten për një masakër elektorale. A do t’i lejojë shoqëria? Është një pikëpyetje e madhe. Ndoshta unë mendoj që kësaj radhe shoqëria do përballet, nuk do t’i lejojë për ta çuar deri në fund këtë masakër që po përgatitet. Dje ka ndodhur një grusht shteti legal dhe është vënë shtrati, korniza për të ndërtuar masakrën elektorale.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb