Donald Trump është betuar si Presidenti i 47-të i SHBA-ve në ceremoninë e zhvilluar në Capitol Hill. Marrja zyrtarisht e detyrës i parapriu vizitës fillimisht të Donald Trump dhe Zonjës së Parë, Melania, në Shtëpinë e Bardhë ku u pritën nga presidenti në largim Joe Biden dhe bashkëshortja e tij, Jill. Pas takimit shtrëngimit të duarve, ata konsumuan një çaj në dhomën ovale. Më pas çifti Biden u largua përfundimisht nga Shtëpia e Bardhë. Ndërsa eskorta Presidenciale e Donald Trump iu drejtua ndërtesës së Kongresit. Donald Trump mbërriti në Capitol Hill pas disa minutash për t’iu bashkuar ceremonisë zyrtare të betimit të tij si President i SHBA. Fillimisht u betua zv/presidenti i SHBA, JD Vance. Më pas ishte radha e Donald Trump me dorën në Kushtetutë, lexoi formulën e betimit dhe mori zyrtarisht detyrën e Presidentit të SHBA, duke u bërë i 47-ti President i Amerikës.
Presidenti 78-vjeçar në fjalimin e tij prej më shumë se 40 minutash, Donald Trump u zotua për t’i rikthyer SHBA-ve reputacionin dhe fuqinë. Ai tha se mori mbështetjen e popullit amerikan dhe u rikthye atëherë kur të tjerët reflektonin mosbesim. “Shumë njerëz mendonin se ishte e pamundur për mua të zhvilloja një kthim të jashtëzakonshëm politik, por ja ku jam sot, populli amerikan ka folur!”, tha Trump. Ajo që ndodhi në Pensilvani në vlerësimin e Donald Trump, ku ai i mbijetoi atentatit, ishte shenjë nga zoti që ai ta bënte Amerikanë sërish të madhe.
Donald Trump shpalli “luftë” emigracionit të paligjshëm dhe karteleve të drogës dhe krimit të organizuar të cilat tha se do të konsiderohen si organizata terroriste. Masa të ashpra paralajmëroi Trump në kufirin me Meksikën. Vëmendje ai i kushtoi misioneve hapësinore amerikane në Mars, por edhe njohjes së vetëm dy gjinive, mashkullit dhe femrës. Donald Trump foli për taksa të ulëta dhe nisjen e një epoke të re sa i takon kërkimeve për hidrokarbure.
Ndërsa nga aspekti gjeopolitik, Trump paralajmëroi zhvillime të rëndësishme gjatë mandatit të tij duke nisur nga rimarrja e kontrollit të kanalit të Panamasë i cili sipas tij operohet nga Kina, ndërsa anijeve amerikane iu vendosen taksa të larta, e deri te ndryshimi i emrit të Gjirit të Meksikës dhe tanimë do të quhet Gjiri i Amerikës.
Mbi të gjitha, Donald Trump bëri edhe një premtim, në fund të fjalimit të tij, kur tha se SHBA ka fuqinë të ndalojë luftërat në botë. Marrëveshja Izrael-Hamas nuk mund të kalonte pa u komentuar nga presidenti i ri amerikan. Trump tha se pengjet izraelite po kthehen në shtëpitë e tyre.
CEREMONIA NË CAPITOL HILL
ZHVILLIMET MINUTË PAS MINUTE
Ora 19.20 FOTO+VIDEO/ Joe dhe Jill Biden largohen nga Capitol me helikopter, i përcjellin Donald Trump dhe Zonja e Parë Melania
Joe Biden kishte sot ditën e fundit në krye të Shtëpisë së Bardhë. Në Kapitol, u bë ndërrimi i pushtetit. Siç e do zakoni, pas betimit të presidentit të ri Trump, çifti presidencial në largim Joe dhe jill Biden u larguan me helikopter. Ata u përcollën nga presidenti i ri Donald Trump dhe Zonja e Parë e Amerikës, Melanie Trump.
Ora 18.50 Donald Trump përfundon fjalimin: Fuqia jonë do t’i japë fund të gjitha luftërave
Gjatë fjalimit të tij historik si president i 47-të i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump premtoi një epokë të re për Amerikën, të mbushur me krenari, sovranitet dhe guxim. “Do të jemi një komb si askush tjetër. Fuqia jonë do t’i japë fund të gjitha luftërave,” tha Trump, duke theksuar angazhimin e tij për të sjellë stabilitet në një botë të trazuar.
Ora 18.39 “Do kemi misione hapësinore për në Mars”/ Trump: SHBA do marrë sërish Kanalin e Panamasë. Gjiri i Meksikës do quhet Gjiri i Amerikës
Presidenti amerikan Donald Trump, pas betimit, dha disa premtime përpara të pranishmëve. Ai tha se SHBA do të ketë misione hapësinore në planetin Mars. Trump shtoi se SHBA do të rikthejë lavdinë, duke shtuar ekonominë e territorin. Gjithashtu, Trump premtoi se SHBA do ta ketë ushtrinë më të madhe në glob.
Ora 18.15 “Sot është dita e çlirimit”, Trump: Zoti më shpëtoi jetën nga plumbi në Pensilvani që të bëj Amerikën të madhe sërish!
Gjatë fjalimit të tij të parë si presidenti i 47-të i SHBA-ve, Donald Trump iu rikthye incidentit të vitit të kaluar kur ai i shpëtoi një atentati gjatë një tubimi në Pensilvani. Trump u shpreh se beson se jeta e tij u shpëtua nga Zoti për të bërë Amerikën sërish të madhe.
“Ai plumb në Pensilvani më kapi veshin. Unë mendoj se jeta ime u shpëtua nga Zoti për ta bërë Amerikën sërish të madhe”, tha Trump.
Presidenti i SHBA shtoi se do të punojë për të kaluar çdo krizë në fuqi, ndërsa do të lëvizë me shpejtësi për të rikthyer shpresën, paqen dhe sigurinë, ndërsa e cilësoi ditën e sotme, 20 Janarin 2025 si ditën e çlirimit.
“Do të punojmë për të kaluar çdo krizë me fuqi, do të lëvizim shpejt për të rikthyer shpresën, paqen, sigurinë, për çdo qytetar të çdo race, besimi. Sot është dita e çlirimit”, tha ai.
Ora 18.10Fjalët e para të Donald Trump si president i SHBA: Epoka e artë fillon tani. Çdo ditë do të vendos Amerikën të parën!
Donald Trump ka mbajtur fjalimin e parë pas rikthimit si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës brenda sallës së inaugurimit në Kapitol. “Epoka e artë e Amerikës fillon tani. Nga sot vendi ynë do të respektohet sërish në gjithë botën. Askush nuk do të përfitojë nga ne më. Çdo ditë gjatë administratës time do të vendos Amerikën të parën. Sovraniteti ynë do të rikthehet, shkallët e drejtësisë do të ribalancohen. Përdorja si armë e departamentit të drejtësisë do të marrë fund. Prioriteti ynë do të jetë të krijojmë një shtet të lirë, të begatë. Amerika do të jetë më e madhe, më e fuqishme se kurrë”, u shpreh ai.
Ora 18.05 Donald Trump zyrtarisht President i SHBA

Ora 18.00 JD Vance betohet si zv/president i SHBA

Ora 17.35 Donald Trump mbërrin në Capitol Hill
Ora 17.30 Biden dhe Harris hyjnë në Capitol Hill
Ora 17.20 Nga Elon Musk te…familjarët e Trump
Miliarderi Elon Musk është i pranishëm mes të ftuarve në ceremoninë e inaugurimit të Donald Trump. Bosi i Tesla ishte ndër mbështetësit kryesorë të Donald Trump gjatë fushatës zgjedhore.

Mediat ndërkombëtare fiksojnë edhe pamjet e familjarëve të Donald Trump, nga Donald Trump Jr. dhe Eric te Ivanka Trump e bashkëshorti i kësaj të fundit, Jared Kushner, të cilët duken mes të pranishmëve.

Ish-presidentët amerikanë George Bush, Barack Obama dhe Bill Clinton kanë mbërritur në Uashington për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Donald Trump si presidenti i 47-të i SHBA-ve.
Bush dhe Clinton janë shoqëruar nga bashkëshortet e tyre Laura dhe Hillary, ndërsa Michelle Obama ka munguar në ceremoni.
Ora 17.00 Nis ceremonia zyrtare në Capitol Hill
Ora 16.47 Biden lë përfundimisht Shtëpinë e Bardhë
Presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, la përfundimisht Shtëpinë e Bardhë, duke u nisur bashkë me presidentin e zgjedhur, Donald Trump, drejt Kongresit, ku do të zhvillohet ceremonia e inaugurimit të Trumpit.
Biden shërbeu në këtë post një mandat katërvjeçar.
CNN raporton se Biden i la një letër Trumpit në Zyrën Ovale.
Ora 16.35 Trump i drejtohet Kapitolit
Pas takimit me Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump iu drejtua Kapitolit. Eskorta Presidenciale po udhëton për tek ndërtesa e Kongresit ku do të zhvillohet ceremonia e inaugurimit të tij. Pas betimit si president i SHBA, Donald Trump do t’i drejtohet kombit me një fjalim.
Ora 16.29 Putin uron Trump për marrjen e detyrës si president: Moska është e hapur për dialog me SHBA-të
Presidenti rus Vladimir Putin i dërgoi urimet më e tij Donald Trump disa orë përpara inaugurimit të tij në Uashington si presidenti i 47- të i Shteteve të Bashkuara. “Ne e përgëzojmë Donald Trump për hyrjen në zyrë… Moska është e hapur për dialog me Shtetet e Bashkuara që do të ndërtohet mbi baza të barabarta dhe reciprokisht të respektueshme”, tha Putin gjatë takimit të Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes së Rusisë të hënën.
Ora 16.15 “Mirë se vini në shtëpi”, zbardhet biseda mes Trump dhe Biden në Shtëpinë e Bardhë
Presidenti Joe Biden dhe zonja e parë Jill Biden kanë mirëpritur Presidentin e zgjedhur Donald Trump dhe Melania Trump në Shtëpinë e Bardhë pas një shërbimi në Kishën Episkopale të Shën Gjonit.
“Mirë se vini në shtëpi”, i tha Biden Trumpit, raporton CNN.
Zakonisht pas shërbimit të mëngjesit, presidenti i zgjedhur, zëvendëspresidenti i zgjedhur dhe bashkëshortët e tyre zakonisht vizitojnë Shtëpinë e Bardhë, ku presidenti i zgjedhur dhe presidenti në largim mbajnë një takim të shkurtër privat.
Ora 16.01 FOTO/ Donald Trump dhe Zonja e Parë, Melania mbërrijnë në Shtëpinë e Bardhë, priten nga çifti Biden
“Presidenti i zgjedhur Donald Trump së bashku me bashkëshorten e tij Melania Trump e nisi ditën e ceremonisë së betimit Presidencial me një vizitë në Kishën e Shen Gjonit ne Washington DC. Presidenti i zgjedhur Trump mbante veshur një pallto të gjatë ngjyrë të zezë ndërsa bashkëshorta e tij Melania kishte veshur një kostum shik në nuancë blu të errët.
(BalkanWeb)