Humbja me Teutën në javën e fundit të kampionatit është lanë pas krahëve dhe në Korçë po mendojnë për ndeshjen e radhës ndaj Kukësit, një tjetër takim delikat dhe shumë i rëndësishëm për ecurinë e gjithë sezonit në radhët e korçarëve.

Dukshëm që e gjithë situata është përqendruar te sigurimi matematikor i mbijetesës dhe më pas tek vendi i katërt që mbetet ende i hapur por i vështirësuar mjaft. Një gjë të tillë sipas të gjitha gjasave e ka shkaktuar humbja e fundit me Teutën ndaj edhe për këtë në Korçë janë disi më të tensionuar. Për kapitenin Dean Liço, Skënderbeu duhet të lerë dhe po përpiqet të lerë pas humbjen ndaj Teutës duke menduar vetëm për pikët e radhës.

Një humbje e cila rëndon edhe për vetë faktin se Korçarët nuk dolën në asnjë moment në lojën e tyre. “Humbja ndaj Teutës në Korçë për mënyrën se si erdhi jo vetëm për rezultatin por edhe për lojën e zhvilluar nga ne në fushë e mbi të gjitha për situatën që krijoi në renditje ka qenë vërtet diçka negative që ne e kemi vuajtur shumë. Duhet të ndalemi atje pasi kemi një ndeshje përpara dhe duhet të përqendrohemi te ky takim. Çfarë ka kaluar ka kaluar tashmë dhe nuk kemi pse të vijojmë të jetojmë me meraket e së shkuarës. Ishte një ndeshje që duhet ta kishim menaxhuar më mirë në fushën e lojës dhe të vijonim të besonim tek forcat tona. Teuta kishte më shumë dëshirë dhe grintë në këtë takim, është diçka që duhet ta pranojmë. Ndaj na diktoi lojën e saj dhe mori atë që kërkonte në Korçë. Le të na kthehet në mësim kjo ndeshje e humbur me qëllim që të mos përsërisim të njëjtën gjë në takimet e mbetura”, theksoi Dean Liço për ndeshjen e humbur ndaj Teutës.

KUKËSI – Ndeshja e radhës në kampionat për Korçarët është ajo e transfertës ndaj Kukësit. Një ndeshje delikate që për Skënderbeun vlen shumë për të mos pasur ankthet e mbijetesës në katër javët e fundit të kampionatit. Edhe për kapitenin Dean Liço kjo ndeshje është shumë e rëndësishme ndaj duhet një Skënderbe i përqendruar dhe i gatshëm për të sakrifikuar duke mos e nënvlerësuar në asnjë moment kundërshtarin.

“Ndeshja ndaj Kukësit në fundjavë është një takim shumë i rëndësishëm dhe delikat. Kjo për vetë faktin se Kukësi është një ekip që ka cilësi dhe ka treguar se di të bëjë mirë në ndeshjet e fundit. Ata kanë një objektiv që i mban ende në garë dhe ne kemi objektivin tonë. Ndaj do të bënim gabim nëse do të nënvlerësonim kundërshtarin. Është një ndeshje shumë e vështirë që duhet të interpretohet me shumë kujdes dhe përqendrim. Në të kundërt do të kemi shumë probleme për javët e mbetura. Këto ditë po mundohemi të përgatisim ndeshjen me shumë qetësi dhe impenjim maksimal. Shpërqendrimi më i vogël mund të na kushtojë shumë ndaj duhet një ekip i bashkuar dhe në ditën më të mirë të mundshme. Normalisht që jemi gati për të bërë diçka të tillë dhe do të hyjmë në fushë me këtë mentalitet”, theksoi kapiteni i Skënderbeut.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb