Britania e Madhe vendosi sot sanksione ndaj 29 personave dhe subjekteve në industrinë ruse të arit dhe naftës, pasi synon financat e Kremlinit që mbështesin luftën në Ukrainë.

Individët dhe entitetet e sanksionuara përfshijnë një rrjet me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe që Britania thotë se është përgjegjëse për dërgimin e më shumë se 300 milionë dollarëve të ardhura nga ari në Rusi.

Britania vendosi gjithashtu sanksione ndaj dy prodhuesve më të mëdhenj të arit të Rusisë, Nord Gold Plc dhe Highland Gold Mining Ltd, si dhe oligarkëve Vladislav Shviblov dhe Konstantin Strukov.

“Sanksionet e sotme do të godasin ata që i kanë ofruar ndihmë (presidentit rus Vladimir Putin) duke e ndihmuar atë të kufizojë ndikimin e sanksioneve tona mbi arin rus dhe naftën ruse – dy burime vendimtare të të ardhurave për makinën ruse të luftës,” tha sekretari britanik i shtetit James Cleverley.

Londra vendosi gjithashtu sanksione ndaj firmës tregtare të energjisë Paramount Energy & Commodities DMCC, duke thënë se Rusia përfitoi nga struktura e saj e paqartë e pronësisë për të zbutur ndikimin e sanksioneve të lidhura me naftën.

Masat e fundit kanë për qëllim parandalimin e individëve dhe subjekteve që ndihmojnë Rusinë, sipas Londrës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb