Komedia “Madërgona” e Nikolo Makiavelit vjen këtë fundjavë në Teatrin Kombëtar. Me regjinë e Vasil Makoçit dhe interpretimin e Amos Zaharisë, Neritan Liçajt, Mehmet Xhelilit, Adriana Tolkës etj, pjesa risjell rilindjen italiane dhe kurthet e saj politiko-shoqërore në Firencen e Mediçëve dhe republikës.

“Makiaveli e shkroi veprën ndërsa ishte i syrgjynosur në Republikën e Firencës kur erdhën Mediçët. Qëllimi kryesor i komedisë është argëtimi por për publikun, ajo do të shërbejë edhe si çengel për të kuptuar Makiavelin dhe Rilindjen italiane. ‘Madërgona’ është parë si një përshtatje e parimeve politike të ‘Princit’ në artin e komedisë”, u shpreh regjisori Vasil Makoçi.

Vepra e shkruar kur autori ishte në ekzil, bashkon një avokat të mefshtë, një dashnor të pasigurtë dhe një parazit të ligë. Një grua, një klerik, një kishë, një melhem, i japin komedisë shtratin artistik ndërsa linjat ngërthejnë interesa e mesazhe, ku ceket edhe reforma në drejtësi.

“Nuk është se ka shumë lidhje me reformën në drejtësi komedia, është shumë përtej saj. Ka ide më gjithëpërfshirëse për jetën, filozofinë e jetës, për politikën, për shoqërinë e marrëdhëniet në shoqëri e në familje. Pjesa që kritikët thonë se është edhe ajo alegori politike ku futet dashuria, intriga e dashuria, erosi e pasioni”, deklaroi aktori Mehmet Xhelili, i cili luan rolin e avokatit Niçe:

Shfaqja është ne skenën e Turbinës me 30 dhe 31 korrik dhe më pas rikthehet në shtator, me muzikën, linjat minimaliste, forcën e tekstit dhe humorin, dredhitë e intrigat që grishin publikun drejt sallës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb