Kjo na mungonte shumë. Në ditën e parë të lehtësimit të kufizimit në një pjesë të Spanjës, Jesus Vazquez, 51 vjeç, i kënaqur ndodhet i ulur në tarracën e një kafeneje në Tarragone.

”Pas rreth dy muajve të një kufizimi shumë të rreptë, ne i vlerësojmë kaq shumë këto kënaqësi të vogla”, theksoi ai pasi porositi një sanduiç dhe një birrë.

Ata janë katër, të ulur në tryezë, të gjithë në një qoshe për të ruajtur distancën e sigurisë.

Djali i tij, Alejandro, mezi pret të mbarojë ditën e tij të punës për t’u takuar me miqtë e tij.

“Ne do të takohemi në fund të ditës për të bërë një shëtitje dhe për të ngrënë diçka. Kishim shumë dëshirë, pasi kanë kaluar dy muaj që kur jemi parë për herë të fundit njëri-tjetrin”, theksoi ai.

Ky qytet bregdetar i Katalonjës është pjesë e gjysmës së Spanjës, autorizuar për të kaluar në fazën e parë të lehtësimit të kufizimit.

Madridi dhe Barcelona, dy qytetet më të mëdha në vend dhe më të prekurit nga pandemia, janë përjashtuar nga ky lehtësim.

Lehtësimi i kufizimit në Spanjë, që do të jetë shumë gradual deri në fund të muajit qershor, përmban tri faza.

Kalimi nga një fazë në tjetrën varet nga zhvillimi i epidemisë që ka shkaktuar 26 744 të vdekur në vend.

Në zonat e autorizuara për të kaluar në këtë fazë të parë, takimet deri në 10 persona janë të lejuara.

Dyqanet e vogla, kishat, muzetë dhe tarracat e bareve dhe restoranteve mund të rihapen, por gjithmonë duke kufizuar numrin e vizitorëve në një pjesë të kapacitetit të tyre.

Sipas bilancit të fundit të publikuar sot nga ministria e Shëndetësisë, Spanja ka regjistruar 123 të vdekur nga virusi në 24 orë, 20 më pak se të dielën.

Në total, 227 436 raste janë konfirmuar me COVID-19 në vend, një prej më të prekurve në botë nga pandemia.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: