Gugash Magani dha dorëheqjen nga drejtimi i Teutës pas humbjes së sotme me përmbysje 2-1 në Lushnjë.

“Duke parë situatën në të cilën jemi, mendoj ta mbyll këtu me Teutën. Nuk kam motivim të vazhdoj më me gjithë respektin që kam për të gjithë njerëzit që e duan Teutën dhe kryesisht presidentin. Trajneri i ri që do vijë duhet t’u këpusë kokën 4-5 senatorëve sepse kanë dhe ata përgjegjësi përveç meje”, tha ai pas ndeshjes për “Supersport”.

Pse nuk e bëtë ju këtë gjë? Jeni zemërbutë?
“Unë nuk e bëra këtë punë prandaj po jap dhe dorëheqjen. Nuk ka të bëjë fisnikëria, trajneri paguhet për të zgjedhur. Ka lojtarë që janë frikacakë, nuk kanë as uri për të fituar. Nuk i ‘preva’ kokën këtyre senatorëve prandaj jam në këto pozita.”

“Jam shumë i mërzitur sepse filluam një projekt me njerëz seriozë, por vjen një moment që nuk tërhiqem zvarrë. Edhe pse nesër jam pa punë, nuk tërhiqem. Nuk pres që të marr paratë deri në fund të kontratës apo të më shkarkojnë.”

A e keni komunikuar vendimin tuaj me presidentin Hasanbelliu?
“E di që ai do mërzitet, sepse një javë më parë isha gati të dorëhiqem, dhe më kundërshtoi duke mos më lënë, por tani marr përgjegjësitë mbi supe, dhe unë si profesionist po i marr këto përgjegjësi.”

Në fund edhe një batutë për punën e re…
“Edhe pse pa punë, refuzoj të vij tek studio juaj si analist, sepse refuzoj të komentoj punën e kolegëve të mi”./panoramasport/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: