Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, iu bëri thirrje të gjithë kolegëve deputetë, që të votojnë ndryshimet kushtetuese për zgjatjen e afateve të organeve të Vettingut.

“I ftoj kolegët e mi deputetë pa dallim politik, që vota e sotme të mos marrë vetëm mazhorancën, por siç u votua në mesnatën e 22-23 korrikut, do ishte në nderin e këtij Kuvendi që të marrë 140 vota”, tha Manja.

Më tej, Manja sqaroi arsyet pse duhet votuar zgjatja e Vettingut deri më 31 dhjetor 2024, teksa shtoi se Vettingu është elementi thelbësor i Reformës në Drejtësi dhe ka dhënë rezultate të prekshme, të cilat duhet të vazhdojnë.

“Ky vizion gjithëpërfshirës i reformës kishte për qëllim rikthimin e besimit të publikut te sistemi i drejtësisë dhe u realizua përmes ndryshimesh kushtetuese. Tashmë është realitet i prekshëm nga qytetarët. Reforma ka arritur një arkitekturë të re tërësisht funksionale, me prokurorinë e përgjithshme, SPAK dhe BKH. Për të vazhduar pastaj me Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, që tashmë janë funksionale. Rezultatet e procesit të Vettingut janë jo vetëm të prekshme, por edhe të certifikuara, duke kaluar testin që iu nënshtruan. Është e qartë që për shtyllën kryesore të reformës në drejtësi, që është Vettingu, tashmë nuk ka kthim pas, sepse jemi në metrat e fundit të këtij procesi spastrimi.

Pavarësisht vonesave që ka paraqitur ky proces, reforma në drejtësi dhe Vettingu kanë arritur të japin rezultate të prekshme. Nga 8 shkurt 2018, kur është dhënë vendimi i parë nga organet e Vettingut, deri më 31 dhjetor 2021, kanë kaluar në filtër mbi 400 gjyqtarë e prokurorë, ku një pjesë kanë dalë jashtë sistemit. Janë 801 subjekte rivlerësimi, që do të duhet të kalonin në filtrin e Vettingut, ndaj mbeten akoma për të kaluar në këtë proces mbi 300 subjekte. Për këtë arsye, sot kolegët e mi kanë propozuar ndryshime kushtetuese për t’u zgjatur afatin organeve të Vettingut. Projeksionet tona dhe të komisionit të Vettingut, deri në qershor kur skadon afati, duhet të kalojnë në filtër edhe 70 subjekte, ku ngelen më shumë se 300 subjekte për t’u rivlerësuar. Ndaj është domosdoshmëri shtyrja e afatit me dy vjet, që ky proces të përfundojë. Është thelbësor miratimi i këtij ndryshimi kushtetues, sepse garanton mbarëvajtjen e procesit të Vettingut.

Duke përfunduar procesi i Vettingut ne garantojmë parimin kushtetues të sigurisë juridike, vazhdimësinë e procesit, mosndryshimin e standardeve të proceseve të Vettingut. Vettingu është elementi thelbësor i reformës në drejtësi. Miratimi i këtij ndryshimi kushtetues për të zgjatur deri më 31 dhjetor 2024 afatin e veprimtarisë së organeve të Vettingut na kursen kohë, financa, burime njerëzore, lejon KLGJ e KLP të vazhdojnë punën e tyre, lejon partnerët tanë ndërkombëtarë përmes ONM të vazhdojnë të jenë garanti i ndershmërisë së këtij procesi”, u shpreh Manja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb