TIRANË

Kryedemokrati Lulzim Basha shprehet i bindur se kriza e shkaktuar nga koronavirusi mund të përballohet. I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Basha kërkoi të ndërpriten shpenzimet e panevojshme, të mbështeten të gjithë qytetarët pa të ardhura dhe biznesi.

Sa i përket axhendës politike, Basha tha se për të dhe selinë blu është e ngrirë si dhe marrëdhëniet me mazhorancën për shkak të krizës nga pandemia e koronavirusit, nga e cila siç tha duhet bërë e pamundura që të shpëtohet çdo jetë njerëzore.

A ka kapacitet Shqipëria për te përballuar këtë paketë ekonomike?
A mendoni ju se ka kapacitet Shqipëria të paguajë 30 milionë euro 6 vetave për beton?! Kjo është pyetja. Në qoftë se ju mendoni se Shqipëria ka 30 milionë euro për t’ua dhënë 6 vetave për beton vetëm këto 10 ditë, atëherë unë them se kjo është papërgjegjshmëri totale, sepse me këto 30 milionë euro, dy muaj mund të mbuloheshin këto 70 mijë punonjës të fasonëve. Dhe s’është puna te mbulohen vetëm këto 70 mijë punonjës, kryefamiljare vajza dhe gra, por te pengohej përhapja e pandemisë, që vjen me një kosto shumë te madhe shëndetësore, vjen me je kosto shumë te madhe ekonomike. Kjo është arsyeja pse jam sot i shqetësuar, i brengosur, i skandalizuar nga shtyrja, shtyrja ne kohë e masave mbështetëse për njerëzit.

Kollaj t’u thuash “rrini në shtëpi”, por masat mbështetëse janë gjithçka, testimet janë gjithçka, mbështetja ekonomike është gjithçka. Ku janë këto masa, pse po vonojnë? Pse shkojnë paratë në drejtime totalisht te panevojshme për shqiptarët sot? Ky është shqetësimi im. Kjo është thirrja ime. Në qofte se kam dy javë qe e lus qeverinë të marrë masat, sot i them fare qartë t’i vërë gishtin kokës. Kjo është sjellje e papërgjegjshme, skandaloze. Të bëjë transparencë, te publikojë gjithçka. Pse nuk publikohet se ku do te shkojnë e si do të shkojnë këto para? Revolta ime ka një dhe vetëm një burim, fluksin e 5-fishuar te mesazheve të njerëzve qe kërkojnë ndihmë në tre ditët e fundit, sepse tani po vijmë në një moment, ne një pikë vlimi te cilën mund dhe duhet ta kishim shmangur, dhe prapë mund ta shmangim nëse veprohet në kohë, jo më propagandë por me veprime tek njerëzit.

Basha cila është zgjidhja, si arrihet balanca mes shëndetit publik dhe borxhit publik?
Borxhit publik këta i kane martuar nënë e babë prej kohësh, kështu që s’është çështja e borxhit publik. Çështja këtu është të veprohet urgjentisht për të mbështetur njerëzit në nevojë, për të mbështetur shëndetësinë dhe ekonominë dhe për këtë mjafton te ndërpritet çdo shpenzim tjetër i panevojshëm, të anulohen 120 milionë euro kontrata koncesionare! Dhe kjo duhet te ishte ndërmarrë prej kohësh. Në vend që të ndërmerrej kjo, një person që është në konflikt të hapur interesi me këto kontrata, me kontratën e inceneratorit të Tiranës, Fierit dhe Elbasanit, qe është kontrata me mafioze në historinë e Shqipërisë, që i ka mbyllur gojën çdo media pothuajse, merr ai tani dhe behet ministri i fatkeqësisë, Arben Ahmetaj. Të gjithë e dinë. Arben Ahmetaj me Klodiaj Zotkajn dhe vazhdojnë marrin para. Në mars ka marrë para koncensionari.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb