Ish-kreu i AKEP, Ilir Zela, ka kujtuar 21-vjetorin e Masakrës së Reçakut, që u shënua një ditë më parë, dhe njihet si një ndër masakrat më të tmerrshme ndaj popullit shqiptar të Kosovës.

Përmes një mesazhi në “Facebook”, Zela shkruan se kombet fqinje duhet të pranojnë gjenocidin ndaj shqiptarëve dhe t’iu kërkojnë falje, pasi sipas tij, kjo është e vetmja mënyrë që historia të mos përsëritet. Ndër të tjera, ai thekson se “Në fillim të shekullit 20 popullsia shqiptare në trojet e veta u përgjysmua”.

“Gjenocidi ndaj shqiptarëve duhet të njihet dhe t’i bëhet i ditur të gjithë botës. Ata që e kanë kryer janë mohuesit kryesorë. Edhe marionetat e tyre e kanë të vështirë të flasin për gjenocidin otoman, grek dhe serb. Në Tiranë, Prishtinë, Prevezë, Tivar, Prokupje dhe Manastir duhet të ngrihen muzetë e gjenocidit ndaj shqiptarëve. Në fillim të shekullit 20 popullsia shqiptare në trojet e veta u përgjysmua. Nishi, Manastiri dhe shumë krahina të tjera u pastruan.

Kjo vijoi edhe midis lustrave e pas luftës së dytë botërore me Çamërinë martire dhe krahina të tjera shqiptare. Kombet fqinje duhet ta pranojnë gjenocidin që kanë kryer ndaj shqiptarëve dhe të kërkojnë falje për gjenocidin e kryer! Shqiptarët duhet ta kërkojnë me insistim këtë e të mos kenë drojë. Është e vetmja mënyrë që historia të mos përsëritet!”, shkruan Zela.

  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb