NGA: ERMELINDA HOXHAJ*
Rreth 7 mijë mat urantë që nuk kanë mundur të kalojnë me sukses provimet e Maturës shtetërore 2016 do të kenë mundësi t’i rijapin ato në sezonin e dytë, në muajin shtator. Sezoni i vjeshtës sipas zv/ministres së Arsimit, Nora Malaj do të startojë në 30 gusht me provimin e Gjuhës së Huaj me detyrim dhe do të mbyllet më 10 shtator me provimet me zgjedhje. Maturantët që do kalojnë me sukses këto provime, do kenë të drejtën të garojnë në raundin e dytë të pranimeve në universitet. “Janë rreth 7 mijë maturantë që rezultuan mbetës në provimet e maturës, pjesa dërrmuese e të cilëve janë nga shkollat profesionale. Për këta maturantë kalimi me sukses i këtyre provimeve do të thotë një shans i dytë për të garuar në universitet në mesin e muajit shtator, kur të nisë rundi i dytë i pranimeve për kuotat e mbetura bosh nga faza e parë”, theksoi Zv/ministrja e Arsimit, Malaj. Veç maturantëve mbetës në provimet e maturës, janë edhe rreth 1.500 maturantë që kanë ngelur gjatë vitit shkollor 2015-2016 në një apo dy lëndë, të cilët duhet të japin këto lëndë në fund të gushtit dhe më pas të hyjnë në provimet e maturës. Pra, numri total i mbetësve është rreth 8.500 nxënës.

DATAT&TESTI
Provimet e sezonit të dytë të Maturës shtetërore 2016 do të startojnë me provimin e detyruar të Gjuhës së Huaj, i cili zhvillohet në datë 30 gusht, më pas vijojnë me provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë më datë 2 shtator, katër ditë më pas do të jetë provimi i Matematikës, pra më 6 shtator dhe provimet e lëndëve me zgjedhje do të zhvillohen më 10 shtator. Testi për secilin nga provimet e detyruara do të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 pyetje do të jenë me përgjigje alternative dhe do të vlerësohen me 13 pikë, kurse 12 kërkesa të jenë me zhvillim dhe të vlerësohen me 37 pikë. Secili prej provimeve do të zgjasë nga 2 orë e 30 minuta. Ndërsa testi për secilin nga provimet me zgjedhje do të përmbajë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje të jenë me përgjigje alternative dhe të vlerësohen me 10 pikë, kurse 20 pyetje janë me zhvillim dhe vlerësohen me 30 pikë. Koha që do të kenë maturantët në dispozicion për dy provimet me zgjedhje është 3 orë. Sipas udhëzimit të Ministrisë të Arsimit dhe Sportit, provimet e maturës në sezonin e vjeshtës nisin në orën 10:00, ndërkohë që kandidatët që kanë vetëm një provim me zgjedhje hynë në orën 11:30.

KATEGORITË
Në sezonin e dytë të Maturës shtetërore 2016 janë përcaktuar katër kategori që do të mund të marrin pjesë në provime. Kategoria e parë janë maturantët që rezultuan mbetës në një ose më shumë provime në sezonin e parë të Maturës shtetërore, si dhe maturantët që rezultuan mbetës në vitin shkollor 2015-2016, por kanë arritur t’i shlyejnë detyrimet para nisjes së provimeve të maturës. Për këta kandidatë është i vlefshëm Formulari A1 për dhënien e provimeve në këtë fazë të dytë. Të drejtë për të hyrë në provimet e maturës kanë edhe kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2016, por nuk kanë shlyer detyrimet e Maturës shtetërore dhe për arsye të ndryshme nuk kanë plotësuar formularin A1Z. Ndërkohë që një tjetër kategori janë edhe kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë vendit dhe kanë njehsuar dokumentet shkollore në komisionin e posaçëm të ngritur nga MAS. RAUNDI II &KUOTAT BOSH Pranimet në universitetet publike dhe private do të jenë me dy raunde, duke u dhënë shans për të aplikuar edhe maturantëve që kanë ngelur. Raundi i dytë i aplikimit u jep të mundësinë që të aplikojnë edhe maturantët kalues në provimet e sezonit të vjeshtës së maturës. Sipas këtij udhëzimi, drejtoritë e shkollave hedhin në portalin online ‘Maturanti’, të gjitha të dhënat e lidhura me rezultatet e shkollimit sapo dalin rezultatet e provimeve të maturës në vjeshtë.

Të gjitha IAL-ët brenda datës 22 shtator i dorëzojnë AKPës kuotat e paplotësuara për çdo program studimi. Në këtë raund të dytë kanë të drejtën të aplikojnë të gjithë ata maturantë që kanë kaluar me sukses provimet e maturës në vjeshtë; ata maturantë që kanë plotësuar formularin A1/A1Z, por nuk kanë arritur të aplikojnë në raundin e parë; kandidatët që kanë aplikuar, por nuk janë shpallur fitues në raundin e parë apo nuk kanë arritur të regjistrohen. Këta kandidatë kanë të drejtë të plotësojnë formularin e aplikimit në portalin ‘Matura shtetërore’ në datat 23 shtator – 1 tetor 2016, sipas datave për çdo DAR/Za. Kandidatët që nuk kanë aplikuar në raundin e parë, duhet të bëjnë pagesën prej 2 mijë lekësh në mënyrë që të dhënat e tyre të hidhen në sistem. Në këtë raund të dytë, AKP u dorëzon universiteteve listën e aplikantëve brenda datës 4 tetor 2016, së bashku me notat e tri viteve të shkollës së mesme dhe rezultatet e provimeve të maturës. Udhëzimi i MAS përcakton se universitet shpallin listën paraprake brenda datës 6 tetor 2016 dhe pas periudhës së ankimimit, ata shpallin listën fituese të studentëve të raundit të dytë, në datë 12 tetor 2016. Regjistrimet e fituesve bëhen në online dhe në sekretaritë mësimore me dokumentacionin përkatës nga data 16 tetor deri në datën 20 tetor 2016. Sipas udhëzimit të MAS, regjistrimi i studentëve fitues do të vijojë deri në plotësimin e kuotave për çdo program studimi duke respektuar renditjen në listë.
(ed.me/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: