Nga: VASIL KURETA* Siguria është një problem mjaft i rëndësishëm, që ka një përmbajtje e sfi da konkrete në periudha të caktuara të zhvillimit të shoqërisënjerëzore dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe si reflektim ndaj saj, siguria u bë një problem mjaft i mprehtë, por dhe një çështje e diskutuar, e organizuar dhe e fokusuar si thelbësore në arenën ndërkombëtare. Kjo dhe për faktin se, në zbatim të vendimeve të Jaltës, do të formësohej një përballje e ashpër dhe e gjithanshme mes dy sistemeve të kundërta. Gjatë gjithë asaj periudhe, që tashmë njihet si periudha e “luftës së ftohtë”, u konstatua edhe një rritje e kërcënimit të sigurisë botërore e paqes, si pasojë e përballjes reale, të gjithanshme e shumë të organizuar mes dy sistemeve të kundërta, po dhe u shtratuan forma, filozofi, mekanizma e u nënshkruan marrëveshje e traktate, mes dy superfuqive, për të garantuar stabilitetin dhe paqen në botë. Ecën paralelisht, si dy të kundërta të papajtueshme edhe rritja e kërcënimit si pasojë e një gare të shfrenuar armatimesh, që preku tokën, ajrin, detin dhe kozmosin, armët konvencionale e ato bërthamore, por edhe preokupacioni e veprimtaria për ta mbrojtur sigurinë botërore.

U konkretizuan dy lloj mbrojtjeje; ajo kolektive brenda grupimit të sistemeve të kundërta, por dhe ajo globale. Perëndimi i pari krijoi dhe organizatën politikoushtarake në formën e një aleance euroatlantike, NATO, ku përcaktoi, në nenet e para të traktatit, mbrojtjen kolektive të anëtarëve, në rast kërcënimi të sovranitetit e integritetit territorial të ndonjë anëtari. Në përgjigje të kësaj lëvizjeje, edhe grupimi tjetër, që u quajt kampi socialist, krijoi organizatën politiko-ushtarake të traktatit të Varshavës, që nën shembullin e NATO-s përcaktoi dhe ajo detyrimin e mbrojtjes kolektive, në rast të kërcënimit të rendit socialist të ndonjë vendi anëtar të traktatit dhe kampit socialist. Koha tregoi se Perëndimi nuk pati rast apo shkak ta zbatonte këtë nen, ndërsa në anën tjetër u realizuan ndërhyrje ushtarake, në emër të Traktatit të Varshavës, ku mund të përmendet ajo në Hungari, ndaj lëvizjes së brendshme, që kërkonin ndryshim, që u kualifikua kundërrevolucion, që kërcënonte rendin socialist, në vitin 1956, dhe ajo në Çekosllovaki në mesin e viteve ‘60, po me justifikimin se po cenohej socializmi. Pavarësisht se vendimin, forcën kryesore dhe drejtimin e ndërhyrjes e kishte ushtria sovjetike, këto ndërhyrje u realizuan si zbatim i detyrimit të mbrojtjes kolektive. Këto organizma ushtarakë dhe neni për mbrojtjen kolektive morën vërtet një vlerë të veçantë strategjike. Mbrojtja kolektive u bë një dimension esencial në përballjen mes dy sistemeve të kundërta, që vlerësohej maksimalisht nga të dyja palët, që, si të thuash, ruanin gardhin e vet nga ndonjë cenim i mundshëm nga tjetri. Kjo, në një farë mënyre, i shërbeu edhe uljes së tensioneve në momente të caktuara, sepse llogarisnin fuqinë e njëri-tjetrit, po dhe i dha udhë një lloj dialogu mes dy superfuqive, që realisht luftonin për epërsi ndaj njëritjetrit, por dhe për zgjerim të influencës. Përgjegjshmëria ndaj stabilitetit e paqes, por dhe barra e rëndë e shpenzimeve ushtarake, prodhoi edhe marrëveshje për pakësim të armëve, sidomos të atyre të shfarosjes në masë. Kjo u bë shumë e kuptueshme për sjelljen e superfuqive, por në një rast edhe disi e pakuptueshme. Kështu, pas ndërhyrjes ushtarake të BS dhe Traktatit të Varshavës në Çekosllovaki, qeveria e Tiranës, që kishte zhvilluar një përballje ideologjike e politike me BS, gjykoi se ishte momenti i përshtatshëm të deklaronte daljen e njëanshme nga Traktati i Varshavës, duke menduar se lirohej nga një rrezik imanent ndërhyrjeje ushtarake në emër të nenit të vetëmbrojtjes kolektive.

Kjo ishte një lëvizje dhe ngjarje e rëndësishme ndryshuese strategjike e Shqipërisë në atë kohë, por Perëndimi nuk reagoi. Perëndimi, as e vlerësoi shumë këtë lëvizje, as ofroi apo pranoi ndonjë ofertë të mundshme. Edhe pse Shqipëria e shoqëroi atë me deklaratat e tipit se “as hapet e as mbyllet”, apo se “nuk është as Lindje e as Perëndim”, brenda vendit u konstatua për një kohë të shkurtër një hapje në kulturë, muzikë, art, mënyrën e veshjes etj. Nuk pati vërtet një aventurë tjetër sovjetike ndaj Shqipërisë, për këtë dalje nga Traktati i Varshavës, aq më tepër që më parë kishte kërkuar largimin e armëve dhe specialistëve sovjetikë nga baza ushtarake strategjike e Vlorës. Por edhe Perëndimi nuk bëri asnjë lëvizje apo përpjekje të afronte Shqipërinë në sferën e saj. Ndoshta i qëndroi besnik ndarjes së nënshkruar në Jaltë, apo se veprimi i Shqipërisë ishte i njëanshëm, apo priti rrëzimin e pakthyeshëm të komunizmit. Mbrojtja kolektive shërbeu edhe si mjet kompaktësimi të bashkësisë nga të dyja palët, duke marrë vlerë të veçantë në ulje-ngritjet e tensioneve mes dy superfuqive, që synonin të fitonin mbi njëri-tjetrin, por duke llogaritur mirë fuqinë e tjetrit dhe duke mos hequr dorë nga përgjegjësia për stabilitetin e rendit botëror. Po kështu, as njëri prej palëve nuk e llogariti veten më të fortë se tjetri e fitues mbi palën tjetër. Kështu, stabiliteti e paqja mbetën kurdoherë të brishta, të kërcënuara, por që nuk u cenuan rëndë. Edhe pse të dyja palët zhvilluan në garë armët bërthamore, nuk harruan asnjëherë pasojat fatale të përdorimit të mundshëm të tyre. Është fakt që Perëndimi nuk bëri referime përdorimi të këtyre armëve, por përkundrazi, ka insistuar në nënshkrimin e traktateve për kufizimin, pakësimin apo mospërhapjen e armëve bërthamore. Edhe kampi socialist, që ndjeu vështirësi serioze për përballimin e garës së armatimit, sidomos kur sistemi po rënkonte e po jepte shenjat e falimentimit, e mori kthesën në formë ideologjike e disi qesharake, me shprehjen e famshme të Hrushovit se, bomba atomike nuk njeh parimin klasor dhe po u përdor ajo vret edhe borgjezin, por edhe proletarin, se ajo nuk dallon kush është borgjezi e kush është proletari! Pas rrëzimit të komunizmit, u duk sikur neni për mbrojtjen kolektive i NATOs do të konservohej i fjetur, por zhvillimet që u shoqëruan me ngjarjet në Gjeorgji, fillimisht dhe më pas me aneksimin e Krimesë dhe shpërthimin e agravimin e konfliktit në Ukrainë, problemet e sigurisë kanë marrë një mprehtësi të veçantë dhe janë përballë sfidave të reja me rrezikshmëri të lartë.

Janë rikthyer tensionet e përplasjet, kontradiktat reale sidomos mes SHBA dhe Rusisë. Nuk ka përsëritje ngjarjesh apo të historisë, por një fillim i një historie të re konfrontimi mes Lindjes e Perëndimit. Mund të quhet kështu nëse merret në konsideratë përmbajtja e objektivave të strategjisë ruse të superfuqisë, sepse tashmë nuk ka dy sisteme të kundërta. Rusia nuk pretendon as se ndërton e as se mbron komunizmin, edhe pse i referohet periudhës komuniste, kur është fjala për të argumentuar veprimet, objektivat, sjelljet e qëndrimet e sotme në marrëdhëniet ndërkombëtare, siç është qëndrimi ndaj Ukrainës, vendeve balltike apo kur deklaron se nuk pranon anëtarësim në BE dhe në NATO të ish-vendeve anëtare të BS. Po kështu Rusia mendon, si pjesë e Lindjes komuniste, kur flet për “rrethim” që i bën Perëndimi me anëtarësimet në BE dhe në NATO të ish-vendeve socialiste. Pas rrëzimit të komunizmit, deri sot, Perëndimi me sa duket, nuk e kuptoi zhvillimin e ambicies ruse të superfuqisë, nuk e ndali dot “përgatitjen” e gjithanshme të Putinit dhe goditjet sistematike të statuskuosë, reagimeve që dëshmonin se i konsideronte të ngushta dhe jo detyruese rregullat e vendosura, që nga periudha e luftës së ftohtë 1, të nënshkruara mes SHBA dhe BS dhe pas fundit të saj në marrëdhëniet ndërkombëtare. Putini po dëshmonte me sjelljet e tij se nuk ishte dakord as me ato që kishin bërë dhe rënë dakord paraardhësit e tij Gorbaçov dhe Jelcin, që u sintetizua në cilësimin e vetëshpërbërjes së BS si katastrofën më të madhe gjeopolitike, duke shfaqur përkushtimin e tij për ta restauruar atë shpërbërje. Putini i relativizoi marrëveshjet e arritura të rëndësishme dhe të arritura me shumë përpjekje, sidomos rreth armëve bërthamore, por dhe ato konvencionale, deri në kufirin e shkeljes së tyre, duke shkuar drejt ravijëzimit të një rivaliteti e konfrontimi të ri me Perëndimin e sidomos me SHBA. Nuk u konstatua ndonjë reagim serioz e shqetësim i dukshëm i Perëndimit, që nuk mund të mos e kishte informacionin e nevojshëm, që u shfaq i shkujdesur, i hutuar, i paorganizuar apo me vetëbesim të tepruar. Përballë kësaj sjelljeje të Perëndimit Putini avancoi duke i zhvlerësuar të gjitha traktatet, si ato të tipit “Start”, të kontrollit të armëve konvencionale në vitin 1990, ai për armët bërthamore “New START” më 2010-ën, të traktatit “INF”, marrëveshjet dhe rregullat e vendosura, duke i shndërruar në letra pa vlerë. Shumë shpejt u bë publike se Rusia, jo vetëm që nuk i kishte pakësuar armët bërthamore, por i kishte shtuar ato, duke zhvilluar një armatim me shpejtësi të lartë e perfeksionim të gjithë llojeve të armëve.

Po kështu Putini erdhi gradualisht te përsëritja e referimit te armët bërthamore në dispozicion, madje dhe të shpërndarjes e instalimit të tyre nga Arktiku, në Kaliningrad e Detin e Zi. Kështu evoluoi dhe u shfaq plotësisht ambicia e Rusisë për superfuqi botërore, objektivat e saj, rruga dhe metodologjia e realizimit, ku nuk mund të mos binte në sy përqendrimi te përdorimi i forcës dhe armëve në dispozicion. Rusia ka avancuar e po shpejton në plotësimin e përmbajtjes së ekspansionit të ri të saj, përmes mosnjohjes së kufijve të Europës dhe ndryshimit me dhunë të tyre, aneksimit të territoreve, si rasti i Krimesë dhe zgjerimi i zonës së influencës ruse përmes shumë llojshmërisë së armëve, si gazi, energjia etj., po edhe përmes rritjes së kërcënimit, provokimit e arrogancës, përmes demonstrimit të fuqisë e vringëllimit të armëve. Ka një rritje të arrogancës ruse në deklarime publike ndaj vendeve të caktuara siç ishte dhe ai ndaj Danimarkës, duke e kërcënuar hapur se do të godiste luftanijet daneze, nëse ajo i bashkohej sistemit të mbrojtjes raketore të NATOs. Putini po alternon përdorimin e strategjisë së “mbrojtjes” së të drejtave të grupeve etnike, ruse jashtë federatës ruse, stisjes së referendumeve, mbështetjes së kërkesave për autonomi brenda shteteve sovrane, invazionin e “fshehtë” dhe të hapur, si në rastin e Osetisë së Jugut e Abkhazisë dhe sidomos me aneksimin e Krimesë dhe shpërthimin e konfliktit në Ukrainë.

Putini, duke mos ndeshur në ndonjë rezistencë e kundërvënie serioze, shkoi deri te provokimi i hapësirave ajrore e detare të disa vendeve europiane anëtare të NATO-s etj. Kështu mori udhë pyetja se, si do të reagojnë Perëndimi, SHBA dhe NATO, në rastet e kalimit të vijës së kuqe nga Rusia duke agresuar vende sovrane, por sidomos te përmbajtja e asaj që quhet “vija e kuqe”. Tash konstatohet “zgjimi” dhe reagimi i Perëndimit ndaj këtij avancimi të Rusisë, zhvillimit të ndjeshëm të muskujve të saj e të konturimit aktiv të një lloj ekspansionizmi të ri rus, që nuk mund të mos rrezikojë stabilitetin e rendit botëror dhe prishë ekuilibrat e vendosur me shumë mund e sakrifica. Madje, kjo po ndodh, në kushtet kur Perëndimi ka vetëbesuar te fuqia e bashkimit dhe ekzistencës së NATO-s, edhe pse vendet europiane iluzionisht kanë dobësuar mbrojtjet e tyre dhe të aleancës euroatlantike, me uljen e shpenzimeve për mbrojtjen. Brenda Perëndimit, sidomos në pjesën europiane, është konstatuar më shumë iluzion se realizëm, më shumë shkujdesje se shkundje e reagim i shpejtë, më shumë besim në vetvete dhe nënvleftësim të rreziqeve reale. Nëse trajektorja e shpenzimeve ushtarake e Rusisë ka shkuar gjithnjë në rritje të ndjeshme, trajektorja e shpenzimeve të vendeve europiane anëtare të NATO-s,dukshëm ka qenë në rënie, duke dëmtuar në një farë mënyre cilësinë dhe standardet e mbrojtjes së aleancës.

Kjo ka vënë në vështirësi edhe plotësimin e detyrimeve për investime në mbrojtjen kolektive të aleancës, të cilësisë së pathyeshmërisë së mbrojtjes kolektive. Deri më sot “mbrojtja kolektive” nuk është vënë në provë reale, edhe pse u ka shërbyer qartë përmbajtjes dhe zhvillimit të përgjegjshmërisë në situata të komplikuara. Flakja e iluzioneve, mësimi nga gabimet historike, mënjanimi i mentaliteteve të vjetruara dhe ndërgjegjësimi i plotë për ndryshimin e realitetit, i ndihmon pengimit të gabimeve të pandreqshme ose kostove të larta të përballimit të situatave. Vendet europiane akoma kanë ndjesinë se janë në kushtet e një “paqeje të ftohtë” dhe nuk po bëhen realistë sa duhet, se, jo vetëm po zhvillohet një luftë e re e ftohtë, por që ka shenja të një përballjeje të rrezikshme, të vënies realisht përpara një prove reale efektiviteti të asaj që quhet mbrojtje kolektive. Kërkesa për reflektim buron nga zhvillimi i përgjegjshmërisë ndaj sigurisë e paqes botërore, nga parandalimi i rreziqeve të rënda dhe frenimi i çdo lloj ekspansionizmi nga kushdo qoftë. Reflektimi nuk është thirrje për konfrontim, por për ulje të tensioneve, frenim të agresioneve e kërcënimeve, kthim te respektimi i marrëveshjeve e rregullave të vendosura, frenim i aventurave të mundshme. Zhvillimet e fundit kanë shtruar, me sa duket, nevojën për përsosjen e mëtejshme të arkitekturës së sigurisë europiane e botërore, për opsione të reja, që të mundësohet kthimi te dialogu e bashkëpunimi mes aktorëve kryesorë të sistemit të marrëdhënieve ndërkombëtare, për një zhvillim më cilësor të përgjegjshmërisë dhe kontributit për stabilitetin e paqen, për të frenuar format aktuale anti-siguri si dhe shfaqjet e reja të ekspansionizmit e aventurizmit. Ajo që konstatohet qartë është nevoja për një reflektim e analizë më të plotë të sjelljes së Rusisë sot, se çfarë kërkon të arrijë dhe se si duhet punuar që të përjashtohen aventurat e rrezikshme. Nuk duhet gogolizuar as Rusia e as Putini, por dhe Putini nevojitet të heqë dorë nga shpallja e Perëndimit dhe SHBA-ve si armiq të Rusisë, sepse është rruga më e gabuar që sjell apo kërkon konfrontimin.

Është fakt shumë pozitiv që Perëndimi nuk ka shkuar deri te cilësimi si “armik” i Rusisë, por edhe kjo nuk mjafton. Kjo është një bazë e mirë për shtratimin e një marrëdhënieje të re, me standarde e rregulla të rinovuara, por duke mos lëshuar në principet themelore si liria, demokracia, sovraniteti, pavarësia, progresi, dhe duke u mbështetur fuqishëm në ligjin e të drejtën ndërkombëtare. Çdo lëshim, sado i vogël, ndaj këtyre principeve, vetëm se e ushqen aventurizmin e Rusisë. Putini ka avancuar shumë në anatemimin e cilësimin e SHBA si armik të Rusisë, se ajo dhe Perëndimi synojnë izolimin e Rusisë apo se synojnë një “revolucion kolor”, apo se SHBA e pranojnë Rusinë si vasal e jo si aleat etj. Kjo dhe zhvillime të tjera i kanë nxitur disa që të flasin për një thyerje të rëndë të marrëdhënieve mes SHBA dhe Rusisë, madje, presidenti i grupit Euroaziatik, Bremmer, para disa muajsh u shpreh se marrëdhëniet mes tyre “janë thyer në mënyrë të pakthyeshme”. Natyrisht që ka zhvillim negativ, por është shpejt t’i quash kontradiktat aktuale mes tyre si një thyerje të pakthyeshme. Putini në veprimtarinë e tij ka shfaqur një ngutje të dukshme në plotësimin e ambicies së shndërrimit të Rusisë në superfuqi botërore e duke shtratuar rivalitetin me SHBA për ndarje të fuqisë dhe rolit me të. Ai, duke e vlerësuar gabim të rëndë apo katastrofë gjeopolitike vetëshpërbërjen e BS, iu përkushtua maksimalisht strategjisë së superfuqisë. As Gorbaçovi e as Jelcini nuk mund të akuzohen si shkaktarë të shpërbërjes së BS. Në fakt, sistemi socialist në BS kishte filluar të krisej shumë kohë më parë. Hrushovi dhe grupi i tij ishin produkt i kësaj krisjeje, i degjenerimit të rendit socialist atje. Të tjerët që erdhën pas Hrushovit nuk mund të ndalonin dot procesin e nisur të rrëzimit. Në fakt, Jelcini, që duket se e kishte kuptuar mirë rrëzimin e fundin, nxitoi të shpëtonte godinën bazë, mbi të cilën ishte ngritur ngrehina e BRSS, dhe u vendos në krye të Federatës Ruse. Nuk mund të bënte më tepër dhe as të kërkonte më shumë në atë situatë. Ishte emergjente të ndërtohej një model tjetër ekonomik e politik, një shoqëri me ekonomi tregu dhe institucione demokratike, sepse modeli ekonomik e politik socialist dështoi. Jelcini e kuptonte nevojën e fuqizimit të Rusisë dhe daljes së saj faktor në marrëdhëniet ndërkombëtare, por nuk mund të luante rol më tej dhe përzgjodhi, jo rastësisht, t’ia kalonte stafetën Putinit, duke llogaritur ambicien drejt fuqisë që kanë njerëzit e shërbimeve sekrete. Putini ka kontributin e tij në modelimin e një forme të kapitalizmit shtetëror në Rusi me shumë centralizëm e shtet dhe më pak demokraci, liri e të drejta të njeriut. Putini, mbështetur edhe në nacionalizmin patriotik, nxitoi t’i kthente Rusisë lavdinë dhe rolin e një superfuqie në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Putini e kuptonte nevojën e kohës për ta mundësuar këtë ambicie që lidhej me plotësimin e shumë standarteve ekonomike, ushtarake, politike, sociale, menaxheriale etj., por ai nxitoi ta sfidonte dhe kohën. Kjo shpjegon, në një farë mase, edhe sjelljen e drejtimit prej tij me dorë të fortë e përqendrim të madh të pushtetit, por edhe sjelljen e tij prej bashkëpunuesi e konstruktivi me Perëndimin, SHBA e NATO-n, derisa strategjia të bëhej aktive. Nga ana tjetër, Perëndimi, që kishte fituar në përballjen e gjatë me Lindjen komuniste, u shfaq disi i dehur nga fitorja, duke ia lehtësuar shumë punën Putinit të zhvillonte strategjinë e superfuqisë.

Putini ia arriti të ndërtojë në Rusi një model që ngjasonte me Perëndimin, por që nuk mund të ishte me standardet e plota të tij. Perëndimi, që shikonte diferencat, adresoi kritika për centralizimin e pushtetit dhe zvogëlimin e hapësirave të demokracisë e lirive të njeriut, por dhe besonte te “konstruktiviteti” i Putinit. Putini, nga vetë formimi i tij, ishte i prirur nga fuqia, forca e përqendrimi i pushtetit, ndërsa Rusia kishte nevojë të siguronte zhvillimin e fuqinë. U krijua kështu një simbiozë që krijoi këtë cilësi qeverisjeje dhe një veprimtari të etur për t’i siguruar Rusisë statusin e superfuqisë në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, duke synuar tashmë hapur rivalitetin dhe të ndajë rolin dhe fuqinë me superfuqinë e vetme aktuale: SHBA. Putini ka bërë tashmë publike filozofinë e tij për marrëdhënien me SHBA, ku bie në sy një përmbajtje kontradiktore, ku përfshihen edhe kritikat e akuzat, edhe anatemimet deri te cilësimi si “armik” i Rusisë, edhe prepotenca e demonstrimi i fuqisë, por edhe kërkesa për bashkëpunim. Tashmë është e njohur deklarata prepotente e Putinit se nuk do të lejojë asnjëherë një rend botëror të udhëhequr nga një superfuqi e vetme, e pakundërshtuar, e cila dëshiron të mbetet e tillë. Brenda kësaj filozofie mund të kërkosh edhe cilësinë e qëndrimit të Putinit ndaj konfliktit në Ukrainë, provokimet e hapësirës ajrore e detare ndaj disa vendeve anëtare të NATO-s, apo ndaj vendeve balltike, zhvillimin e garës së armatimit, vringëllimin e armëve dhe referencat te armët bërthamore etj. Putini ka mendimin se SHBA në mënyrë konstante punojnë për dobësimin e Rusisë dhe për ta nënshtruar atë. Sipas tij, SHBA nuk e pranojnë Rusinë si aleate por vetëm si vasale. Ai arsyeton se, “elitat politike dhe ekonomike në Perëndim na duan kur jemi të varfër, si të thuash na afrojnë kur jemi të tillë, të dobët e të varfër, dhe reagojnë sapo ne fillojmë të flasim për interesat tona”. Kjo do të thotë, sipas tij, se ata ndjejnë elementë të konkurrencës gjeopolitike. Në fakt, politika ngrihet e bazohet në interesa që kanë përmbajtje të caktuar, që lidhen edhe me zhvillimin e një vendi të caktuar, por edhe me një lloj rivaliteti të njohur në përputhje më potencialet, përvojën dhe zhvillimin e përgjegjësive për garantimin e rendit botëror. Prandaj marrin rëndësi e vlerë rregullat, normat e së drejtës ndërkombëtare, marrëveshjet, dialogu e bashkëpunimi për zhvillimin e përgjegjësive. Pjesë e vizionit të Rusisë në trajtimin e marrëdhënieve me SHBA është mendimi se SHBA është duke u përpjekur të krijojë një rend të ri global dhe të shkaktojë një revolucion kolor në Rusi e ta destabilizojë atë. Kështu SHBA synon krijimin e një rendi botëror me një influencë ekonomike e ushtarake të saj në botë. Ekspansioni i NATOs dhe izolimi ekonomik i Rusisë, konsiderohet nga Rusia si pjesë e këtij plani. Madje mendohet se revolucionet kolore po përdoren si një formë gjeopolitike për t’i larguar vendet ish-socialiste e ato pjesë të ish-BS, jashtë sferës së influencës ruse.

Shefi i sigurisë së Rusisë mendon se SHBA dhe BE po përdorin sanksionet ekonomike për të izoluar njëherësh Rusinë dhe Putinin. Vetë Putini, në një takim me shefat e Sigurisë në muajin mars, akuzoi Perëndimin se është duke përdorur izolimin politik dhe presionin ekonomik, luftën informatike dhe instrumentet e shërbimit special ndaj Rusisë. Dhe, duke shprehur optimizmin për vendin e vet, theksoi se “situata përreth vendit tonë do të ndryshojë për mirë, por jo se do të bëjmë koncesione. Ajo do të ndryshojë për mirë vetëm nëse ne do të jemi më të fortë.” Në funksion të kësaj filozofie, Rusia ka përditësuar strategjinë e sigurisë kombëtare tani së fundi, me synimin që t’u përgjigjet kërcënimeve të reja emergjente ushtarake. Duke e shtjelluar nevojën e këtij abdetimi, sekretari i Këshillit të Sigurisë, Nikolay Patrushev nënvizoi se “NATO dhe SHBA kanë zhvilluar potencialin ofensiv deri afër kufirit tonë dhe kanë aktivizuar zhvillimin e sistemeve defensive të mbrojtjes raketore.” Në funksion të kësaj filozofie, Rusia ka definuar një buxhet rekord prej 81 bilionë dollarësh për vitin 2015 ose 4.2% të GDP-së dhe planifikon që, për dy vitet e ardhshme, të ndjekë një filozofi shpenzimesh në masën e 3.5% të GDP-së. Me sa duket, edhe si përgjigje ndaj artikulimit të këtyre akuzave, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Mogherini deklaron se një Rusi e destabilizuar dhe e izoluar nuk është në interes të askujt dhe se sanksionet janë vetëm në funksion të zbatimit të plotë të marrëveshjes së armëpushimit të 15 shkurtit në Minsk. “Një Rusi e destabilizuar dhe e izoluar, – ka nënvizuar ajo, – nuk është në interes të BE-së, as të popullit rus, dhe ne besojmë që nuk është as në interes edhe të lidershipit të Rusisë.” Nuk mund të mos tërheqë vëmendjen një deklaratë e Putinit në prill, i cili, duke iu referuar fushatës së zgjedhjeve në SHBA, ka deklaruar se, “pavarësisht se dy vendet kanë diferenca, SHBA dhe Rusia kanë edhe interesa të përbashkëta. Ne do të punojmë me cilindo që populli amerikan do të zgjedhë si kreun e shtetit të tyre.

Bashkëpunimi ynë nuk ka të bëjë me një person të veçantë, por me vendin e madh dhe që është një lojtar i fuqishëm ndërkombëtar.” Në një farë mënyre, Putini u kujdes të përcaktojë si interes të përbashkët bashkëpunimi ndalimin e armëve të shkatërrimit në masë, luftimin e krimit të organizuar dhe luftën kundër varfërisë. Ai ka nënvizuar gjithashtu se “ne kemi një axhendë të përbashkët. Se kam parasysh përpjekjet e përgjithshme në drejtim të bërjes së ekonomisë botërore më demokratike, të maturuar dhe të balancuar.” Kështu, rendi botëror është më demokratik. Kjo lëvizje e Putinit nuk mund të jetë një deklaratë e rastit, që mund të nënvleftësohet, as një demagogji. Le të shpresohet të jetë një fillim ndryshimi, që nëse vërtetohet, përbën vërtet një lajm të rëndësishëm. Me sa duket, Putini e pranon konceptin e SHBA për bashkëpunim me Rusinë e theksuar disa herë. Ka vërtet diferenca në atë marrëdhënie, sepse koncepti amerikan i bashkëpunimit ka element thelbësor qenien dhe pranimin e SHBA si superfuqia e vetme botërore, e cila nuk mund t’i përballojë dot e vetme përgjegjësitë e luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar, krimit të organizuar, varfërisë etj. Koncepti i Putinit shkon deri te pranimi i SHBA si lojtar i fuqishëm ndërkombëtar, por nuk shkon deri te pranimi si superfuqia e vetme botërore, siç është realisht sot. Duke mbetur te koncepti i tij i “lojtarit të fuqishëm” ndërkombëtar, ku me sa duket përfshin dhe veten, Putini mundet që kërkon nga SHBA, ta konsiderojë atë si të barabartë në bashkëpunim në sferat që përcakton, ku bie në sy se nuk përfshin luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar. Mundet ta ketë përjashtuar për t’u shfaqur origjinal apo për të mos përsëritur deklaratën e Obamës e për t’u treguar ofertues i barabartë. Natyrisht që, rëndësi të veçantë ka që kjo të mos mbetet në cilësinë e një deklarate në erë apo për ndonjë konsum të adresuar me qëllim. Gjithsesi, rruga më e drejtë dhe më e mirë është kjo e bashkëpunimit, duke vendosur, pranuar e zbatuar standarde e rregulla të qarta, dhe nuk mund të jetë konfrontimi e përballja mes tyre. Ndoshta kjo deklaratë e Putinit përmban synimin për të ndarë fuqinë e rolin me SHBA në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, të definojë disa axhenda të përbashkëta.

Me sa duket, ky është kushti për bashkëpunim që ofron Putini, sepse pranimi i SHBA si superfuqia e vetme e interpreton se e përjashton partneritetin dhe krijon vasalitetin. Kjo dëshmon se ndërtimi i një marrëdhënieje të re mes SHBA dhe Rusisë do të përballet me vështirësi jo të vogla. Kontradiktat janë të kuptueshme, por jo të pakapërcyeshme, sidomos kur zhvillojnë maksimalisht përgjegjshmërinë ndaj sigurisë, stabilitetit e paqes në botë. Janë përpara të dyja mundësitë: edhe përballja, por edhe dialogu e bashkëpunimi në diversitet konceptesh e qëndrimesh. Sepse këto dy mundësi janë reale dhe i ka shtyrë disa të shtrojnë pyetjen se, a po ecin drejt luftës SHBA dhe Rusia sot? Pyetje e ligjshme, por së cilës nuk mund t’i përgjigjesh dot plotësisht, aq më tepër që një përballje e tillë është e padëshirueshme, e rrezikshme, me pasoja tepër të rënda dhe e paparashikueshme. Ngjarjet e mëdha, që bëjnë ndryshim, nuk parashikohen dot. Ato marrin vlerën e tyre pasi kanë ndodhur. Ndërsa në rastin konkret, është detyrim mbarënjerëzor, mbrojtja e lirisë, stabilitetit e paqes, dialogu e bashkëpunimi dhe mënjanimi i çdo lloj ekspansionizmi, aventurizmi e konfrontimi.

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: