Ministria e Arsimit njoftoi të premten se do të mbyllen shkollat për tre ditë, për shkak të temperaturave tepër të ulëta.

Ky vendim u shoqërua me një protestë para godinës së ministrisë, nga një grupim aktivistësh nga Qëndresa Qytetare.

Ata pretendonin se shkollat ishin mbyllur për shkak të mungesës së sistemit të ngrohjeve e kërkonin që kjo problematikë të përmirësohej. Për të folur rreth këtij vendimi, e ftuar në rubrikën “Opinion”, në “News 24”, ishte Drejtoresha e Përgjithshme e Politikave të Arsimit, Zamira Gjini. Ajo tha se mbyllja ka ndodhur për shkak të fëmijëve dhe të njoftimeve se rrugët në shumë akse të vendit do të ishin të mbuluara nga ngrica e dëbora.

“Sipas të dhënave që kemi mbyllja e shkollave është ditën e mërkurë dhe ditën e enjte do të vijojë mësimi normalisht. Ky ishte një vendim që MA u detyrua ta merrte për shkak të ftohtit të madh. Kjo lidhet edhe me kushtet që fëmijët kanë për të shkuar në shkollë sepse siç jemi njoftuar shumë rrugë për shkak të ngricave ishin të pa kalueshme. Kjo ka ndodhur edhe në vite të tjera ku shkollat janë mbyllur. Zyrat Arsimore bashkë me shkollat bëjnë një kalendar për të zëvendësuar këto orë të munguara, kjo bëhet në një afat më vonë kur ngrohen edhe temperaturat. Dimri në fakt është i gjatë, jo tre ditë apo një javë. Qeverisjet vendore janë të përgjegjshëm për sistemin e ngrohjes”, tha Gjini.

Gjini tha më tej se zëvendësimet e ditëve që u bënë pushim do të zëvendësohen në një kohë tjetër, kur temperaturat do të jenë më të larta.

“Protesta lidhet me një shkak ose protestuesit duan të bëjnë kërkesa për të përmirësuar shërbimet. Ne ndaj jemi që këto shërbime t’i bëjmë më të larta. Ne kemi rindërtuar shkolla në zonat e prekura nga tërmeti. Të gjitha këto janë shkolla me standarde të larta. Ka shumë punë për të bërë me bashkitë për furnizimin me lëndë ndjekëse. Ka disa shkolla që i bëjnë zëvendësimet të shtunën, ka disa shkolla të tjera që bëjnë orarin në përfundim të lëndëve përkatëse. E rëndësishme është që nxënësit të përfundojnë programin”, u shpreh drejtoresha.

Për situatën e COVID-it nëpër shkolla ajo tha:

“Jemi në një situatë jo të zakontë. E gjithë bota ka qenë në situatën e pandemisë dhe viti 2020 ishte i vështirë edhe në Shqipëri për sistemin arsimor, por ky vit ka filluar si vit normal. Nxënësit e bëjnë mësimin në shkollat e tyre. Ne marrim informacion nga strukturat për të parë prekjet e mësuesve dhe prindërve nga ky variant i ri i COVID-it. Deri ditën e premte ne kemi të dhëna që mvi 1 mijë nxënës dhe mësues janë të prekur nga COVID-i. Të dhënat i kemi të përditshme. Kjo është një tablo që na ndihmon për të marrë masa. Ne kemi portalin mësues për Shqipërinë ku ftohen mësuesit për të zëvendësuar ato që mungojnë. Më të prekura nga COVID-i janë Durrësi e Elbasani e më pas vijohet me mësueset e tjera”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb