Shkëlzen Bushi, një nga protestuesit e shoqëruar nga policia pas protestës së zhvilluar një ditë më parë para Parlamentit, ka rrëfyer detaje nga momentet e tensionit gjatë përplasjes mes protestuesve dhe forcave të rendit.
Nq një intervistë për News24 ai shprehet se është dhunuar nga efektivët e policisë, ndërsa thotë se ndërhyrja e tij në protestë kishte si qëllim shmangien e përshkallëzimit të situatës.
Bushi shpjegon se në një moment tensioni, një grup protestuesish u përplas me policinë pranë hyrjes së Parlamentit, dhe se ai, së bashku me disa të tjerë, u përpoqën të krijonin një kordon njerëzor për të ndarë palët.
Ai ngre gjithashtu dyshime se mes protestuesve mund të kenë qenë persona të infiltruar me qëllim provokimin e incidenteve.
“Nuk e dimë kush ishte aty. Mund të ketë pasur edhe persona që janë futur mes protestuesve vetëm për të provokuar situatën”, ka deklaruar ai.
Sipas Bushit, ai ka tentuar të ndërhyjë për të ndaluar përplasjet fizike mes protestuesve dhe policisë, por pretendon se është goditur dhe më pas është arrestuar.
“Shkova për t’i ndarë, që të mos kishte gjakderdhje. Në atë moment një polic më goditi, më kapën për flokësh, më rrëzuan dhe më futën brenda kordonit, ku më rrahën në tokë”, është shprehur Bushi.
Ai shton se pas shoqërimit ka qëndruar rreth pesë orë në komisariat, ndërsa thekson se nuk ndihet i frikësuar, por se shqetësimi i tij kryesor është që protestuesit të mos dekurajohen nga pjesëmarrja në tubimet e ardhshme.
Autoritetet policore nuk kanë dhënë ende një reagim publik lidhur me këto pretendime.
