Miliona njerëz në mbarë botën i kishin  sytë dhe mendjen në Francë ketë të dielë ku Presidenti centrist  dhe europeist në fuqi, Emanuel Makron  po përballej  në kutitë e votimit për një mandat të dytë me sfidanten e tij të së djathtës ekstreme, Marine Le Pen.

Franca është një vend i madh demokratik, lokomotivë e BE-së, fuqi  politike dhe ushtarake me peshë  e Aleancës  Euroatllantike.  Zgjedhjet atje janë gjithmonë ngjarje me ndikim përtej kufinjve të vendit. Rëndësia  e tyre ndërkombëtare ishte më e madhe se kurrë kësaj here.  Arsyet ishin  sheshit. Franca ishte i pari vend i madh i BE-së dhe NATO-s  që po  bënte zgjedhje  në mes të  agresionit barbar të Rusisë kundër  Ukrainës; kandidatja e bllokut  të vetpagëzuar sovranist, zonja Le Pen, njihet prej vitesh si aleate e Putinit dhe mbështetet fort prej regjimit të tij  në kuadrin e politikës  së Moskës për  shtrirjen  e dominimit  rus në  Europë e me gjerë përmes zhbërjes  së NATO-s dhe BE.

Fitorja e Le Pen do të kishte qenë  në këtë kontekst  një sukses i jashtëzakoshëm për  vrasësin e civilëve, fëmijëve, grave dhe pleqve ukrainas; do të kishte qenë një thikë pas shpine për Ukrainën e martirizuar, që po i rreziston heroikisht  invazionit rus  duke u shndërruar në Termopilen botërore të  lirisë dhe demokracisë në kohën tonë. Siç  vinte në dukje sot amerikania  Washington Post, fitorja e Le Pen do të kishte provokuar një goditje shokuese në gjirin  e NATO-s.  Pse jo,  një tronditje të  rendit  botëror dhe një ripërcaktim të aleancave nga ana e Francës.

Kjo  fatkeqësi nuk ndodhi. Franca kaloi. Skenarët apokaliptikë u ndalën në kutitë  e votimit nga  një shumicë solide prej 58, 5 përqind zgjedhësish  për Makron, kundrejt 41,5 përqind për Le Pen. Me të drejtë,  përveçse një dëshmi e aderimit  të gjerë të votuesëve francezë në vlerat e Bashkimit Europian dhe NATO-s, fitorja  e Makron po mirëpritet në mënyrë të veçantë pikërisht në kontekstin e luftës në Ukrainë.

Përtej krizave e  ndarjeve të brendshme, lajmi i mirë  i markës franceze  për mbarë botën  është ai që në fund të fundit qytetarët francezë zgjodhën  në shumicë një burrë  të mbështjellë me flamurin e Bashkimit Europian, një euroatlantist dhe liberal pragmatist,  i qartë dhe i prerë  në qëndrimet e tij  kundër  populistëve  dhe “ sovranistëve” të ektremit të djathtë  e të majtë.  Me Emanuel  Makron në timonin e Francës, demokracia  dhe integrimi  europian e euroatllantik janë  “en marche” ( në ecje) siç  është edhe emri i lëvisjes së tij politike.

Nga kjo pikpamje fitorja e Makron është një ngjarje shumë  e gëzueshme edhe  për gjithë  shqiptarët që aspirojnë integrimin e Shqipërisë  në BE dhe forcimin e pranisë së saj në NATO.  Fitorja e tij  na ndihmon të  hapim edhe më shumë mendjet. Të jemi dhe të ndihemi  edhe më shumë perëndimorë.  Të vetëdijesohemi edhe më shumë  për rëndësinë jetike që ka për  demokracinë , zhvillimin dhe sigurinë tonë të qenët në NATO dhe në BE nesër.  Të fusim mirë në mendje  se vetvendosja jonë si komb është amerikano-europiane në përcaktim, se pavarësia dhe  sovraniteti ekzistojnë dhe garantohen  vetëm duke qenë pjesë e  NATO-s dhe BE-së.  Jashtë tyre apo kundër tyre sovranizmi është  paradhoma e iliberalizmit, autoritarizmit dhe  diktaturës. Parullat e bukura të “ sovranizmit”,  si ato që u munden në Francë,  e kanë me NATO-n e në radhë të parë  me SHBA. Jo  rastësisht  “ sovranistët” në Europë kanë si rregull mbështetjen e  regjimeve autokratike  apo njëpartiake si Rusia  dhe Kina.  Edhe kur  nuk njihen prej tyre,  dashje pa dashje,  çojnë ujë në mullirin e tyre.

Zgjedhjet presidenciale në Francë   nxorën në agorën  e  debatit dhe gjykimit temat e mëdha  të demokracisë dhe paqes.

Fitoi kthjellësia.

Merci Francës.

Merci, presidentit Makron.

Gazeta Mapo

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb