Nga: Doc.Dr.VASIL KURETA
Samiti i fundit i G20 në Huanxhou të Kinës u zhvillua në kushte kur një problematikë komplekse botërore ka rritur ndjeshëm shqetësimin, sa i përket stabilitetit, sigurisë së rendit botëror, kërcënimeve komplekse të paqes e ardhmërisë së njerëzimit, përballimit të fenomenit të rënies së zhvillimeve ekonomike, varfërisë në rritje, rritjes së rrezikut nga aktiviteti i shtuar i terrorizmit, problemet globale etj. Ka vatra të rrezikshme konfliktesh e krizash dhe tendencë të shtuar për përdorimin e fuqisë e forcës në arritjen e objektivave gjeopolitikë. Ka në zhvillim një garë të re armatimi, që ka prirje të zgjerohet dhe një dashuri e shtuar të vendeve të caktuara nga prodhimi dhe përdorimi i armëve bërthamore. Përveç krizës në zhvillim të Lindjes së Mesme dhe një fokusim i rrezikshëm i terrorizmit ndaj vendeve europiane, ka një situatë tepër të rënduar brenda hapësirës europiane, që nuk ia ka dalë të kapërcejë efektet e krizës ekonomike e financiare botërore, që shfaqet disi e hutuar nga presionet e interesave të shtetit komb, të ekstremistëve, populistëve e euroskeptikëve, nga kriza e refugjatëve dhe nga aktet terroriste, por sidomos, që nuk po gjen dot ide e forcë vepruese të shpëtojë fatin e projektit europian.

Takimet në formatin e G20 natyrisht që mund të vlerësohen pozitivisht, sepse i ndihmojnë përmirësimit të klimës politike, rritjes së besimit e mirëkuptimit, ftohjes së gjakrave dhe që mundësojnë një angazhim, bashkëpunim e harmonizim forcash e kontributesh, në funksion të zhvillimeve të qëndrueshme ekonomike, politike e sociale, zgjidhjes së krizave e konflikteve, që mundëson rivendosje të ekuilibrave e balancave të prishura e të kërcënuara dhe kështu i ndihmohet një rendi botëror më të qëndrueshëm e më në paqe. Natyrisht, që bazë e filozofi pune e këtij formati është ekonomia, bashkëpunimi ekonomiko-financiar e tregtar, që është faktor themelor zhvillimi dhe ndihmon në përballimin e krizave konkrete. Ekuilibrat ekonomike e politike globale janë shumë të domosdoshëm, siç janë të tillë dhe ato rajonale si dhe stabilitetet e çdo shteti sovran. Këto formate mundësojnë edhe konkluzione të argumentuara, por dhe rekomandime e angazhime serioze e jashtëzakonisht të nevojshme ekonomike e financiare, por dhe politike e gjeostrategjike. Ky format pune ndihmon shumë për t’ju dhënë jetë tregjeve të hapura, tregtisë së lirë, bashkëpunimeve në nivele konkrete, si dhe ndërtimit të një arkitekture financiare, që mundëson zhvillime të qëndrueshme, përmirësimit të impulsive të rritjes e zhvillimeve ekonomike, rritjes së nivelit të punësimit dhe sidomos përfitimit nga përdorimi i teknologjive të avancuara të prodhimit, të shkencës e teknologjisë së avancuar. Kjo është e vërtetë , por që nuk mund të absolutizohet gjithsesi, por që vlen si një mundësi, që çdo shtet sovran e formate bashkëpunimi rajonale, të përpunojnë e zbatojnë strategji efektive të zhvillimit të qëndrueshëm. Edhe pse ky format është i fokusuar nga ekonomia, përbën një mundësi për të kuptuar synimet e objektivat gjeopolitike e strategjike të aktorëve të rëndësishëm të sistemit të marrëdhënieve ndërkombëtare, për të vlerësuar përpjekjet për të ndryshuar ekuilibrat e vendosur, kontradiktat e aleancat që funksionojnë apo që riformatohen.

Në takime të këtij formati gjithnjë është synuar afrimi, dialogu e konkludimi ndaj problemeve të mprehta globale, marrja e përgjegjësive për stabilitetin e rendit botëror. SHBA , si superfuqia e vetme deri më sot, ka kontribuuar maksimalisht në përballimin e zgjidhjen e krizave e konflikteve të vështira, e problemeve globale, por që nuk është dhe nuk mund të jetë as zjarrfikës ndërkombëtar e as xhandar ndërkombëtar për ruajtjen e rendit botëror. Nga kontributi i saj ka përfituar siguria, ruajtja e paqes e balancave dhe ekuilibrave të vendosur, zhvillimi i qëndrueshëm. SHBA ka pasur strategji të saj konceptin, se e vetme nuk mund ti përballojë problemet globale, krizat, varfërinë e luftën kundër terrorizmit, duke kërkuar bashkëpunimin e kontributin e aktorëve të rëndësishëm në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Kjo është e vërteta, siç është e vërtetë dhe fakti që aktualisht Rusia dhe Kina kanë shpalosur strategjinë e superfuqisë botërore dhe rivalitetin me SHBA, synimin për ndarjen e fuqisë. Prapa buzëqeshjeve, ceremonialeve, ritualeve të zakonshme qëndrojnë përplasje interesash dhe synime strategjike të dizajnuara qartë, që u konstatuan edhe në këtë samit. Në këtë samit kinez u shfaq qartësisht rreshtimi i disa aktorëve kryesorë në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare, shoqëruar me një avancim të dukshëm, guxim e demonstrim të fuqisë. Nuk mund të mos binte në sy pozicioni i Kinës, e cila deri më sot ka qenë shumë e kujdesshme në raport me SHBA, teksa ka menduar të shfaqë sjelljen, që tregon se çfarë kërkon e do të kërkojë në vazhdim, se ku ndahet qartë në interesa strategjike me SHBA dhe se çfarë kërkon të bëjë në të ardhmen. Ka në këtë sjellje edhe përvojë e filozofi kineze, që u shfaq në formën e sugjerimeve “konstruktive” për dialog, por që në detaje e në esencë u përcoll mesazhi se ndaj SHBA dhe perëndimit, tani e tutje do të ketë vendosmëri për t’u përballur. Madje u përcoll mesazhi se Kina nuk është e vetme, por se ka në krah të saj Rusinë. Në samit, jo rastësisht, por se është fillimi i pozicionimit të ri, dyshja Kinë-Rusi u përpoq të bënte konstruktivin dhe optimizmin, duke lënë të kuptojë se kundërshtimi është pozicion i SHBA. Në funksion të këtij koncepti e qëndrimi u bë me dije se, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka ftuar Letoninë, Lituaninë e Estoninë dhe Finlandën, për konsultime, lidhur me sigurinë e lëvizjeve ushtarake në zonën e Balltikut.

Duket vërtet si një konstruktivitet pozitiv, por nëse sheh më tej kupton qartë se këto vende janë të rrethuar realisht me trupa dhe armë nga Rusia dhe ndjehen të kërcënuar. Vendet balltike, si anëtare të NATO- s, kanë kërkuar mbrojtje nga aleanca dhe ajo ka reaguar, mbështetur në nenin 5 të saj, për mbrojtjen kolektive. Madje ndjehen të kërcënuar edhe vende të tjera anëtare të NATO-s në kufi me Rusinë si Polonia, Rumania etj. Pra, këto vende nuk kanë shfaqur asnjë përqendrim armësh e trupash në kufi me Rusinë e as ndonjë koncept e element agresiv ndaj Rusisë. Rusia dhe tifozë pro-rusë në media, konsumojnë mesazhin, se është perëndimi e SHBA, që kërkon konfrontimin në raport me dialogun, duke e etiketuar pa të drejtë Poloninë si “Kali i Trojës “ i SHBA në Europë. Në funksion të idesë së konstruktivitetit ruso-kinez u bë i njohur propozimi i presidentit kinez Xi Ping ndaj kryeministrit japonez Shinzo Abe, për të rritur bashkëpunimin dhe ndërtimin e besimit, kur Japonia e mjaft vende të tjera të rajonit të paqësorit, janë të shqetësuar, me veprimin prepotent të Kinës, për ndërtimin e ishujve artificialë, si fortesa ushtarake dhe demonstrimin e forcës së saj në rajon.

Siç shihet regjisorët e samitit të G20 janë përpjekur me kohë që të demaskojnë perëndimin, si të prirur për konfrontim, në dallim nga dyshja Kinë-Rusi, si të prirur nga dialogu. E përcollën përmes mediave këtë mesazh, që është pjesë e strategjisë së tyre të kundërvënies e rivalitetit ndaj SHBA. Janë këto dy vende që kërkojnë të ndajnë fuqinë e të rivalizojnë e jo SHBA ,që u ka kërkuar vazhdimisht të bashkëpunojnë e ndihmojnë në përballimin e krizave e problemeve globale. Ky ka qenë qëndrim zyrtar i SHBA në dy mandatet e presidentit Obama dhe që është materializuar konkretisht e publikisht. Në këto kushte taktika e përdorur, që e servir dyshen Kinë-Rusi si konstruktive dhe SHBA si destruktive, është vërtet njëherësh e pavërtetë dhe diversion që vlen vetëm për naivët. A nuk e shohin, dhe e dinë popujt e vendeve Balltike, si Polonia, Rumania, Ukraina etj, se kush i ka rrethuar me armë e trupa në kufi, se kush demonstron forcën e bën kërcënime publike, se kush ndërton baza ushtarake, kryen stërvitje ushtarake në kufijtë e tyre, apo dhe jashtë territorit të tyre, si bënë Kina dhe Rusia, në detin Mesdhe kohë më parë? A nuk e shohin se kush e kërcënon sigurinë e shkel ligjin ndërkombëtar, se kush kërkon zgjerimin e zonave të influencës, se kush zhvillon retorikën e referencën e përdorimit të mundshëm të armëve bërthamore, se kush ekspozon tunele antibërthamore. Në këtë samit u kuptua qartë se Kina dhe Rusia janë dakordësuar që të risin trysninë ndaj SHBA dhe perëndimit si pjesë e avancimit konkret të strategjisë së tyre të superfuqisë botërore, por tashmë duke dalë më hapur e shfaqur dozën e vendosmërisë së afishimit të fuqisë e rivalitetit. Kanë menduar se duke u shfaqur bashkë mund të arrijnë më shumë në synimet e tyre strategjike.

Pse tani dhe në këtë samit ky hap apo lëvizje e kësaj dysheje aktorësh ndërkombëtarë u mendua të bëhej publike, ti përcillej SHBA direkt kërkesa për ndarjen e fuqisë, apo më saktë t’ia imponojnë asaj ndarjen e fuqisë? Me sa duket janë llogaritur shumë elementë. Është marrë në konsideratë një problematikë brenda perëndimit dhe aleancës euroatlantike, situate problematike e Europës dhe ngecja e ecurisë së projektit europian. Është llogaritur edhe koha e zgjedhjeve të reja presidenciale në SHBA, ku nuk kanë munguar edhe deklarime nga kandidati republikan për marrëdhënie të reja me Rusinë.
Me sa duket këto dy vende e kanë menduar se kanë tashmë elementët e domosdoshëm ekonomikë e ushtarakë të avancojnë më tej strategjinë e superfuqisë. Ndoshta, kjo lëvizje është mesazh për presidentin e ardhshëm të SHBA se çfarë do të kërkojnë nga SHBA që të ndryshojë në marrëdhëniet mes tyre. Ndoshta kanë menduar të bëjnë më publike ambiciet konkrete e objektivat gjeostrategjike që kanë në sirtar. Natyrisht që duhet llogaritur edhe një emergjencë që ka Rusia për tu liruar nga sanksionet ekonomike për shkak të aneksimit të Krimesë dhe konfliktit në Ukrainë. Po kështu, Kina ka nevojë për demonstrim të forcës për shkak të qëndrimit të fortë e kritik të SHBA ndaj ishujve artificialë ushtarakë dhe forcimin e dispozitivit ushtarak e prepotencës ushtarake në Paqësor, që duket nuk është pritur mirë nga Kina. Nuk është rastësi që si Kina dhe Rusia janë fokusuar shumë nga shtimi dhe perfeksionimi i të gjitha llojeve të armëve, duke nxitur kështu një garë të shfrenuar e të rrezikshme armatimi. Mediat sistematikisht bëjnë me dije lloje armësh vrasëse gjithnjë e më të sofistikuara, në funksion të demonstrimit të muskujve. Me të përcjellë pjesëmarrësit në samit, Kina dhe Rusia nxituan të demonstrojnë së bashku muskujt, duke filluar stërvitjen e përbashkët ushtarake të quajtur “lojërat e luftës”, ku po ekspozojnë armët më të sofistikuara. Është ky një mesazh i hapur force të kësaj dysheje ndaj SHBA dhe aleatëve të saj, se mund ta rivalizojnë tashmë SHBA e ti imponohen asaj në ndarjen e fuqisë. E zhvilluar në rajonin e paqësorit kjo stërvitje e ka shpallur në fakt këtë rajon zonë të rivalitetit të ashpër me SHBA.

Rritja e agresivitetit dhe demonstrimit të forcës e armëve nuk mund të mos sjellin shqetësim në rritje, sepse duket se realisht një erë lufte vjen vërdallë. Miliardat e harxhuara e të planifikuara dhe në afate kohore si viti 2020, dëshmojnë etje të shtuara për rivalitet e anim nga përdorimi i forcës, rritje të ekspansionizmit e hegjemonisë, në arritjen e objektivave gjeopolitike. Kështu po duket sikur përmes forcës ushtarake do të kërkohet ndryshimi balancave e ekuilibrave të vendosura, duke sheshuar mirë rrugën e shkeljes së ligjit ndërkombëtar. Ndërhyrja në krizën siriane e mbështetja e regjimit të Assadit, që ka vrarë popullin e vet, aneksimi i Krimesë e konflikti në Ukrainë, përpjekjet për zgjerimin e zonës së influencës së Rusisë në hapësirën europiane, ishujt artificialë ushtarakë kinezë dhe demonstrimi në rajonin e Paqësorit të forcës ushtarake, rritja e aktivitetit të ekstremizmave e terrorizmit, konfliktet e fjetura e të ngrira etj, janë sinjale të forta se rendi botëror do të pësojë ndryshime.

Ekonomia është gjithashtu një element i rëndësishëm i objektivave strategjike të superfuqisë së kësaj dysheje ruso- kineze, që tani po luajnë tangon së bashku, por që shpejt do të kuptohet dhe rivaliteti mes tyre. Ish-vendet e kampit socialist dhe Ballkani Perëndimor janë teren konkret ku përplasen interesa të rëndësishme të Rusisë dhe Kinës. Kina ka qenë e përqendruar më shumë në investime në infrastrukturë, energji, tregti etj, ndërsa Rusia edhe në investimet ushtarake si në Serbi. Kina është shfaqur më bindëse në marrëdhëniet ekonomike ndaj vendeve të Europës Lindore, se sa Rusia. Kina është shfaqur më e duruar në raport me Rusinë, që shfaqet më e ngutur. Nga investimet e kryera prej tyre në këtë hapësirë rezulton se ekonomia e saj ritet me 9% në vit. Kina ka llogaritur fonde të mëdha me rreth 40 miliardë dollarë për hekurudha e autostrada, porte e aeroporte, gazsjellës etj.

Në funksion të synimeve gjeostrategjike është tashmë Banka e Investimeve në Infrastrukturë, ku për interesa të caktuara janë dhe Gjermania, Britania e Franca. E gjendur e përqendruar në kontradiktën e brendshme mes interesave të shtetit komb dhe integrimit, BE ka qenë tepër e pavëmendshme, ndaj kësaj lëvizje të Kinës dhe Rusisë. Tani konstatohet një rritje e ndjeshmërisë së BE ndaj këtyre lëvizjeve ruso-kineze, por duket se janë të vonuar dhe të ndarë në interesa ekonomike e financiare, që pengojnë një reagim të unisuar, por që shpejt do të pasurojë përmbajtjen e Luftës së Ftohtë 2.
(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb