BRUKSEL – “Athina do të kërkojë një zgjatje të afatit të financimit për disa muaj”, deklaroi ministri i financave, Janis Varufakis, duke folur për televizionin publik gjerman, ZDF. “Duhet të zgjasim afatin e marrëveshjes së kredisë për të patur stabilitetin e mjaftueshëm, me qëllim që të negociojmë një marrëveshje të re ndërmjet Greqisë dhe Europës”, tha Varufakis nga Brukseli.

Për marrjen e kësaj shtese do të nevojiten “tre apo katër kushte”, shtoi ai pa dhënë detaje të tjera. Nga ana tjetër, qeveria konfirmon se Athina do të paraqesë nesër kërkesën për shtyrje të marrëveshjes së kredisë.

Zëdhënësi i qeverise theksoi se “nëse ekziston vullneti reciprok për gjetjen e një zgjidhjeje, pala greke disponon një propozim për t’u gjetur rrugëdalje”. Dy ditë më parë kreu i Eurogrupit Diselbloem tha se i takonte Greqisë të kërkonte zgjatje të programit për të marrë kohë. “Kjo do na lejonte të përdornim fleksibilitetin normal në një program ekonomiko financiar”, theksoi kreu i Eurogrupit.

(er.nu/a.jole/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: