Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për kryerjen e “krimeve të luftës”, pas sulmeve amerikane ndaj infrastrukturës iraniane dhe kërcënimeve për goditje të mundshme ndaj urave dhe termocentraleve.

Në një deklaratë të publikuar në Telegram, Araghchi pretendoi se veprimet ushtarake dhe kërcënimet nga Uashingtoni tregojnë, sipas tij, një “qëllim kriminal” për të kryer sulme të rënda ndaj Iranit.

Kryediplomati iranian i cilësoi sulmet amerikane si një “shkelje flagrante” të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të parimeve të së drejtës ndërkombëtare.

“Bëhet fjalë për krime të rënda ndërkombëtare”, deklaroi Araghchi, duke iu referuar Konventave të Gjenevës të vitit 1949 dhe duke thënë se autorët e veprimeve të tilla duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore.

Ai akuzoi gjithashtu zyrtarët amerikanë për përdorimin e një “retorike irracionale dhe kërcënimeve djallëzore”, duke pretenduar se politikat e Uashingtonit synojnë popullin iranian për shkak të, siç u shpreh ai, kërkesës së Iranit për pavarësi dhe të drejta legjitime.

Në fund të deklaratës së tij, ministri i Jashtëm iranian paralajmëroi se personat përgjegjës për sulmet nuk mund t’i shmangen përgjegjësisë ligjore duke argumentuar se kanë vepruar me urdhra nga eprorët.

Akuzat e Teheranit vijnë në një periudhë të tensioneve të larta mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, ku përplasjet ushtarake dhe deklaratat e ashpra diplomatike kanë rritur shqetësimet për një përshkallëzim të mëtejshëm në rajon.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: