TIRANË- “Ju jeni krenaria jonë!” Me këto fjalë ju është drejtuar Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli ushtarakëve shqiptarë që shërbejnë në misione jashtë vendit. Ministrja Kodheli, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral major Jeronim Bazo dhe familjarë të pjesëtarëve të Forcave të Armatosura që ndodhen në misione paqeruajtëse zhvilluan një video-konferencë me rastin e festave të nëntorit.

Nga Afganistani i largët, i pari e mori fjalën përfaqësuesi jonë ushtarak në misionin Resolute Suport, në Kabul, kolonel Dilaver Hoxha. Nënkolonel Bardha Pali, e cila përveç uniformës përfaqëson edhe femrën në FA u shpreh se “Ne ushtarakët shqiptarë këtu në vendin e trazuar, ku flitet me gjuhën e armëve e ndjejmë përgjegjësinë që kemi përpara popullit tonë dhe në veçanti para FA ndaj përkushtimi ynë është maksimal dhe do të bëjmë të pamundurën që emri i FA Shqiptare të skalitet në historinë e popullit afgan si një forcë aktive për kontributin e saj në vendosjen e paqes dhe demokracisë”.

Ministrja e Mbrojtjes Kodheli përshëndeti oficerët, nënoficerët dhe ushtarët që ndodhen jashtë kufijve të atdheut dhe i cilësoi ata krenaria jonë. “Ju nuk mund ta imagjinoni se sa të emocionuar jemi ne këtu, njësoj sikur të ishim pjesë e familjeve tuaja. Për shumë arsye të cilat nuk do të mund t’i përsërisja asnjëherë dhe t’i rreshtoja asnjëherë të gjitha bashkë. Por informacioni që vjen, nga mënyra se si ju e ushtroni detyrën tuaj, mënyra se si silleni, mënyra se si respektoni eprorët, mënyrën se si shërbeni, se si komunikoni me njëri tjetrin, është me të vërtetë një krenari për ne”, – është shprehur ministrja Kodheli.

Më tej, ajo ka nënvizuar se, ne kemi bërë zgjedhjen e duhur duke ju çuar ju atje. Dhe shpresoj shumë që me kthimin tuaj të vini me një eksperiencë të re, që është sa profesionale, aq edhe njerëzore.
“Duke qenë atje ju kuptoni fort mirë se sa i bukur dhe i shtrenjtë është atdheu jonë. Duke e krahasuar sidomos me një atdhe të largët si Afganistani. Shpesh herë ne me atdheun tonë jemi të pakënaqur, por ai është gjithmonë më i bukuri. Jo se është atdheu i shqiponjave, që jeni ju, por sepse është i joni. Është bërë me shumë mund, me shumë djersë, me dëshmorë, me heronj, të heshtur shpeshherë. Dhe vetëm duke qenë atje e kuptoni se sa e dashur është Shqipëria, se sa e dashur është familja që keni lënë. Ndaj, duke qenë  atje, më shumë se këtu, respektoni atdheun fort dhe ngrini lart emrin e Shqipërisë dhe shqiptarëve me respektin drejt flamurit që keni të varur mbrapa jush, atje ku e meriton”, u tha zonja Kodheli ushtarakëve tanë që shërbejnë në Afganistan.
Në fund të fjalës së saj ministrja Kodheli i uroi të gjithëve festën e Flamurit dhe festën e Çlirimit.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb