(foto ilustruese) GJIROKASTËR/PUKË- Moti i keq ka sjellë probleme në disa qytete të vendit. Nga reshjet e dendura të shiut, që kanë rënë gjatë gjithë ditës së sotme, mësohet se është bllokuar qarkullimi në disa lagje të qytetit të Gjirokastrës.
Kështu raportohet se në lagjet ‘Partizani’, ‘Gerhot’, ‘Pedagogjike’ ka prezencë të madhe uji si pasojë e daljes nga shtrati të disa përrenjve, po ashtu raportohet edhe për rrëshqitje dherash, çka e bën të pamundur qarkullimin.
Po si pasojë e motit të keq në qytetin e Gjirokastrës mungon prej disa orësh edhe energjia elektrike.
Duke qenë se në hyrje të qytetit është rritur niveli i ujit, Prefektura bën thirre që të shmanget kalimi mjeteve aty, me qëllim që të mos bllokohen.
Ndërprerje energjie raportohet të ketë pasur edhe në rrethin e Pukës, si pasojë e motit të keq.
25 mijë banorë të këtij rrethi qendrojnë pa energji prej 4 orësh si pasojë e erërave të forta, të shoqëruara edhe me reshje shiu. Ndërkohë që në zonat rurale energjia elektrike është ndërprerë që në mesditë.
Raportohet se në disa akse rrugore ka rrëshqitje dherash dhe prezencë pemësh të rrëzuara.
(ma.ar/BalkanWeb)