* Vjosa e Drinos dalin nga shtrati, përmbyten tokat bujqësore
*Panariti në Fier: Rikthehet energjia elektrike në dy hidrovorë
*Pishat rrëzohen në Lezhë
*Toka rrëshqet në Pukë, dy shtëpi të pabanueshme
*Rrëzohen shtyllat elektrike, disa zona pa energji
*Rikthehen reshjet e borës në Korçë
*Gjirokastër-Kakavijë, vërshon përroi në rrugë, përmbytje
*Policia në shërbim të përforcuar

TIRANË-Moti i keq me stuhi dhe reshje të rrëmbyera shiu ka mbërthyer vendin. Nga veriu në jug raportohen probleme pasi lumenjtë kanë dalë nga shtrati dhe kanë dëmtuar rrugë e fusha, kurse pishat e rrëzuara nga stuhia e erës janë kthyer në rrezik për banorët e mjetet që lëvizin në akset rrugore. Ndërkohë shumë zona po vuajnë ndërprerjen e energjisë elektrike pasi shumë shtylla janë shembur gjatë natës.

Vlorë
Në Vlorë, lumi Vjosa ka dalë nga shtrati rreth mesditës duke përmbytur tokat bujqësore. Autoritetet vendore kanë lajmëruar banorët që të qëndrojnë larg banesave pasi me daljen nga shtrati, lumi mund të përmbytë cdo objekt që do gjejë para. Shtabi i Emergjencës është ngritur tashmë pasi në rrezik janë me dhjetra mijëra ha tokë dhe ndërtesat në to. Në afërsi të Selenicës, lumi Vjosë ka nisur daljen nga shtrati ne nje kohe kur moti i keq nuk premton përmirësim. Rreth orëve të mesditës, lumi Vjosë ka avancuar dhe tek Ura e Mifolit i është drejtuar tokës.

Mbrëmjen e sotme nga reshjet e dendura të shiut, janë përmbytur rrugët në qytetin e Vlorës, duke shkaktuar probleme në qarkullimin e mjeteve. Kreu i komunës Noveselë Kanan Shakaj, thotë se nëse do vijojnë reshjet me intensitet do rritet rreziku i përmbytjeve të shkaktuara nga dalja e lumit Vjosë.

lumi vjosa rrezikon daljen nga shtrati
Lezhë

Lezhë
Situata nuk paraqitet e mirë as në Lezhë, ku me dhjetra pisha janë rrëzuar në zonën e Kunes. Ndërsa pa energji elektrike kanë mbetur Ishull Shëngin, Zejmeni, Shëngjini.
pema e rrezuar ne shengjin 1

Dibër e Pukë
Shumë komuna të Dibrës janë zgjuar pa energji elektrike sot në mëngjes pas gjatë natës, era e fuqishme ka rrëzuar shumë shtylla të energjisë elektrike. Grupe të punës së OSHEE janë nisur drejt zonave për riparimin e defektit. Pa energji janë dhe komunat Krumë, Bicaj, Shtiqen, Zapod, Kalis, Lekbibaj etj. Kështu dhe në Pukë, por energjia në qytet është rikthyer, kurse në fshatra mungon ende, duke vështirësuar jetën e banorëve në këtë mot të ftohtë.
Në disa fshatra të Pukës ka pasur rrëshqitje dherash, ku më serioze situata paraqitet në fshatin Shkozë. Rreth mbrëmjes së të premtes, dy familje janë larguar nga banesa për shkak të rrëshqitjes së tokës që rrezikonte të mbulonte me dhe shtëpitë e tyre. Banesat aktualisht janë kthyer të pabanueshme. Erërat e forta dhe stuhia e shiut dëmtuan dhe një pjesë të catisë së maternitetit të Pukës, godinë e rikonstruktuar vetëm pak vite më parë, ndërkohë që dëme janë shkaktuar dhe catitë e banesave të tjera të Pukës. Në segmentet rrugore, rrëshqitjet e dherave dhe gurëve nga skarpatat vështirësuan qarkullimin në disa segmente rrugore, ndërkohë që problem mbetet rikthimi i energjisë elektrike, pasi dëmet në rrjet kanë lënë 80% të rrethit të Pukës në errësirë.
puke rreshkitje dheu
puke rrshkitje dheu 1

Gjirokastër
Pas një moti me stuhi dhe erë gjatë gjithë natës, Gjirokastra sot paradite u paraqit në gjendje pak më të stabilizuar. Energjia elektrike që mungonte prej orësh u rikthye, por dëme të shumta janë vërejtur në rrugë dhe banesa pasi era e fuqishme e shoqëruar me shi të rrëmbyer zgjati për gjatë gjithë natës.
Rreth mesditës si pasojë e reshjeve të dendura të shiut ka dalë nga shtrati edhe lumi Drinos, në fshatin Vrisera të Dropullit . Edhe pse këtij lumi i ishte vendosur argjinaturë, prurjet e tij kanë qenë aq të mëdha. Për pasojë janë përmbytur disa toka bujqësore ndërsa rrezikohen të përmbyten edhe banesat e fshatit. Po kështu raportohet për mungesë energjie edhe në 4 fshatra të Dropullit.
Rreth mbrëmjes mësohet të jetë përmbytur edhe aksi rrugor Gjirokastër-Kakavijë nga vërshimi i një përroi në rrugë. Situata paraqitet më problematike në segmentin Kordhoc-Gjirokastër. Ndërkohë që mësohet të jetë përmbytur edhe rruga në hyrje të Lazaratit.

Korçë
Në Qarkun e Korçës janë rikthyer reshjet e dendura të dëborës, edhe pse për momentin nuk raportohet për probleme. Ndërkaq këshillohet që qarkullimi të kryhet me zinxhirë.

Lushnje
Situatë e rënduar mësohet dhe për Lushnjen. Deputeti i zonës Erjon Brace shkruan në Facebook se, për shkak të stuhisë së djeshme, janë dëmtuar fidrat e furnizimit me energji elektrike. “Ka pasur defekte të natyrave të ndryshme, deri te të rëndat në të 28 fidrat e Lushnjës”. Deputeti siguron se pasi ka kontaktuar me drejtorin e OSHEE të Lushnjes, tanimë po punohet në 5 fidrrat e fundit dhe për pak kohë, do të rikthehet energjia elektrike në Lushnje”.

Elbasan
Reshjet e nisura ditën e djeshme kanë krijuar problem edhe në qarkun e Elbasanit. Mësohet se në aksin nacional Rrogozhin-Qafë Thanë ka pasur problemë, pa ndërpreje në qarkullim, kështu është konstatuar rënie aluvionesh në segmentin rrugor Papër-Paulesh (Derven), rënie materialesh të ngurta në segmentin Ura e Murashit-Librazhd, rënie aluvionesh në segmentin rrugor Librazhd-Hotolisht (Dragonstunjë ).

Prefekti i Qarkut Elbasan me cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Planifikimit dhe Përballimit të Emergjencave Civile organizoi takimin me drejtuesit e institucioneve shtetërore aktive në situata të tilla ku kërkoi monitorimin dhe informimin në mënyrë të vazhdueshme, si dhe rritjen e gadishmërisë për përballimin e cdo situate emergjente që mund të krijohet nga reshjet e shiut dhe në zonat malore të reshjeve të dëborës.

POLICIA: JA PROBLEMET NË RRUGË, NGA DALJA E LUMENJVE NUK RREZIKOHEN BANESAT
Ora 19:54- Strukturat e Policisë së Shtetit, konkretisht Policia Rrugore , Policia e Rendit dhe FLO që prej mbrëmjes së djeshme kanë kaluar në shërbim të përforcuar për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve për shkak të situatës së rënduar nga reshjet e shiut dhe të dëborës, si dhe në disa Drejtori të Policisë në Qarqe janë ngritur e funksionojnë grupet e emergjencës.Sipas policisë situata në disa qarqe si pasojë e motit të keq me reshje dëbore dhe shiu paraqitet si më poshtë deri në orën 18:00:

Korçë
Akset rugore Korçë-Qaf-Qarr-Voskopojë-Dardhë dhe PKK Goricë, të kalueshme me zinxhirë.
Në Pogradec për momentin nuk ka probleme.
Devoll. Aksi Bilisht- P.K.K.Kapshticë i kalueshëm me zinxhirë.
Ersekë. Aksi rugor Ersekë- Qaf-Qarr i kalueshëm me zinxhirë.
Aksi Qaf-Thanë –Plloçë i kalueshëm me zinxhirë.

Fier
Në lidhje me situatën e krijuar si pasojë e reshjeve të dendura të shiut në qarkun e Fierit, lumi Vjosë ka dalë nga shtrati, por për momentin s’ka rrezik për banesat, por ka përmbytje të tokave bujqësore në disa fshatra.

Vlorë
Në Gjirokastër , në aksin rrugor Gjirokastër –Kordhocë , në daljë të qytetit , si pasojë e inerteve dhe daljes së ujit në rrugë , qarkullimi është shumë i vështirë.
Është njoftuar Ndërmarrja e Rrugëve .
Në fshatin Vrisera-Gjirokastër , pas ndërhyrjes nga Prefektuara dhe Komuna ku janë hedhur blloqe betoni, lumi ka devijuar rrjedhën. Lumi Vjosë, nuk rrezikon për momentin asnjë banesë në asnjë fshat të rrethit Gjirokastër.
Akset e tjera rrugore në këtë Qark janë të kalueshme.
Në të dy qarqet Vlorë dhe Gjirokastër vijojnë reshjet e shiut.

PANARITI NE VLORE: VJOSA KA DALË NGA SHTRATI, PËRMBYTEN TOKAT BUJQËSORE
Ora 16:18- Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti udhëtoi edhe drejt Novoselës,në Vlorë ku ka parë nga afër situatën e krijuar nga dalja nga shtrati e lumit Vjosë.

“Lumi i Vjosës ka dalë nga shtrati dhe si pasojë e reshjeve të shiut që vijojnë janë përmbytur tokat bujqësore. Do të vendosim blloqe betoni, atje ku ka më shumë rrezik”, tha ai.
Po sipas tij, në dy hidrovoret është kthyer energjia elektrike, po ashtu edhe në qytetin e Fierit. Ai shtoi se në këto zona është ngritur edhe shtabi i emergjencave.

PANARITI: VJOSA POTHUAJSE PO DEL NGA SHTRATI, HIDROVORET PA ENERGJI
Ora 13:40- Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti ka udhëtuar drejt Fierit, për të parë nga afër situatën në grykëderdhjen e Vjosës, pas reshjeve të dendura që kanë përfshirë vendin gjatë ditëve të fundit. Në një komunikim telefonik në “News24” , ministri Panariti shprehu shqetësim për mosfurnizimin me energji elektrike të hidrovoreve, çka shton rrezikun e përmbytjeve. Ministri theksoi se grupet e punës së OSHEE-së po punojnë për të riparuar defektin dhe energjia pritet të rikthehet brenda 3-4 orësh.

“Vjosa pothuajse po del nga shtrati. Hidrovoret janë në gjendje pune por për sa kohë që nuk furnizohen me energji elektrike nuk funksionojnë. Ka defekt në linjat elektrike. Për 3-4 orë na është premtuar se energjia do të rikthehet”- deklaroi Panariti.

(d.b/er.nu/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: