Dëme të mëdha në prodhim u janë shkaktuar fermerëve në shumë zona në qarkun e Beratit. Kjo ka ardhur si pasojë e shirave e breshrit të rënë gjatë muajit qershor dhe më pas ngritjes së menjëhershme të temperaturave.

Më të dëmtuarit nga këto faktorë atmosferikë janë fermerët e fshatrave Kozare e Perondi në qytetin e Kuçovës dhe fermerët e fshatit Vodicë në bashkinë e Poliçanit.

Këtyre fermerëve u janë dëmtuar totalisht të mbjellat në tokat bujqësore, madje edhe jonxha për bagëtitë këtë vit është prishur e gjitha në ara. Dëme të mëdha ka pasur edhe në pemtari e vreshta, ndërkohë që gruri jo vetëm që u prish në tokë por edhe u nxi nga shiu e breshri.

Pas korrjes së grurit, fermerët e shumë fshatrave janë zhgënjyer këtë vit me prodhimin që kanë marrë i cili ka qenë i përgjysmuar, aq sa disa prej tyre nuk kanë arritur as të prodhojnë për të mbuluar nevojat e tyre familjare.

Sipas tyre, gruri u prish në arë këtë vit, prodhimi u përgjysmua dhe ai prodhim që u korr ishte me dëmtime serioze, duke bërë që buka të dalë e zezë. Fermerët shprehen se këtë vit ata nuk përballuan dot kostot e shpenzimeve, ndërkohë që mielli që bën nuk u del as për nevojat e tyre familjare. Ata thonë se ata nuk kanë asnjë mbështetje me grante, subvencione apo naftë nga shteti, ndërkohë që pas dëmeve që iu shkaktuan këtë vit nga moti i keq askush nuk ka shkuar në zona për të verifikuar dëmet.

Sipas tyre, dëme të mëdha janë shkaktuar edhe në pemtari, sidomos në ullinj, fiq e pjeshkë, ku këto të fundit nuk kanë mundur të arrijnë dot pjekjen e rritjen për shkak të kalbëzimit nga shirat. Shirat dhe breshëri kanë dëmtuar në disa fshatra edhe vreshtarinë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb