Pushtimi rus i Ukrainës ka paralizuar çdo gjë në këtë vend e padyshim edhe futbollin. Kush ka patur mundësi, është arratisur me shpejtësi nga ky vend dhe futbollistët e huaj kanë qenë të parët që e kanë bërë një gjë të tillë. Por shumë nga vendasit kanë qëndruar dhe po jetojnë në bunkerë, mes bombardimeve ruse.

E tillë është historia e djaloshit Georgi Sudakov, mesfushorit ukrainas 19-vjeçar, i cili shihej si një nga talentet më të mëdha të prodhuar nga futbolli në këtë vend në dekadën e fundit. Trajneri i të rinjve të Shakhtar Donjetck, Fernando Valente, na treguar nëpërmjet rrjeteve sociale historinë e tmerrshme të djaloshit me potencial të jashtëzakonshëm, në një karrierë që është ndërprerë për shkak të luftës.

“Sudakov është talenti më i madh që kam stërvitur në jetën time, 20 vjeç, pjesë e kombëtares A të Ukrainës, i cili rinovoi së fundmi deri në vitin 2026 me Shakhtarin. Një qenie njerëzore fantastike që pret të bëhet babai i një vajze bashkë me gruan e tij Lisa”, shkruante Valente në postimin e tij. “Ka ëndrra për të realizuar, por është i mbyllur në bunker për shkak të një lufte pa kuptim. Po, qaj dhe trishtohem për këtë çift dhe për të gjithë lojtarët e rinj që lashë në Ukrainë, të cilët më lumturuan gjatë këtyre dy viteve. Jam zemërthyer”, vijonte postimi i tij.

Më pas, ai ka folur edhe për “Agencia Lusa”, duke folur për këtë djalosh që po përjetonte historinë e veçantë. “Sudakov është një i ri me një potencial të jashtëzakonshëm, edhe për të luajtur te Barcelona apo Mançester Siti. Ishte talenti më i madh që kam stërvitur dhe është një nga lidhjet më të forta që kam atje. Në celularin tim shoh një foto para konfliktit të tijën dhe të gruas së tij, që është shtatzënë, të lumtur. Dhe më pas më dërgoi një foto tjetër të tyre në një bunker dhe të trishtuar. Sa herë që i shoh, përlotem”, theksoi trajneri i cili pranoi se fati i madh i ekipit të tij ishte që pjesa më e madhe e lojtarëve të skuadrës së të rinjve kishin qenë në Turqi kur shpërtheu lufta duke bërë fazën përgatitore e kështu ishin jashtë rrezikut/PANORAMASPORT.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: